Shkodër – Në kuadër të një cikli të takimeve publike të organizuara nga Galeria e Arteve – Shkodër me temë “Artisti dhe ndikimi i tij në trashëgiminë kulturore arkitektonike”, të enjten (5 mars 2026) në mjediset e saj është organizuar takimi me arkitektin Korab Kraja, i cili për auditorin ka paraqitur një prezantim të peizazhit kulturor dhe arkitekturës vernakulare të Krajës, me fokus të posaçëm në marrëdhëniet e Krajës me Shkodrën dhe ndikimet në fushën e arkitekturës.
Arkitekti ka thënë se prezantimi i tij ka për qëllim të definojë peizazhin kulturor, arkitekturën vernakulare, pra arkitekturën burimore e cila ka lindur nga populli, është shfrytëzuar nga ata, si dhe elementet e veçanta, qofshin ato prurje nga Shkodra apo ndikime të drejtpërdrejta nga populli, të cilat janë quajtur ndërtime të arkitekturës krajane.
Në hyrje të prezantimit, Kraja ka folur për pozitën gjeografike dhe historike të trevës së Krajës, që ka qenë përcaktues dhe ka pasur ndikim në peizazhin e saj kulturor.
“E gjendur ndërmjet tri zonave të mëdha kulturore dhe historike, pra ndërmjet Shkodrës, Ulqinit dhe Tivarit, treva e Krajës pashmangshëm që ka pasur edhe marrëdhënie dhe shkëmbime kulturore me këto tri qendra të mëdha. Sidomos është e njohur lidhja e drejtpërdrejtë me Shkodrën, si qendër e madhe urbane dhe historike”, ka thënë ai, duke shpjeguar se sa më afër Shkodrës që shtriheshin vendbanimet në Krajë, ndikimi i saj në Krajë ishte më i madh.
Ai po ashtu ka theksuar se duke qenë se banorët e Krajës merreshin kryesisht me bujqësi dhe blegtori, edhe mënyra e jetesës së tyre ishte e fokusuar më tepër kah aspekti fshatar i banimit.
Duke folur për vlerat kulturore, arkitekti Kraja ka thënë se ato mund të ndahen në disa kategori kryesore.
“Kemi vlerat historike – që ndahen në figura historike dhe ndërtime historike. Për shembull, te figurat historike, mbase një ndër figurat më të rëndësishme historike të kësaj treve është Gjon Vladimiri, ku sipas një shkrimi të Ernest Koliqit, populli i Krajës Gjon Vladimirin e konsideroi si prijës të Krajës”, ka pohuar ai.
Sa i përket arkitekturës së Krajës, sipas arkitektit ajo mund të ndahet në disa kategori.
“Kemi ndërtesat profane, ndërtesat sakrale dhe peizazhet kulturore. Ato mund të ndahen në ndërtime njëqelizore: shtëpitë, ndërtimet ndihmëse siç janë kasollet, ublat, lëmet. Te ndërtesat sakrale kemi kishat, manastiret dhe xhamitë. Te peizazhet kulturore kemi komplekset e banimit dhe lagjet”, ka thënë ai, duke folur në mënyrë të detajuar për karakteristikat e secilit prej tyre.
Në vazhdim të prezantimit së tij, arkitekti Korab Kraja, pasi që ka shpalosur potencialin kulturor-historik që ka Kraja, është përqendruar në rrezikimin e tij nga faktorë të ndryshëm, qofshin ato kohorë, natyrorë, politikë, sociodemografikë etj.
Sipas tij, kjo trashëgimi kaq e larmishme, kaq e pasur dhe kaq e begatë – me ndërtime, veshje, histori, folklor, tradita…, pra me trashëgimi materiale dhe jomateriale, dita-ditës po zhduket dhe po rrënohet, po lihet pas dore dhe po harrohet.
Për këtë arsye, ai ka dhënë edhe një mesazh që duhet të shërbejë si vizion dhe mision për të ardhmen, e që bazohet në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe trevës përmes saj.
Kjo gjë, sipas tij, mund të bëhet në forma të ndryshme: duke e mbledhur materialin, duke bërë kërkime dhe hulumtime në terren, duke e studiuar, përpunuar, prezantuar dhe botuar atë.
“Treva e Krajës ka një potencial të rëndësishëm kulturor. Një pjesë shumë e vogël e historisë dhe kulturës së saj është zbuluar, interpretuar dhe promovuar. Në të mund të bëhen kërkime me përmbajtje shkencore, arkeologjike, arkitekturore, etnografike, antropologjike, muzikore, gjeografike, historike. Ajo mund të bëhet rezidencë artistike, letrare dhe thesar i bollshëm për gërmime më të thella, në mënyrë që të zbulohet dhe promovohet”, ka thënë arkitekti.
Duke vlerësuar se në të kaluarën Kraja ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin identitar, përmes figurave dhe ngjarjeve historike, si dhe përmes pozitës gjeografike në kulturën materiale dhe jomateriale, arkitekti ka konkluduar se kjo trevë “ka një potencial edhe më të rëndësishëm në të ardhmen, për të cilin do të ishte detyrë morale dhe profesionale të punohet që vlerat e saj të shtroheshin në tryeza shkencore dhe të prezantohen në diskutime si ky i sotmi”.
Për këtë qëllim, ai ka thënë se ashtu si në të kaluarën kur qendrat e mëdha si Shkodra, Prishtina apo Tiranë ishin shtëpi e dytë për krajanët, “edhe sot do të duhej që përmes këtyre qendrave, të ndihmohet që Kraja të zërë një vend të rëndësishëm në piedestalin e trashëgimisë identitare-kulturore të kombit tonë”.
Prezantimi i arkitektit Korab Kraja ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve – specialistë të trashëgimisë kulturore, artistë, nxënës të shkollave, studentë etj., të cilët e kanë vlerësuar si një studim të thelluar dhe me shumë interes për një temë dhe trevë të veçantë dhe me rëndësi për shqiptarët.
i. k.
