Nga “25 Maji” te “Besëlidhja e Malësisë”, ende në pritje

“Unë bashkë me Fadil Gjokajn, Gjon Ivezajn dhe Luigj Junçajn, të autorizuar nga shokët dhe shoqet e gjeneratës sonë që ta përcjellim këtë nismë, jemi takuar disa herë me drejtorin Lulanaj dhe kemi komunikuar me të për këtë çështje. Ai fillimisht na tha se tani për tani nuk ka ndryshim emrash të institucioneve arsimore, ndërsa ne i kërkuam që ta procedojë vendimin e Këshillit të Shkollës atje ku e ka vendin (në Ministri të Arsimit), që ata ta zgjidhin këtë çështje, sepse është në kompetencën e tyre”, thekson Gjon Camaj, njëri ndër nismëtarët për ndryshimin e emrit të shkollës së mesme në Tuz

Ndryshimi i emrave të institucioneve shkollore në Malësi konsiderohet i nevojshëm sipas vlerësimeve të të intervistuarve nga “Koha javore”, të cilët theksojnë se shumë shkolla mbajnë emra që nuk pasqyrojnë historinë, traditën dhe identitetin lokal të Malësisë.
Ata nënvizojnë se është e rëndësishme që shkollat të mbajnë emra të kombit të cilit i përkasin dhe që kanë lënë gjurmë në kulturë, shkencë apo histori, sepse emërtime të tilla ndihmojnë gjeneratat e reja të njohin më mirë historinë, trashëgiminë dhe heronjtë vendas.
Njëri ndër nismëtarët që synojnë ndryshimin e emrave të shkollave flet për riemërtimin e mundshëm të Shkollës së Mesme “25 Maji” dhe më herët të shkollës “Bashkimi” në Hot, ndërsa një historian dhe një ish-mësimdhënës theksojnë rëndësinë e ndryshimit të emrave të institucioneve edukativo-arsimore në Malësi.
Gjon Camaj, nga gjenerata e parë e maturantëve, është njëri ndër nismëtarët që vitin e kaluar mori iniciativën për ndryshimin e emrit të gjimnazit “25 Maji” në Tuz, në “Besëlidhja e Malësisë”. Ai shprehet se ende janë në pritje të veprimeve të mëtejshme të drejtorit aktual të këtij institucioni.
“Unë bashkë me Fadil Gjokajn, Gjon Ivezajn dhe Luigj Junçajn, të autorizuar nga shokët dhe shoqet e gjeneratës sonë që ta përcjellim këtë nismë, jemi takuar disa herë me drejtorin Lulanaj dhe kemi komunikuar me të për këtë çështje. Ai fillimisht na tha se tani për tani nuk ka ndryshim emrash të institucioneve arsimore, ndërsa ne i kërkuam që ta procedojë vendimin e Këshillit të Shkollës atje ku e ka vendin (në Ministri të Arsimit), që ata ta zgjidhin këtë çështje, sepse është në kompetencën e tyre”, thekson Camaj.
Sipas bashkëbiseduesit Gjon Camaj, drejtori kishte përmendur edhe vështirësi në përkthimin e këtij emri në gjuhën zyrtare malazeze dhe problemin e datës së Besëlidhjes së Malësisë.
Ai shton se, në takimin e radhës që kishin zhvilluar me drejtorin, ky i fundit iu kishte thënë se nga eprorja e arsimit në Mal të Zi, drejtorët janë të porositur që të mos çojnë kërkesa për ndryshimin e emrave të shkollave, sepse, siç tha ai, ndryshime nuk do të ketë edhe disa kohë.
“Ne kërkuam nga drejtori që të procedojë vendimin e Këshillit të Shkollës, sepse është obligim i tij dhe pastaj të presim përgjigjen, por ai na tha: ‘ashtu rrezikoj punën si drejtor dhe nuk di a do ta procedoj apo jo?’”, shprehet Camaj.
Ai shton më tej se lidhur me këtë çështje, kreut të këtij institucioni i kanë dërguar edhe kërkesë me shkrim që ta procedojë në Ministri të Arsimit, por sipas tij kjo ende nuk është realizuar.
“Është e pakuptueshme se si dikush që e emëron drejtorin e shkollës, e kufizon në kryerjen e detyrës! Detyrë e drejtorit është edhe procedimi i vendimeve të Këshillit të Shkollës. Ia kemi bërë të ditur se ne do të kërkojmë zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe ne akoma mendojmë se ai do ta procedojë këtë, sepse ai vazhdimisht deklarohet se do të ishte kënaqësi edhe për të ndryshimi në fjalë”, shprehet njëri ndër nismëtarët për ndryshim emri të kësaj shkolle, Gjon Camaj.
Për këtë çështje, “Koha javore” tentoi të komunikojë me drejtorin e shkollës për të mësuar nëse nisma është shqyrtuar dhe nëse janë ndërmarrë veprime konkrete për ta proceduar.
E kemi kontaktuar me telefon, por ai nuk është përgjigjur, sikurse nuk ka kthyer përgjigje as në pyetjet që i kemi dërguar me shkrim, deri në momentin e hyrjes së gazetës në shtyp.
