Masakra e Tivarit, e cila ndodhi në muajt mars-prill 1945, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, shpërfaq në brendësinë e saj dy anët kontradiktore të njeriut (njerëzimit): në njërën anë – mizorinë, egërsinë dhe vetitë më të errëta të njeriut, kurse në anën tjetër – pjesën njerëzore, humane të njeriut.
Me dhjetëra janë rastet e familjeve nga Ana e Malit, Kraja, Tivari etj. të cilat i kanë strehuar të mbijetuarit nga kjo masakër, duke ua shpëtuar atyre jetën.
Njëra prej familjeve që i kanë strehuar të mbijetuarit e Masakrës së Tivarit është familja Muja nga fshati Ftjan i Krajës. Njëri prej pasardhësve të kësaj familjeje – piktori, përkthyesi dhe kritiku Qazim Muja i ka të freskëta kujtimet dhe rrëfimet e përcjella brez pas brezi nga të parët e tij mbi strehimin e katër të të mbijetuarve nga Masakra e Tivarit, në mesin e të cilëve ishte Rexhep Selmani nga Bllaca e Therandës (Suharekës).
Pasi që kishte ndodhur masakra, ata kishin marrë arratinë drejt Malit të Rumisë, andej nga Shpella e Kuqe (Crvena stijena) dhe Përroi i Keq (Zli potok) për të gjetur shpëtimin në fshatrat e Krajës.
Por gjatë udhës, në ikje e sipër, mbi Tivarin e Vjetër, pikërisht afër Kroit të Bushtrës, kishin përjetuar sulme të tjera nga disa banorë vendas, me ç’rast ishte vrarë nipi i Rexhep Selmanit, një djalë shumë i ri.
“Hoqa shokën dhe e mbulova”, kujton Muja, edhe pse në atë kohë tepër i ri, fjalët e Rexhep Selmanit, i cili kishte ardhur për t’i vizituar shpëtimtarët e vet në Ftjan të Krajës.
Pasi që e kishte varrosur provizorisht nipin, bashkë me shokët e mbijetuar kishin vazhduar kah Me Shkalls (Shkalla e Bardhë) dhe kishin dalë në anën e Krajës.
“Gjithnjë sipas bisedës së Rexhep Selmanit, në mal (diku atje mbi Pinç) kishin takuar një bari vendas dhe e kishin pyetur se kah duhet të shkonin për të arritur diku ku mund të kërkonin strehim. Bariu u kishte thënë: ecni drejt, por mos ndaloni në fshatin e parë (është fjala për Briskun Nalt), por vazhdoni rrugën dhe në fshatin tjetër me radhë (që është Ftjani), aty do të gjeni strehim, sepse është fshat i njohur për mikpritje dhe besë”, vazhdon rrëfimin e tij Muja, bazuar në atë që kishte dëgjuar nga i mbijetuari Rexhep Selmani.
Kështu ata vazhduan dhe mbërritën te xhamia e Ftjanit, në qendër të fshatit. E para që i kishte takuar ata ishte Hatixhe (Tixhe) Maraj, bashkëshortja e Sadik Marajt.
“Në dorën tënde, loke”, i kishin thënë.
Ajo i ka marrë në shtëpi, i kishte ushqyer, por në mungesë të kushteve i ishin drejtuar familjes Muja (ku në një vatër jetonin katër vëllezër: Smajli, Kasemi, Osmani dhe Saiti), si më e fuqishme materialisht, kuptohet në kushtet e fshatit dhe të kohës.
Kjo familje i kishte mbajtur për rreth tre muaj, duke i strehuar në mal, në tëbana ku familja Muja dilte gjatë verës me bagëti.
“Atje babai im, Halil Muja, që atëherë ka qenë djalosh i ri (i lindur më 1926), ua ka çuar ushqimin rregullisht, kuptohet duke pasur gjithmonë kujdes nga pushteti dhe nga disa njerëz të caktuar, sepse po t’i zbulonin do të kishin pasoja të rënda të dyja palët”, tregon Muja.
Por edhe këtu ekzistonte rreziku i zbulimit, sepse policia dhe ushtria nganjëherë i kontrollonin tëbanat, prandaj katër të shpëtuarit ishit të detyruar që shpesh të strehoeshin në një shpellë, e cila ishte në afërsi të tëbanave të familjes Muja në mal.
Pas përafërsisht tre muajsh strehim, me kërkesën e tyre (të të mbijetuarve), pjesëtarët e familjes Muja së bashku me disa njerëz nga fshati, kishin paguar një njeri nga Brisku Poshtë duke e kompensuar me duhan në vend të parave, për t’i qitur me sul matanë Liqenit të Shkodrës.
Por peripecia e katër të mbijetuarve nga Masakra e Tivarit nuk kishte përfunduar me kaq, sepse gjatë udhëtimit i kishin zbuluar dhe arrestuar.
“Nga biseda e mëvonshme e Rexhep Selmanit mësuam se gjatë udhëtimit për në Kosovë, njëri nga ata, ai më i riu, kishte kërkuar ujë në një shtëpi dhe pas kësaj kishin qenë të spiunuar. I kishin kapur dhe sjellë përsëri në burg në Cetinë…, por nuk kishin qenë të keqtrajtuar dhe pastaj i kanë përcjellë drejt Kosovës”, përfundon rrëfimin e tij Qazim Muja.
Shembulli i familjes Muja dhe i familjeve të tjera që kanë strehuar të mbijetuarit nga Masakra e Tivarit tregon jo vetëm për një akt humanizmi, por edhe heroizmi, sepse ata që i strehonin të mbijetuarit rrezikonin familjet e tyre pasi që konsideroheshin armiq të shtetit dhe përndiqeshin nga organet shtetërore. i. k.
Shënim: Ftojmë të gjithë lexuesit që dinë raste të strehimit të të mbijetuarve të Masakrës së Tivarit, të ndajnë për gazetën tonë kujtimet dhe rrëfimet e tyre!
Gjaku që nuk humb
Secila ngjarje, aq më tepër një ngjarje si kjo, të lë histori që gjithmonë do të bisedohen gjithandej.
Qazim Muja kujton se në bisedë spontane me babanë e tij (Halilin), kishte dëgjuar diçka që edhe tani i tingëllon si rrëfim për një prozë interesante.
“Më thotë baba: Është interesant si nuk humbet gjaku.
- Pse, – i thashë.
Tha: Të kujtohet kur ai Rexhepi bisedonte për vrasjen e nipit të tij. Kam shkuar në bazë të bisedës dhe përshkrimit të tij në atë përroin te Kroni i Bushtrës dhe e kam gjetur varrin e nipit të tij. Atë gurin te koka, as përroi nuk e kishte dëmtuar, edhe pse aty, pas shirave ai përrua bëhet tepër i rrëmbyeshëm. Kuptohet, askush, kurrë nuk ka ardhur të shohë dhe të interesohet për atë varr…”
