Thellim i njohurive mbi historinë e Shqipërisë Veriore

Libri “Shqipëria Veriore (1878-1918) dhe impakti i fuqive evropiane” përmbledh aktet e konferencës shkencore ndërkombëtare, të mbajtur në Shkodër më 18 tetor 2024 dhe përfshin punime të historianëve dhe studiuesve nga vende të ndryshme, të cilat shpalosin zhvillime politike, shoqërore dhe kulturore të Shqipërisë së Veriut në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX

Shoqata “Penda” në bashkëpunim me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Konsullatën e Nderit të Austrisë në Shkodër, organizoi të shtunën, më 28 mars 2026, në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, promovimin e librit “Shqipëria Veriore (1878-1918) dhe impakti i fuqive evropiane”.
Fillimisht, në prani të një numri të konsiderueshëm pjesëmarrësish, nga Shoqata “Penda”, e cila me këtë aktivitet bëri prezantimin e saj të parë publik, përshëndeti Sidorela Berishaj, nënkryetare e Shoqatës, e cila shpalosi misionin dhe synimet e saj.
“Shoqata ‘Penda’ është një organizatë joqeveritare, një hapësirë e krijuar për të ruajtur, promovuar e zhvilluar kulturën, historinë, artin, shkencën, gjuhësinë dhe letërsinë. Në një botë që ndryshon me shpejtësi, ne besojmë se kultura është rrënja që na mban të lidhur me të kaluarën dhe na udhëheq drejt së ardhmes”, tha ajo.
Berishaj shtoi se misioni i Shoqatës është të kontribuojë në edukimin dhe pasurimin kulturor të shoqërisë përmes aktiviteteve që mbështesin kërkimin shkencor, promovimin e artit dhe ruajtjen e trashëgimisë historike, letrare dhe gjuhësore.
Me këtë rast ajo njoftoi se Shoqata “Penda” është themeluar më 5 janar 2026 dhe se përbëhet nga nëntë anëtarë të brendshëm, si dhe anëtarë të tjerë të jashtëm.
Për librin folën Gjergj Leqejza, konsull i Nderit i Austrisë në Shkodër, Prof. Dr. Nertila Haxhia – Ljarja nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore në Shkodër, Dr. dom Nikë Ukgjini nga Instituti Filozofik dhe Teologjik në Shkodër, Prof. Dr. Adnan Prekiq nga Katedra e Historisë e Universitetit të Malit të Zi dhe historiani Mark Junçaj, njëherësh kryetar i Shoqatës “Penda”.
Në fjalën e tij, Leqejza theksoi se Ballkani, pjesë e të cilit është Shqipëria dhe kjo trevë, historikisht ka qenë shesh i konflikteve, pretendimeve e ndikimit të Fuqive të Mëdha, “duke filluar nga ajo e kohës romake e deri te fuqitë e vona e të sotme evropiane dhe më gjerë”.
“Dhe si rezultat i këtyre, kjo zonë vazhdon të jetë në një situatë ‘potenciale konfliktuale’, ku herë pas here dalin në pah problematika ndëretnike, religjioze e territoriale, që për mendimin tonë ndikojnë në cenimin e stabilitetit dhe të paqes ndërmjet vendeve e popujve tonë”, tha ai.
Konsulli austriak i Nderit u shpreh se, lidhur me këtë çështje, bashkë me Dr. Dom Nikë Ukgjinin dhe drejtuesit e Katedrës së Historisë të Universitetit të Shkodrës, organizuan një konferencë shkencore në të cilën u prezantuan referime të ndryshme nga studiues të vendeve të Ballkanit, bazuar, siç tha, në materiale ndoshta edhe të pabotuara deri atëherë, të interpretuara nga këndvështrime të ndryshme.
Në analizën e thelluar mbi interpretimin shqiptar të ndikimit evropian në Shqipërinë veriore 1878-1918, Prof. Dr. Nertila Haxhia – Ljarja theksoi se ky vëllim përfaqëson një përpjekje serioze për të rishikuar dhe për të rikonceptuar këtë periudhë në një këndvështrim më të gjerë dhe më të integruar.
Duke analizuar kumtesat e autorëve shqiptarë që kanë marrë pjesë në këtë konferencë, Ljarja vlerësoi se ato dëshmojnë për një nivel të konsoliduar të kërkimit shkencor në fushën e historisë moderne shqiptare.
Studiuesi Dr. dom Nikë Ukgjini, duke folur për konferencën shkencore ndërkombëtare të mbajtur në Shkodër, kumtesat e së cilës janë botuar në libër, tha se ato ishin një arenë argumentesh dhe kundërargumentesh shkencore nga studiues të fushës së historisë, të bashkuar nga tre nacionalitete që, siç tha, ishin faktorë përcaktues të ngjarjeve historike gjatë periudhës në fjalë.
“Në vitet e këtij shekulli të ri, kur historianët ulen të shkruajnë historinë e viteve nga Kongresi i Berlinit e deri tek ajo e Londrës apo Konferenca e Parisit, pa dyshim do të përqendroheshin te dy luftërat e mëdha ballkanike, të cilat kanë lënë gjurmë të paharruara sidomos në memorien e popullit shqiptar”, tha Ukgjini.
Ai ndër të tjera theksoi se mes kapitujve kushtuar këtyre ngjarjeve do të zënë vend pa dyshim ethet e luftës që kishin mbërthyer kombin shqiptar “dhe pasojat e tmerrshme politike, shoqërore, sociale, nacionale që ato lufta sollën, si pasojë e pushtimeve shumëshekullore osmane dhe vërsulja e fqinjëve tanë në grabitjen e trojeve tona stërgjyshore në prag të çlirimit të tyre nga Perandoria tashmë e shpartalluar turko-osmane”.
“Sidoqoftë, çdo përpjekje për të paraqitur pushtimin osman si periudhë e paqes dhe begatisë për shqiptarët, do të shihet si një miminizim i vuajtjeve të pashembullta të popullsisë vendase si dhe një mosrespektim për kujtesën historike të popullit shqiptar”, tha Dr. dom Nikë Ukgjini.
Ndërkaq, Prof. Dr. Adnan Prekiq, në kumtesën e tij “Një e kaluar, dy narrativa – historiografia malazezo-shqiptare, sfidat bashkëkohore”, theksoi ndër të tjera se historiografia malazeze dhe shqiptare ndajnë tema të përbashkëta, por nuk kanë dialog të ndërsjellë.
“Tema ‘Një e kaluar, dy narrativa’ hap një çështje të rëndësishme në kontekstin bashkëkohor në mes historiografisë malazeze dhe asaj shqiptare. Edhe pse këto dy tradita historiografike hulumtojnë ngjarje, hapësirë dhe procese historike të përbashkëta, në mes tyre çuditërisht ekziston një nivel i ulët i njohjes, dialogut dhe hulumtimit krahasues të ndërsjellë”, tha ai.
Hulumtimet krahasuese, shtoi Prekiq, janë të domosdoshme për identifikimin e ngjashmërive dhe dallimeve.
“Ky problem vërehet qartë në mënyrën se si interpretohet e kaluara e përbashkët, shpesh në mënyrë paralele por pa ndërthurje mes tyre. Ngjarjet, personalitetet dhe proceset që historikisht i kanë ndërlidhur hapësirat e Malit të Zi dhe Shqipërisë së sotme, nga dy historiografi trajtohen nga perspektivat, qasjet metodologjike dhe narrativat kombëtare të ndryshme”, tha Prekiq.
Ndërkohë, një analizë të detajuar të kumtesave, veçanërisht të atyre që kanë të bëjnë me Malësinë e Madhe e paraqiti historiani Mark Junçaj, njëherësh kryetar i Shoqatës “Penda”.
Ai tha se në këtë vëllim – përmbledhje të dymbëdhjetë kumtesave me autorë të ndryshëm nga Shqipëria, Kosova, Turqia dhe Mali i Zi, nga shqiptarët e Malit të Zi ka marrë pjesë studiuesi nga Ulqini, Nail Draga.
“Është një përmbledhje mjaft me interes për historinë shqiptare dhe një qasje nga disa këndvështrime për ngjarjet më turbulente të historisë kombëtare, që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe deri në fund të Luftës së Parë Botërore, pra të periudhës së luftës për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar dhe për mbijetesën e të njëjtit shtet”, tha Junçaj.
Referuesit, vijoi ai, “paraqesin kryesisht rolin dhe interesimin e Fuqive të Mëdha për tokat shqiptare, siç është fjala për Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Perandorinë Osmane, pastaj përkatësinë fetare, konvertimet me dhunë, sidomos gjatë Luftës së Parë Ballkanike, që kem rastin e Kosovës por dhe të Plavës dhe Gucisë dhe protektoratin austro-hungarez”.
Junçaj tha se libri përmban një punim të veçantë për shkollat shqipe në Mal të Zi.
Libri “Shqipëria Veriore (1878-1918) dhe impakti i fuqive evropiane” përmbledh aktet e konferencës shkencore ndërkombëtare, të mbajtur në Shkodër më 18 tetor 2024 dhe përfshin punime të historianëve dhe studiuesve nga vende të ndryshme, të cilat shpalosin zhvillime politike, shoqërore dhe kulturore të Shqipërisë së Veriut në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat