Një trashëgimi e përbashkët kulturore

E lindur rreth shekullit XVIII, kjo këngë u formua gradualisht brenda jetës qytetare të Shkodrës, duke u bërë pasqyrë e përjetimeve njerëzore, e gëzimeve dhe dhimbjeve, e dashurisë dhe mallëngjimit që shoqëruan breza të tërë. Ajo ka mbetur e lidhur ngushtë me shpirtin e njeriut dhe me jetën e përditshme, duke u kënduar në dasma, oda familjare, ahengje dhe festa. Në këtë mënyrë ka shërbyer si një formë komunikimi dhe bashkimi mes njerëzve

Haxhi Zeneli

Në mozaikun e pasur të trashëgimisë kulturore shqiptare, kënga popullore shkodrane zë një vend të veçantë dhe të pazëvendësueshëm. Ajo nuk është thjesht një formë artistike apo argëtimi, por një shprehje e thellë ndjenjash, kujtese kolektive dhe vazhdimësie shpirtërore.
E lindur rreth shekullit XVIII, kjo këngë u formua gradualisht brenda jetës qytetare të Shkodrës, duke u bërë pasqyrë e përjetimeve njerëzore, e gëzimeve dhe dhimbjeve, e dashurisë dhe mallëngjimit që shoqëruan breza të tërë. Gjatë rrugëtimit të saj historik, kjo traditë muzikore ka përballuar pushtime, ndarje territoriale dhe ndryshime politike e shoqërore, por ka ruajtur gjithmonë thelbin e vet. Ajo ka mbetur e lidhur ngushtë me shpirtin e njeriut dhe me jetën e përditshme, duke u kënduar në dasma, oda familjare, ahengje dhe festa. Në këtë mënyrë ka shërbyer si një formë komunikimi dhe bashkimi mes njerëzve.
Ndikimi i kësaj kënge nuk është kufizuar vetëm brenda qytetit të Shkodrës. Edhe pse qyteti e ruajti dhe e zhvilloi këtë traditë, ajo u krijua dhe u këndua në një hapësirë shumë më të gjerë kulturore, që përfshin Ulqinin, Tivarin si dhe treva përreth si Kraja, Ana e Malit dhe vendbanime të tjera shqiptare. Në këtë kuptim, kënga që sot identifikohet si “shkodrane” është fryt i një bashkëjetese të gjatë kulturore, ku kufijtë politikë të vendosur më vonë nuk arritën të shkëpusin lidhjet shpirtërore të popullsisë. Përkundrazi, ajo u bë ura që ruajti unitetin kulturor dhe kombëtar të trevave tona.
Një moment i rëndësishëm historik që ndikoi drejtpërdrejt në jetën shoqërore dhe kulturore të Shkodrës ishte Kongresi i Berlinit. Ky akt i copëtoi tokat shqiptare dhe ndau padrejtësisht vëllezër të një gjaku nga i njëjti trung, duke lënë shumë krahina nën pushtimin sllav. Si pasojë, një numër i madh banorësh u detyruan të braktisnin trojet e tyre dhe të vendoseshin në Shkodër. Kështu, qyteti u shndërrua në një qendër të rëndësishme të krijimtarisë dhe të jetës kulturore, ku u bashkuan njerëz që ushqenin pasionin për artin dhe për këngën qytetare. Këta njerëz, ndonëse të zhvendosur jo me dëshirën e tyre, nuk i humbën rrënjët. Për të ruajtur rrënjët me vendlindjen, ata shpesh morën mbiemra që i lidhnin drejtpërdrejt me krahinat nga kishin ardhur. Në të njëjtën kohë, ata u bënë kontribues të denjë dhe aktivë në jetën kulturore të Shkodrës, veçanërisht në zhvillimin e këngës qytetare dhe të ahengut shkodran. Krijuesit e kësaj kënge nuk ishin institucione apo akademi, por njerëz të thjeshtë – artistë popullorë të profesioneve të ndryshme, sidomos zejtarë. Ata ishin këpucarë, farkëtarë, tregtarë dhe mjeshtër zanatesh; kishte edhe emigrantë që, pas disa vitesh, u kthyen në Shkodër, por