Ndërkaq, i intervistuari ynë Gjon Camaj flet edhe për nismën tjetër për ndryshim emri të shkollës fillore “Bashkimi” në Skorraq, ku ai kishte punuar më shumë se 40 vite.
“Dua të theksoj se unë kohë pas kohe i kam proceduar gjashtë kërkesa të miratuara nga Këshilli i Shkollës për ndryshimin e emrit aktual në emrin e heroit Dedë Gjon Luli dhe sa jam në dijeni nuk ka një përgjigje, por unë gjatë katër-pesë viteve të fundit nuk kam pasur komunikim me drejtuesin e kësaj shkolle, sepse, në disa raste e humbi besimin tim dhe sipas bisedave të shumicës së punëtorëve të saj, aty mungoi transparenca në punë dhe komunikimi real në shumë raste, kështu që nuk jam marrë me të”, shprehet Camaj.
Në përgjigje të pyetjes sonë se nëse mendon që institucionet apo përfaqësuesit politikë kanë ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për ta proceduar këtë nismë, ai sqaroi se drejtuesit e pushtetit lokal dhe politikanët në Malësi i përcjellin me kujdes këto çështje, duke thënë se ata e njohin shumë mirë këtë nevojë për ndryshimin e emrave dhe të emërtimeve të reja të shumë institucioneve dhe rrugëve në komunën e Tuzit.
Ndërkaq, historiani Mark Junçaj, duke folur për “Koha javore” mbi nismën për ndryshim emri të gjimnazit “25 Maji” dhe për emërtimin eventual në “Besëlidhja e Malësisë”, shprehet se emri i propozuar është tejet i qëlluar.
“Nga perspektiva historike, emri është më se i qëlluar, pasi që kemi të bëjmë me ngjarjen më të rëndësishme të Malësisë së Madhe të gjysmës së dytë të shek. XX. Është ngjarja kur njëherë e përgjithmonë iu tha ‘Ndal gjakmarrjes’ dhe nga ajo ditë, që nga 28 qershori i vitit 1970, faktikisht u zhduk gjakmarrja në pjesën e Malësisë së Madhe që i takon Malit të Zi”, thekson ai.
Sipas tij, të gjitha shkollat e komunës së Tuzit, me përjashtim të SHF “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Triesh, mbajnë emra, data apo parulla komuniste që nuk lidhen me Malësinë.
“Është shumë me rëndësi që shkollat të mbajnë emra të kombit të cilit i përkasin dhe emra që kanë lënë gjurmë në lëmin e kulturës, shkencës apo historisë”, thotë Junçaj.
Ai më tej shton se inicimi duhet të fillojë nga vetë shkolla, por edhe nga politikanët shqiptarë.
“Siç është më se e njohur, për këto çështje vendosin politikanët, prandaj do të ishte mirë që sa më shumë të kyçen në këtë drejtim dhe duke qenë se vitin tjetër janë zgjedhjet, nuk do të ishte keq të provojnë të bëjnë ndonjë marrëveshje politike dhe të ndryshojnë emrat e papërshtatshëm të shkollave në Malësi”, përfundon Junçaj.
Në të njëjtën kohë, Marash Dedvukaj, ish-mësimdhënës i Gjimnazit “25 Maji”, thotë se nisma e gjeneratës së parë të maturantëve që t’i ndryshohet emri shkollës së mesme të përzier në Tuz është për çdo lëvdatë, sikurse edhe emri i propozuar.
“Kjo patjetër se është dashur të bëhet edhe më parë, menjëherë pas pavarësimit të komunës së Tuzit”, shprehet Dedvukaj.
Në përgjigje të pyetjes sonë se sa e rëndësishme është që shkollat të mbajnë emra që pasqyrojnë historinë dhe traditën vendase, Dedvukaj shprehet se kjo është tejet me rëndësi, veçanërisht për gjeneratat e reja të cilat duhet të njihen më mirë me historinë e vendit dhe heronjtë të cilët u flijuan për lirinë e këtij vendi.
“E si më mirë sesa përmes emërtimit të institucioneve që duhet të bartin emrat e heronjve tanë që u flijuan për vendin e tyre”, shprehet Dedvukaj.
I pyetur se cilët aktorë institucionalë mund të luajnë rolin më të madh për të proceduar këtë nismë dhe për ta bërë të realizueshme, Dedvukaj thotë se Komuna e Tuzit duhet të jetë shtysë në këtë drejtim dhe të japë kontributin kryesor, “ndihmuar edhe nga intelektualët e vendit të cilët duhet që parezervë ta përkrahin këtë nismë të shenjtë, e cila patjetër se nuk ka alternativë”.
Kujtojmë se vitin e kaluar, gjenerata e parë e maturantëve të Gjimnazit “25 Maji” në Tuz, pas kremtimit në muajin maj të 50-vjetorit të maturës, vendosën të ndërmarrin një nismë për ndryshimin e emrit të këtij institucioni edukativo-arsimor nga “25 Maji” në “Besëlidhja e Malësisë”.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat