Një mendim ndryshe kundrejt historiografisë sonë kombëtare

Deri më tani ka mbisunduar vlerësimi se vetëm rilindësit tanë (shek. XVIII-XIX) vunë themelet e mendimit kombëtar shqiptar, duke anashkaluar kështu paraardhësit e tyre të denjë, treshin intelektual - Marin Beçikemi, Dhimitër Frangu dhe Marin Barleti, me diskursin kombëtar të të cilëve autori e shtyn kufirin e mendimit nacional ndër shqiptarët për rreth treqind vjet më përpara (në shekullin XV), duke na renditur me kombet e zhvilluara evropiane

Nikollë Berishaj

Në fillim të prillit, gati katër vite më parë, autori, në faqen e tij kishte publikuar linkun (vegzën) për punimin e tij të magjistraturës në Universitetin e Zagrebit. Më 4 prill 2022, pas leximit të punimit, në faqen time bëra postimin: “Kënaqësi e madhe gjatë leximit të tezës së magjistraturës së intelektualit të ri malësor, Albert Bikaj ‘Nacionalni diskurs albanskih humanista krajem 15. i početkom 16. stoljeća” / Diskursi nacional i humanistëve shqiptarë në fund të shekullit 15 dhe fillim të shekullit 16/, mbrojtur në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, më 2021. Punim me taban, mendje të ftohtë dhe arsyetim shkencor i bazuar në një bibliografi mbresëlënëse që nga latinishtja, italishtja, shqipja, kroatishtja, anglishtja, gjermanishtja…”
Vijon një fjali që do ta cek më vonë gjatë vështrimit tim për librin e që është shumë me vlerë, jo vetëm për mua, por, sipas meje edhe për shkencën shqiptare në përgjithësi.
Libri “Zanafilla e mendimit kombëtar – Diskursi i humanistëve arbënorë përgjatë renesancës” është po ai punim, gjithsesi i zgjeruar dhe i rishikuar, i Albert Bikajt, kësaj here i sjellë në duart e lexuesit shqiptar, me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, botuar nga Botimet Koliqi – Prishtinë. Në libër autori na sjell një mendim ndryshe nga ato që jemi mësuar t’i hasim në historiografinë tonë kombëtare. Deri më tani ka mbisunduar vlerësimi se vetëm rilindësit tanë (shek. XVIII-XIX) vunë themelet e mendimit kombëtar shqiptar, duke anashkaluar kështu paraardhësit e tyre të denjë, treshin intelektual – Marin Beçikemi, Dhimitër Frangu dhe Marin Barleti, me diskursin kombëtar të të cilëve autori e shtyn kufirin e mendimit nacional ndër shqiptarët për rreth treqind vjet më përpara (në shekullin XV), duke na renditur me kombet e zhvilluara evropiane. Autori mbështetet në mendimet e medievistëve të hershëm, e para së gjithash ato të Hirschit, që duke u “mbështetur në burime të antikës e mesjetës së vonshme, argumenton se nacionalizmi nuk u zhvillua në mënyrë dinamike në shekullin XVIII, siç pretendojnë modernistët, por… që nga Roma e lashtë e deri te humanistët e shekullit XV”.
Paraqitjen e nacionalizmit e shënon kalimi i mbretit francez në atdheun e tij të parë – Francën, pasi deri atëherë Roma merrej si atdhe i të gjithë të krishterëve.
Përkufizimin e parë mbi kombin e hasim në Koncilin e Konstancës, më 1414, prej të cilit del se kombin e përcaktojnë: Regnum, lingua et mores, pra mbretëria (gjegjësisht territori ose origjina), gjuha dhe tradita.
Shembujt e parë të (nacionalistëve) humanistëve i takojmë te humanistët italianë, që me çdo kusht dëshironin të paraqiteshin si vazhdues të Perandorisë Romake me mendimet e tyre përjashtuese, se të gjitha kombet e tjera janë kombe barbare. Atyre u kundërvihen humanistët francezë duke provuar avangardën e tyre (polemika Zhan de Hesdin vs F. Petrarca) e më vonë edhe ata gjermanë, që si adut të mosqenies barbarë e imponojnë Gutenbergun, shpikësin e shtypshkronjës së parë. Kësaj ideje nuk i rri larg as treshi ynë me veprat e tyre që dëshirojnë në çdo mënyrë të lidhin trashëgiminë e qyteteve epirote me perandoritë e famshme antike dhe të mesjetës, si në shembullin e Shkodrës, Durrësit, Krujës, Drishtit (për Shkodrën Barleti i jep tri teori mbi themelimin e saj: që nga ajo se themelues është Aleksandri i Madh, përkrye asaj se themelues është princi epirot Gjoni, deri tek e treta që bazohet në legjendën e dy motrave, emrat e të cilave janë ndërthurur në emrin e kalasë së Rozafatit).
Për të tre humanistët arbërorë strumbullari i kombit dhe i idesë kombëtare është kryetrimi arbënor Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili me të bëmat e tij luftarake, me Besëlidhjen e Lezhës (1443) dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar iu kundërvu perandorisë më të madhe të kohës, më se një çerekshekulli, u njoh nga të gjithë prijësit e mbretërive si mbrojtësi i Evropës së krishterë para sulmeve otomane. Të qenit bashkëkohës dhe bashkëluftëtarë të tij, siç është rasti i Dhimitër Frangut nga Drishti, nipit të Pal Engjëllit, gjegjësisht kohësisht të afërt me Atin e Kombit (Marin Barleti dhe Marin Beçikemi, të dy nga Shkodra), dëshironin ta ngrinin heroin shqiptar në vendin e merituar të historisë evropiane, duke e ngritur edhe atdheun e tyre në rrafshin e kombeve të përparuara të kohës. Për të tre humanistët tanë, shkrimi për kombin dhe mëmëdheun ishte çështje e obligimit njerëzor. Ndonëse, si për të gjithë oratorët e kombit, imazhet i kishin të idealizuara, por gjithsesi në shërbim të tij.
Fatkeqësisht, historiografia shqiptare, veçanërisht gjatë regjimit enverist nxori nga veprat e treshit ato që i përshtateshin mendësisë së kohës, krijuan te ne imazhin mbi izolimin e kryetrimit tonë kombëtar (duke aluduar në izolimin e shtetit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX).
Por, kjo nuk është gjëja e vetme që na është imponuar nga koha e njëmendësisë komuniste shqiptare. Edhe sot, ndërsa festojmë 7 Marsin si Ditën e Mësuesit (që përkujton “shkollën e parë shqipe” në Korçë, më 1887), autori na përkujton se në kuadër të organizimit të pakicave në Republikën e Venedikut, arbrit (shqiptarët, pra!) janë të parët ballkanas që krijojnë vëllazërinë, gjegjësisht shkollën e vet – Scuola degli Albanesi, më 1442, apo Scuola de Santa Maria e San Galo deli Albanesi, e pas tyre i krijuan edhe kroatët dhe grekët. Ose, për ne këtu shembulli i Shkollës së parë në Priftën – Tuz, më 1643 (kuptohet në kuadër të Misionit Françeskan.)
Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe rënies së qyteteve kryesore shqiptare, si Kruja, Drishti… si dhe dorëzimit të Shkodrës pas paqes së Venedikut me otomanët, popullsia mbeti e pambrojtur. Me mundësinë e zgjedhjes – ose të mbeteshin robër ose ta braktisnin atdheun. Shumë prej sish zgjodhën të dytën. Shpërngulja masive e shqiptarëve nga Shkodra, Durrësi, Ulqini, Tivari, Drishti… përfshiu edhe shumë familje aristokrate shqiptare, bijtë e të cilave vijuan shkollimin në universitetet e njohura të kohës, duke mbuluar më vonë edhe pozita të larta shoqërore dhe fetare. Këtu e ka zanafillën edhe ideja e diasporës shqiptare si çerdhe e mendimit dhe shkrimit shqip për tërë historinë që pason deri në ditët e sotme.
T’i kthehem tani fjalisë nga postimi im, për të cilën thashë se do ta cek gjatë vështrimit. Atëbotë shkrova: “Një risi (ndoshta vetëm për mua!) në studimet shqiptare, përdorimi i imagologjisë” si metodë e reflektimit dhe shkrimit.
Imazhologjia si metodë studimi është qasje kritike dhe analitike e zhvilluar në kuadër të letërsisë krahasuese të shekullit XX. Kryesisht paraqitet në tri mundësi: autoperceptimit (Si e perceptojmë veten?), heteroperceptimit (Si i perceptojmë të tjerët?) dhe metaperceptimit (Si na perceptojnë të tjerët?)”.
Gjatë shtjellimit të veprës, autori Albert Bikaj i përdor mjeshtërisht të tri mundësitë e imazhologjisë, duke u bazuar në shembuj tipikë. Sa i përket imazhit të kombit, autori ndalet në studimin e tre përcaktuesve kryesorë:

  • Mitin e origjinës dhe territorit,
  • Heroin kombëtar, dhe
  • Qytetin si locus amsenus kombëtar.
    Për mitin e origjinës autori jep këndvështrimin e autoperceptimit dhe të metaperceptimit, duke përdorur shembuj të perceptimit për vetveten, si: “Ata s’i tremben asgjëje; për ta është nder i madh të flijojnë jetën për atdheun, sepse këtë e konsiderojnë lavdi të vërtetë dhe të sigurt” (Barleti për ushtarët arbër), gjegjësisht të perceptimit të të tjerëve për ne (metaperceptimit), rastin e Ahmet Beut: “Ata janë të jashtëzakonshëm. Meritojnë të nderohen në mbarë botën, të lartësohen me nderime deri në qiell.”
    Pjesën kryesore të studimit mbi heroin kombëtar autori ia kushton kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Të tre autorët flasin për prejardhjen kombëtare të Skënderbeut, duke e cilësuar herë si arbër (Albanus), herë si epirotas, herë si princ i arbënorëve (Principes Albani) e herë si princ i Epirit (Epiri principes), që janë sinonime për shqiptarët. E lidhin prejardhjen e tij me Aleksandrin e Madh dhe Pirron. Idealizimit të pamjes së tij fizike dhe bëmave të tij luftarake i shkonte për shtat edhe fama që ai kishte fituar në mbarë Evropën si mbrojtës i saj dhe i krishterimit. E paraqesin si poliglot, që përpos gjuhës amtare zotëronte edhe pesë gjuhë të tjera. Si mishërim i Marsit, Perëndisë romake të luftës.
    Para vdekjes Gjergji caktoi argjipeshkvin e Durrësit, Pal Engjëllin, diplomatin e vet të shquar, për regjent dhe i la testament të birit. “Të nderosh Zotin dhe të mbrosh atdheun”.
    Përpos kryeheroit, autorët e quajnë edhe veten heronj të kombit, që luftojnë për komb, jo me armë por me penë.
    Sa i përket Qytetit si locus amsenus (vend i dashur) kombëtar, bie në sy metaperceptimi i sulltan Mehmet Pushtuesit (Fatih!) pas dështimit të rrethimit të dytë të Shkodrës: “O, sa i shkëlqyer dhe i lartë është ky vend që shqiponja e zgjodhi për të ndërtuar folenë ku do të rrisë të vegjlit e saj”, ose: “Osmanët e kishin kuptuar se Shkodra ishte qytet jashtëzakonisht fisnik… (ishte) rojtar, sy, mbrojtës dhe mburojë e gjithë mbretërisë; porta e detit Jon dhe Adriatik…”
    Dhe, të mos zgjatem! Libri “Zanafilla e mendimit kombëtar” i autorit Albert Bikaj duhet lexuar medoemos. Ai është studim i mirëfilltë me aparaturë të plotë shkencore, që nga burimet, literatura, fusnotat, indeksi i emrave dhe vendeve… Vetë parafjala në libër, e dhënë nga historiani i mirënjohur shqiptar, Prof. dr. Jahja Drançolli me vlerësimin se “Autori Albert Bikaj sjell për herë të parë një analizë të plotë dhe të argumentuar mbi rolin e humanistëve arbërorë në zhvillimin e mendimit kombëtar përgjatë Humanizmit dhe Renesancës”, thotë shumë.

(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në Tuz, më 1 mars 2026)

Të fundit

më të lexuarat