Kosova si preokupim i madh jetësor, por edhe frymëzim poetik

Si personalitet i shquar i letrave shqipe, jetës kulturore, arsimore dhe shkencore, si poet shqiptar i viteve tridhjetë, si autor i shumë shkrimeve publicistike dhe enciklopedike, i disa veprave të botuara që nga gjysma e dytë e shekullit XX, në të gjitha periudhat historike nëpër të cilat kaloi vendi, dha kontribut të çmuar dhe të jashtëzakonshëm për zhvillimin e gjithëmbarshëm të atdheut

Shaban Hasangjekaj

Në muajin e fundit të këtij viti, pikërisht më 17 dhjetor, bëhen plot 110 vjet prej kur në Plavën piktoreske, mu në bregun e liqenit të bukur me të njëjtin emër, rrëzë Alpeve Shqiptare e përballë bjeshkës së Visitorit kreshnik, në vitin 1916 u lind shkrimtari, poeti, përkthyesi dhe shkencëtari i famshëm dhe i mirënjohur shqiptar, Esad Mekuli, i njohur edhe si Sat Nokshiqi, Sat Hoxha. Është ky vit jubilar i lindjes së të madhërishmit Esad Mekuli.
Familja e tij ishte nga Plava dhe ishte i biri i hoxhës Haxhi Smajl Ademi i vëllazërisë Mekuli, me prejardhje nga Nokshiqi legjendar, i njohur për Epopenë e Nokshiqit të viteve 1879/1880. Mësimet fillore i mori në Plavë në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm e filloi dhe e përfundoi në Gjimnazin e Pejës në vitin 1936. Më pas u regjistrua në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin e Beogradit. Atje ra në kontakt me idetë marksiste dhe më pas mori pjesë në lëvizjen partizane të Luftës së Dytë Botërore. Për veprimtarinë e tij politike u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaça”, prej nga u amnistua më 2 prill të vitit 1941.
Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali.
Në vitin 1949 themeloi revistën letrare “Jeta e Re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri në vitin 1971. Në vitin 1959 kreu doktoraturën në lëminë e mjekësisë veterinare në Universitetin e Beogradit. Ishte kryetari parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ndërroi jetë në Prishtinë më 6 gusht 1993, në moshën 77-vjeçare, ku dhe u varros me nderimet më të larta të pjesëmarrësve të shumtë nga të gjitha trojet etnike shqiptare.
Esad Mekuli është shkrimtar i shquar i letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ai dha kontribut të madh për zhvillimin dhe afirmimin e letërsisë dhe të kulturës sonë shqiptare. Në të gjitha format e krijimtarisë u angazhua me tërë qenien e vet për emancipimin e gjithanshëm shoqëror, kulturor dhe shkencor. Deri në fund të jetës së vet, për një kohë shumë të gjatë është marrë jo vetëm me krijimtarinë poetike por edhe me veprimtari shumë më të gjerë kulturore. Që nga koha kur ai ishte nxënës i Gjimnazit të Pejës dhe deri në fund të jetës, lidhet me Kosovën. Si personalitet i shquar i letrave shqipe, jetës kulturore, arsimore dhe shkencore, si poet shqiptar i viteve tridhjetë, si autor i shumë shkrimeve publicistike dhe enciklopedike, i disa veprave të botuara që nga gjysma e dytë e shekullit XX, në të gjitha periudhat historike nëpër të cilat kaloi vendi, dha kontribut të çmuar dhe të jashtëzakonshëm për zhvillimin e gjithëmbarshëm të atdheut. Ai jetoi, krijoi dhe i dha kuptimin e dëshiruar jetës.
Jetëshkrimi i të madhërishmit Esad Mekuli është interesant, jo vetëm për të kuptuar rrugën jetësore që ka kaluar me dinjitet njerëzor, por edhe për të mësuar diç më tepër për kushtet sociale, ekonomike, politike e shoqërore. Shtigjet jetësore krijuese të poetit janë shumë karakteristike. Ai i përket një gjenerate që në fëmijëri përjetoi Luftën e Parë Botërore. Qysh në fëmijëri, ai përjetoi me forcë emocionale në mënyrë të vet jetën që rridhte asokohe e që linte vragë të pashlyeshme. Në kujtimet e poetit me modesti dhe sinqeritet shpalosen mbresat dhe përjetimet, gjurmët e jetës, të cilat do të fiksoheshin në shtigje jete e krijimtarie poetike.
Jeta dhe edukata familjare, atmosfera e përgjithshme shoqërore, arti popullor i traditës që kultivohej prore dhe veçanërisht dituria e fituar nga babai dhe mësuesi i parë, ndikuan në formimin e përgjithshëm të Mekulit dhe zgjuan tek ai interesim të posaçëm ndaj artit.
Më vonë, në fazat krijuese të shkollimit në Gjimnazin e Pejës, duke lexuar autorë të njohur dhe duke u thelluar më tej në botën e librit, zgjeroi horizontin e njohurive lidhur me artin e letërsinë dhe kështu nxitet të shkruajë edhe vetë. Fillimet letrare tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një krijues të rrallë të letërsisë sonë.
Në studimet universitare, të cilat i ka ndjekur në Beograd, ka pasur rast të kontaktojë edhe krijues të tjerë të afirmuar dhe me interesim të madh ka vazhduar të lexojë beletristikë, por edhe vepra të tjera të letërsisë marksiste.
Gjatë viteve tridhjetë, poetit Esad Mekuli i imponohet kryesisht problematika sociale dhe atmosfera që dominonte atëherë. Ai ishte i preokupuar me probleme të mëdha të kohës. Për këtë arsye verbi poetik është ai që mundëson mendimin dhe rrëfimin lirik si formë të shfaqjes së botës subjektive. Transponimi artistik i realitetit objektiv bëhet kështu si domosdoshmëri, ndërsa poezia sociale si fakt historik i një kohe dhe i një populli.
Me të drejtë është thënë shumë herë se emri i Esad Mekulit, gjegjësisht roli i veprës së tij në vlerat shpirtërore dhe përgjithësisht në kulturën shqiptare, është i dorës së parë. Duke themeluar dhe duke udhëhequr revistën e parë letrare shqiptare në ish-Jugosllavi, ai në fakt nxiti, kultivoi dhe orientoi me dekada zhvillimin tonë letrar. Esad Mekuli duke luajtur rolin e pionierit në këtë fushë, përkrahu që në embrion gjenerata të tjera krijuesish letrarë. Ai me kureshtjen dhe dashurinë e një pedagogu të përkushtuar të letërsisë e ndiqte rritën e çdo krijuesi, prandaj me plot të drejtë mund të thuhet se janë tepër të rralla rastet që një krijues me aq përkushtim të vihet në shërbim të zhvillimit letrar e kulturor kombëtar. Përmes lirikës letrare të Esad Mekulit, në letërsinë tonë hyri një frymë që do të ushtrojë ndikim të dukshëm gjatë dekadave të para të pasçlirimit.
“Esad Mekuli është profil i atillë i krijuesit në rrjedhat e letërsisë sonë, veprat poetike të të cilit përbëjnë një hallkë që është karakteristikë e theksuar për një periudhë të zhvillimit tonë letrar”, thekson shkrimtari, studiuesi dhe publicisti Prof. dr. Isak Shema, në vështrimin me titull “Kosova në poezinë e Esad Mekulit”, të botuar në librin e tij “Identitete letrare”.
Përveç krijimtarisë poetike, Esad Mekuli procesin e zhvillimit historik të kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi, e obligon edhe me forca të tjera të aktivitetit të vet që për një kohë dhe për ca kushte të caktuara të zhvillimit tonë kulturor, arsimor dhe kombëtar kanë karakter dhe rëndësi vitale. Esad Mekuli është një ndër profilet e rralla të kulturës sonë kombëtare, por edhe në përgjithësi pa marrë parasysh se në çfarë rrethanash dhe situatash u gjend, përherë u qëndroi besnik parimeve dhe idealeve të veta, atyre idealeve për të cilat u përcaktua që në ditët e rinisë së hershme, gjegjësisht që në bankat e gjimnazit.
Poeti Esad Mekuli i takon plejadës së shkrimtarëve shqiptarë që veprimtarinë krijuese e nisën që në fillim të viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Si poet, ai i përket atij profili të krijuesve letrarë që artit në përgjithësi i atribuojnë rol të rëndësishëm, mbase të dorës së parë, në historinë shoqërore dhe njerëzore. Për më shumë, i takon atij profili të letrarëve që plot pastërti dhe virgjinitet njerëzor i besojnë këtij aktiviteti të njeriut pasi i besojnë më shumë sesa që vetë arti e ka dëshmuar dhe verifikuar vetë gjatë përvojës shekullore.
Esad Mekulin lufta e gjeti të përgatitur për të marrë pjesë aktive për çlirimin e vendit. Krahas pushkës, ai kishte edhe penën si armë të fuqishme të luftës kundër okupatorit fashist. Ai i përjetoi të gjitha vështirësitë që solli lufta dhe krijoi poezi në gjuhën shqipe.
Gjatë luftës, Esad Mekuli ka dhënë kontribut për zhvillimin e publicistikës sonë. Si anëtar i redaksisë së revistës “Liria” është angazhuar për botimin e revistës e cila dilte në gjuhën shqipe dhe serbokroate.
Pas përfundimit të luftës, për dekada të tëra, Esadi punoi me zell të jashtëzakonshëm dhe pa u lodhur në fushën e kulturës dhe të shkencës. Angazhimi i tij shoqëror dhe politik është i pandërprerë. Në vitin 1945, së bashku me disa bashkëpunëtorë të tjerë, bënë përgatitjen për botimin e gazetës “Rilindja”, ndërsa më vonë për nxjerrjen e gazetës së pionierëve, të revistës “Përparimi” etj.
Në vitin 1949 filloi botimi i revistës letrare “Jeta e Re”, për të cilën meritat më të mëdha i ka posaçërisht Esad Mekuli. Sipas tij, revista kishte për qëllim të ndihmojë zhvillimin e krijimtarisë letrare të shqiptarëve te ne si dhe njohjen e traditës letrare, që nëpërmjet përkthimit të kontribuojë për afirmimin reciprok sa më të suksesshëm të kulturave, duke mësuar kështu edhe mjeshtërinë e shkrimit nga mjeshtrit e penës. Ky ishte synimi themelor i redaksisë dhe këtij synimi i mbetet besnik edhe kryeredaktori i saj, Esad Mekuli.
Esad Mekuli nëpërmjet revistës “Jeta e Re” u dha përkrahje krijuesve të rinj. Ai pareshtur, ditë e natë, vetëm në punë, kërkoi bashkëpunim, zbuloi talente, joshi bashkëpunëtorë, i frymëzoi, u ndihmoi, i këshilloi, i afirmoi. Për punën e tij të madhe u shpërblye me mirënjohjet më të larta dhe u dekorua me merita të jashtëzakonshme.
Akademik Esad Mekuli ka qenë kryetari i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ai punoi me përkushtim për Enciklopedinë e Jugosllavisë – redaksia e botimit në gjuhën shqipe.
Fillimet letrare të Esad Mekulit tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një krijues të rrallë të letërsisë shqipe. Atdheu, vendlindja, vatra shqiptare, populli, gjuha shqipe, Kosova dhe Shqipëria, qytetërimi shqiptar dhe ai botëror, etnosi dhe në veçanti njeriu, liria e tij kombëtare dhe sociale, poezia dhe artet, bukuria, dashuria dhe lumturia, drita dhe dielli, dheu dhe qielli, prindi, nëna dhe fëmija, lufta dhe ngadhënjimi, mendimi dhe gjykimi, jeta, besimi dhe qëndresa, guximi krijues, dituria dhe krijimtaria letrare, janë tema dhe motive të poezisë së shkrimtarit eminent të letërsisë bashkëkohore shqipe. Në kuadër më të gjerë të artit të tij poetik, me përmbajtjen e pasur, me gjuhën e figurshme dhe me mjeshtërinë artistike të krijuesit të talentuar dhe të përkushtuar, sendërtoi një opus poetik origjinal me vlerë të lartë ideore dhe artistike dhe ndikoi fuqishëm në zhvillimin e letërsisë.
Jo rastësisht, në ndjenjat dhe në botëkuptimin, në vetëdijen dhe në parafytyrimin e lexuesit të përhershëm të sotëm dhe të djeshëm, e pa dyshim edhe në ndërgjegjen e lexuesit të nesërm, emri i Esad Mekulit dhe veprat e tij poetike, vihen në lidhje organike me atë që solli revolucioni ynë popullor. Pranë saj emri i Esad Mekulit përjetohet si poeti i masës së zier popullore. Ai dhe veprat e tij poetike janë mishërim i pashkoqur i rritës sonë shpirtërore, kulturore, arsimore e shoqërore.
Nga e gjithë kjo, pa dyshim, rrjedh bindja por edhe përfundimi, se Esad Mekuli (Sat Nokshiqi, Sat Hoxha) është poet i dashur dhe i adhuruar nga të gjitha shtresat e lexuesve, nga shkrimtarët tanë të moshuar e të rinj. Si krijues është identifikuar me popullin. Me idetë përparimtare, të shfaqura në veprat letrare, është afirmuar si shkrimtar humanitar. Ai me të drejtë është quajtur “pishtar për liri”, “asht ndër eshtra të regjura”, “njeri i urtë”, “fjalë e burrërisë” etj.
Veprat poetike të Esad Mekulit paraqesin një mozaik të bukur motivesh e temash të trajtuara me mjeshtëri artistike. Jeta, me të gjitha baticat dhe zbaticat e saj, ka qenë për poetin frymëzim i fuqishëm në tërë procesin krijues, ndërsa vepra letrare artistike ka gërshetuar të gjitha ato elemente që sajojnë autobiografinë e popullit të cilit ia ka kushtuar veprimtarinë letrare.
Duke lexuar kujtimet e Esad Mekulit, krijimtarinë e tij letrare artistike në tërësi, shkrimet për letërsinë, për artet dhe kulturën, reagimet për ngjarjet e ndryshme të jetës politike dhe shoqërore, arrihet në përfundimin se për të Kosova ka qenë gjithherë preokupim i madh jetësor, por edhe frymëzim poetik.
Përndryshe, Esad Mekuli ka merita shumë të mëdha për organizimin e jetës letrare dhe shkencore në Kosovë. Është nxitës dhe redaktor shumëvjeçar i revistës letrare “Jeta e Re” dhe i revistës shkencore “Bioteknika”. Është laureat i Shpërblimit të Dhjetorit, pastaj të AVNOJ-it (KAÇKJ-së) për letërsi në vitin 1971 dhe i shumë çmimeve tjera. Është përfaqësuesi më i spikatur i poezisë sociale dhe patriotike te ne. Botoi dhjetë vëllime me poezi, pesë prej të cilave në gjuhën shqipe: “Për ty” (1955), “Dija e re” (1966), “Avsha Ada” (1971), “Vjersha” (1973) dhe “Brigjet” (1981), tri në gjuhën serbokroate: “Na putu” (1964), “Između voleti i mrzeti” (1976) dhe “Glasovi vremena” (1974), në gjuhën maqedone “Pesni” (1975) dhe në gjuhën turke “Zgjedhje poezish” (1981).
Esad Mekuli ka përpiluar e botuar shumë antologji e panorama poezish shqiptare në gjuhën serbokroate, po ashtu ka përkthyer më se njëqind vepra nga letërsia e popujve të ish-Jugosllavisë në gjuhën shqipe dhe nga letërsia shqipe në gjuhën serbokroate. Ka botuar mbi 20 punime shkencore në revistat e vendit dhe në botën e jashtme. Është bashkautor i monografisë “Mikroorganizmat anaerbotikë” dhe i “Kontributi i njohjes së piroplazmozave të kafshëve shtëpiake në Kosovë”.
Ka qenë anëtar i pesë akademive të shkencave dhe arteve në qytetet e ish-Jugosllavisë.
Në fund të këtij portreti, pa ngurim theksojmë se është për gjykim fakti që asnjë institucion në komunën e Plavës – qytetin e tij të lindjes, nuk mban emrin e poetit Esad Mekuli.

Të fundit

më të lexuarat