me një ndjenjë të lindur për muzikën dhe poezinë. Nga kjo shtresë lindën këngë që u përhapën në të gjithë trevën. Nga ky kontribut dallohen edhe banorët e ish-krahinës së Krajës, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm dhe identifikohen shpesh përmes mbiemrave që ruajnë trashëgiminë e tyre. Një shembull i shquar është sopranoja e njohur Marie Kraja, e cila kontribuoi në ruajtjen e shumë këngëve tradicionale të këtyre trevave. Po ashtu, Mark Kraja, i njohur edhe si “Marku i Kranjanes”, ishte një këngëtar i respektuar i kohës së tij. Ai bashkëpunoi me grupin e Kasem Xhurrit (grup i njohur për kohën), i cili u kthye nga Izmiri, duke i dhënë zë këngës së Oso Kukës, që e këndoi edhe në praninë e Krajl Nikollës, e krijuar nga Zenel Maha. Mark Kraja na la edhe këngën “Sillet moti për së mbarit” dhe shumë të tjera, ndërkohë që luajti një rol të rëndësishëm si reformator i ahengut shkodran.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe Gjon Kraja me këngën “Iptida du me fillue”, si dhe shumë figura të tjera, si Xhevat Ulqinaku, familja Beci, nga ku doli kënga ”Metelikun ta kam falë”, por edhe shumë krijues të tjerë që dhanë një kontribut të çmuar në pasurimin dhe konsolidimin e repertorit qytetar shkodran. Ky proces dëshmon se kjo këngë është rezultat i një krijimtarie kolektive, të ndërtuar mbi përvojën e jetës së komunitetit.
Një element i rëndësishëm që e ka forcuar këtë bashkësi kulturore është edhe gjuha e përbashkët. Dialekti i përdorur në këto këngë nuk ndryshon nga një trevë në tjetrën brenda kësaj hapësire, duke i bërë ato të përbashkëta për të gjitha trevat. Prandaj është e vështirë të ndahen në lokalitete këto këngë, siç pretendojnë disa sot, sepse afërsia gjuhësore dhe dialekti nuk na lejon, pëkundrazi ajo e bën këtë këngë një pronë shpirtërore të përbashkët. Janë këngë të vjetra në kohë, por gjithmonë të reja në ndjesi.
Jetëgjatësia e këtyre këngëve nuk është rastësi. Ato janë ruajtur sepse populli i ka ndier thellë, i ka kënduar me shpirt dhe i ka trashëguar me kujdes nga brezi në brez. Shumica e tyre nuk janë ruajtur në arkiva të shkruara, por në kujtesën kolektive të popullit. Prandaj, në këtë kuptim, ato janë dokumente të gjalla të historisë sonë kulturore kombëtare.
Sot, përballë ndryshimeve të shpejta shoqërore dhe ndikimeve të reja kulturore, ruajtja e kësaj trashëgimie kërkon një përgjegjësi të veçantë më shumë se kurrë. Artistët dhe brezat që vijnë duhen jo vetëm ta interpretojnë dhe ta ruajnë, por edhe ta pasurojnë me krijime të reja të frymëzuara nga baza e traditës. Krijimi i ri nuk duhet parë si kundërshtim i traditës, por si vazhdimësi e realitetit që jetojmë. Vetëm në këtë mënyrë kjo këngë nuk do të mbetet një kujtim i së shkuarës, por do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e jetës kulturore, duke dëshmuar se muzika nuk është vetëm argëtim, por identitet që tregon histori.
Kënga popullore shkodrane është më shumë se një kapitull në historinë e muzikës shqiptare. Prandaj ruajtja, studimi dhe përcjellja e saj ndër breza janë një detyrë kulturore kombëtare dhe morale, që në të ardhmen garanton vazhdimësinë e identitetit tonë muzikor.

Të fundit

më të lexuarat