Synon standardin me katër yje deri në vitin 2030

“Qëllimi ynë është i qartë: Ada e Bunës duhet të fitojë statusin e një destinacioni me katër yje. Kemi filluar me investimet më të domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe për të krijuar një ofertë më konkurruese për turistët vendas dhe të huaj. Nëse vazhdojmë me të njëjtin ritëm pune dhe investimesh, besojmë se ky objektiv është plotësisht i realizueshëm”, ka deklaruar drejtori ekzekutiv i NHT “Riviera e Ulqinit”, Armend Milla

Kompleksi turistik Ada e Bunës po hyn në një fazë të re zhvillimi, me investime që synojnë modernizimin e infrastrukturës dhe rikthimin e destinacionit në hartën e tregjeve kryesore evropiane të turizmit naturist.
Drejtuesit e Ndërmarrjes Hoteliere-Turistike “Riviera e Ulqinit” deklaruan se objektivi strategjik është që deri në vitin 2030 ky kompleks të arrijë standardin e katër yjeve.
Gjatë prezantimit të investimeve të realizuara përpara sezonit veror, drejtori ekzekutiv Armend Milla theksoi se pas dekadash mungese investimesh, ndërmarrja ka nisur një cikël të ri zhvillimi.
“Qëllimi ynë është i qartë: Ada e Bunës duhet të fitojë statusin e një destinacioni me katër yje. Kemi filluar me investimet më të domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe për të krijuar një ofertë më konkurruese për turistët vendas dhe të huaj. Nëse vazhdojmë me të njëjtin ritëm pune dhe investimesh, besojmë se ky objektiv është plotësisht i realizueshëm”, deklaroi Milla.
Në kuadër të aktiviteteve promovuese u hap ekspozita “Rilindja e Adës”, ku u prezantuan fotografi dhe vizualizime që tregojnë transformimin e kompleksit nga gjendja e mëparshme në projektet aktuale të zhvillimit. Mediat patën mundësinë të shohin apartamentet e rinovuara pranë bregdetit, hapësirat e reja gastronomike dhe kampin e modernizuar të automjeteve.
Sipas Millës, kompania trashëgoi probleme të shumta financiare dhe infrastrukturore.
“Për shumë vite nuk është investuar në mënyrë sistematike. Kjo reflektohej si në gjendjen e objekteve ashtu edhe në rezultatet financiare. Megjithatë, gjatë periudhës së fundit kemi arritur një rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe kemi krijuar bazat për një zhvillim më të qëndrueshëm”, tha ai.
Milla rikujtoi se ndër sfidat kryesore ishte edhe bllokimi i llogarisë bankare të ndërmarrjes për shkak të detyrimeve financiare të akumuluara. Sipas tij, falë bashkëpunimit me institucionet shtetërore, këto pengesa janë tejkaluar dhe është hapur rruga për investime të reja.
“Kur mora detyrën në fillim të vitit 2025, prioriteti ynë ishte stabilizimi financiar. Bashkë me ekipin dhe me mbështetjen e institucioneve shtetërore arritëm të zgjidhim problemet më urgjente. Më pas u përqendruam në përmirësimin e kushteve për mysafirët, duke rinovuar terrenet sportive, duke rritur sigurinë në kompleks dhe duke modernizuar një pjesë të kapaciteteve akomoduese”, u shpreh Milla.
Gjatë këtij viti janë rinovuar njëzet njësi akomoduese sipas standardeve të kategorisë me katër yje, ndërsa janë investuar mjete edhe në restorantin kryesor dhe në pajisjet e objekteve turistike.
Drejtuesit e kompanisë paralajmëruan gjithashtu plane për rikthimin në funksion të zonës së vjetër të Adës, e cila prej dekadash ka mbetur jashtë përdorimit.
Një pjesë e rëndësishme e strategjisë së re lidhet me rikthimin në tregjet tradicionale të naturizmit në Evropë. Përfaqësuesit e kompanisë kanë marrë pjesë në panaire ndërkombëtare në Holandë dhe Gjermani, ku kanë zhvilluar takime me operatorë turistikë dhe shoqata të specializuara.
“Holanda dhe Gjermania mbeten ndër tregjet më të rëndësishme për turizmin naturist. Kemi arritur të rikthejmë bashkëpunimin me operatorë që dikur sillnin një numër të madh turistësh në Adën e Bunës. Përmirësimi i lidhjeve ajrore dhe investimet që po realizohen na japin mundësi të reja për të tërhequr vizitorë nga këto vende”, deklaroi drejtori Milla.
Sipas tij, katër marrëveshje të reja me operatorë dhe organizata të njohura evropiane pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të turistëve gjatë viteve të ardhshme.
Treguesit paraprakë për sezonin turistik japin sinjale optimiste. Të dhënat e rezervimeve tregojnë një rritje të numrit të mysafirëve dhe qëndrimeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa të ardhurat e pritshme vlerësohen ndjeshëm më të larta.
Menaxhmenti i Ndërmarrjes “Riviera e Ulqinit” vlerëson se investimet e vazhdueshme, modernizimi i ofertës dhe orientimi drejt tregjeve evropiane do të jenë faktorët kryesorë që Ada e Bunës të rikthejë reputacionin e saj si një nga destinacionet më të njohura turistike në bregdetin e Adriatikut.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat