
Për të shkruar dhe evokuar përvoja, kujtime dhe përjetime për personat dhe figurat e shquara kombëtare shqiptare që kanë bërë emër dhe janë në zë të pashuar, duke lënë gjurmë të pashlyera në veprimtaritë e veta krijuese në fusha të ndryshme – kulturë, art, muzikë, sport etj., numri i të cilëve vërtet është i madh, duhet përkushtim dhe angazhim i gjithanshëm. E ndër ato që me aktivitetet e veta profesionale u shquan dhe u bënë figura të denja, të paepura dhe të mirënjohura në skenën kombëtare, është këngëtarja Nexhmije Pagarusha.
U lind më 7 maj 1933, në Pagarushë, dhe vdiq më 7 shkurt 2020, në moshën 87-vjeçare në Prishtinë, ku dhe u varros me nderimet më të larta familjare dhe kombëtare.
Ajo ishte një nga figurat më të mëdha të kulturës shqiptare dhe aktore e shquar, e njohur dhe e respektuar gjerësisht si “ikona e muzikës shqiptare”.
Veprimtaria e saj artistike, që zgjati mbi katër dekada, ishte jashtëzakonisht e pasur dhe e larmishme. Zëri i saj unik dhe interpretimi i veçantë e bënë të dalluar si në muzikën popullore, ashtu edhe në atë të kultivuar dhe operistike. Pagarusha arriti të ndërthurë traditën me artin modern, duke krijuar një stil të veçantë që mbetet i papërsëritshëm në historinë e muzikës shqiptare.
Studimet për solo-kanto i nisi në Beograd, ku edhe pati paraqitjet e para në skenë. Në vitin 1948 u pranua soliste në Radio Prishtina, duke filluar kështu një rrugëtim artistik që do ta shndërronte në ikonë të muzikës shqiptare. Ajo bashkëpunoi me artistë të shumtë nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe u paraqit në skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe vende të tjera evropiane.
Një nga kryeveprat e saj mbetet kënga “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti, guciani Rexho Milliqi (1923-1982, i varrosur në vendlindje – Guci), me tekst të poetit Rifat Kukaj, një interpretim që u kthye në simbol të artit të saj duke u nderuar me titullin “Bilbili i Kosovës”.
Përveç muzikës popullore, Nexhmije Pagarusha interpretoi edhe vepra të muzikës klasike nga kompozitorë botërorë, si Beethoven, Puccini dhe Verdi, në një koncert të veçantë që mbetet historik, ndonëse fatkeqësisht nuk u regjistrua.
Gjatë karrierës së saj mendohet se ka interpretuar mbi 150 këngë. Karrierën muzikore e përmbylli në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë. Pas një mungese të gjatë nga skena, u rikthye në vitin 2000 me këngën “Për ty”, duke emocionuar publikun edhe një herë me madhështinë e zërit të saj.
Nexhmije Pagarusha kontribuoi edhe si aktore në film dhe teatër, ndërsa më vonë shërbeu si këshilltare për muzikë në Radio Kosovë dhe Radio Blue Sky. Në vitin 2018 u nderua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nexhmije Pagarusha mbetet një simbol i artit shqiptar, një zë që i dha shpirt muzikës dhe që vazhdon të jetojë në kujtesën kulturore shqiptare. Me 40 vite karrierë artistike dhe një repertor prej 150 këngësh, e sjellin atë ndër ne si një domethënie e vlerave shpirtërore, e këngës shqipe, e ambrozit të ëndjeve të hyjshme që ushqen kumbimi nëpër kohë i këtij zëri.
Nexhmije Pagarusha nuk ishte thjesht një këngëtare. Ajo ishte zë. Ishte epokë. Ishte ndjenjë e kthyer në melodi. Zëri i saj vinte si buri mali i pastër, i thellë, i qetë, por i fuqishëm. Në çdo interpretim mbante mall, krenari dhe elegancë. Kur këndonte Nexhmija, kënga nuk dëgjohej, vetëm ndihej. Ishte një zë i rrallë që u bë simbol i shpirtit dhe ndjenjës shqiptare. E quajtën “Bilbili i këngës shqiptare”, sepse zëri i saj kishte dritë dhe lartësi. E quajtën “Zëri i shekullit”, sepse askush tjetër nuk arriti ta përfaqësojë shpirtin shqiptar me aq fisnikëri dhe dinjitet. Nga “Bareshë” te “Xhamadani shqiptar”, nga kënga qytetare tek ajo burimore, ajo u bë simbol i identitetit tonë kulturor.
Nexhmije Pagarusha nuk i përket vetëm së shkuarës. Ajo jeton në çdo këngë që na drithëron, në çdo kujtim që na bashkon, në çdo zë që kërkon të jetë i vërtetë. Sepse legjendat nuk harrohen.
Para gjashtë vitesh do të këputej në eterin e atij adhurimi, Nexhmije Pagarusha, zëri i magjishëm që magjepsi me këngën shqiptare, këtë traditë, në themelet e së cilës do të ngrihej një tempull i lartë i thesarit tonë kombëtar: “Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e këngës shqipe”, “Primadona e melosit popullor”, “Ema Sumak shqiptare”, “Madame Butterfly”, “Fyti i kristaltë” dhe një mori epitetesh vlerësuese që e personifikojnë atë.
Është ky piedestal mirënjohjeje, është ky panteon nderimi, ku qëndron këngëtarja Nexhmije Pagarusha, fenomeni multidimensional e i papërsëritshëm. Kënga e saj është religjion, besim, art, përjetshmëri që ngjall shpresën dhe lartëson triumfet.
Zëri i Nexhmije Pagarushës mbetet një thesar kombëtar, një kujtim i gjallë që vazhdon të prekë zemrat edhe sot.
I përjetshëm qoftë kujtimi i saj!
Zëri i saj do të jetojë sa të ketë shpirt kjo tokë.
