Besa – bedeni i fundit i njeriut

Filmi është një dramë filmike, që sipas regjisorit bazohet në ngjarje të vërtetë, të ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore në një shtëpi të ndershme shqiptare. Regjisori u inspirua me tregimin e shkurtër, por antologjik të Zuvdija Hoxhiqit me të njëjtin titull. Skenarin për film e nënshkruajnë Ana Vujadinoviq dhe Melina Pota Koljeviq

Nikollë Berishaj

Të mërkurën, më 11.02.2026, në katër sallat e Cineplexx-it të Podgoricës u dha premiera vendore e filmit më të ri, të regjisorit malazias Nikolla Vukçeviq, tashmë të vlerësuar edhe në festivalet ndërkombëtare prestigjioze. Filmi “Obraz” (me përkthimin shqip Nderi, ose anglisht The Tower of Strength) me vetë titullin e vet jep shumështresmërinë e kësaj fjale. Përkthimi i fjalëpërfjalshëm do të ishte “Fytyra”, gjegjësisht Ftyra, por për shqiptarët, e veçanërisht shqiptarët e veriut termi tregon diçka shumë më të thellë, madje më të thellë seç e shpjegon edhe Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, që vetëm në kuptimin 4. të saj jep përshkrimin figurativ: Emri i mirë i dikujt; nderi: ia mori fytyrën. S’ka fytyrë. E preku në fytyrë. Fytyra (ftyra) është nder, por edhe lavdi, apo, seç më duket më e afërt fjala gati e harruar e gegënishtes Erz, të cilën e gjejmë te Gjovalin Shkurtaj në Fjalorin e tij Frazeologjik të Malësisë së Madhe.
E lidha me shqipen ngase filmi është një dramë filmike, që sipas regjisorit bazohet në ngjarje të vërtetë, të ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore në një shtëpi të ndershme shqiptare. Regjisori u inspirua me tregimin e shkurtër, por antologjik të Zuvdija Hoxhiqit me të njëjtin titull. Skenarin për film e nënshkruajnë Ana Vujadinoviq dhe Melina Pota Koljeviq.

Nur Doka, i zoti i shtëpisë, gjendet para dilemës morale: t’ua dorëzojë fëmijën e panjohur ndjekësve, në mes të cilëve është edhe njëri nga familja Gjonaj dhe të shpëtojë familjen e vet, por duke shkelur kodin shekullor të kombit të tij se “shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, pra bindjet e tij të bazuara në këtë kod, ose të rrezikojë shfarosjen e familjes duke shpëtuar fëmijën e panjohur


Ngjarja ndodh gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe është vendosur në një shtëpi të njohur shqiptare – në shtëpi të bajraktarit të zonës, Nur Dokës, i cili në fillim të filmit ia fal gjakun për vëllain e vrarë familjes Gjonaj, pasi ata i vijnë para dere me djepin me foshnje të kthyer mbrapsht.
Kohët e errëta në zonën kufitare e përçajnë edhe popullatën, duke i shtyrë që një pjesë e mirë t’i betohet Rajhut të Tretë, një pjesë lëvizjes antifashiste, dhe një pjesë e vogël, përfshirë edhe Nur Dokën, duke e parë thellësinë e përçarjes që mundohet ta ruajë atë që ka trashëguar me shekuj në familje, besën, burrërinë, nderin (fytyrën, erzin).
“Me ata që kanë vënë yllin në ballë, e nuk njohin Zot, unë nuk mund të shkoj; me këta tjerët, që harrojnë vlerat tona nuk kam ç’të bëj” – është thënie profetike, nga goja e Nurit, që tregon më së miri gjendjen e përgjithshme të popullit në atë trevë. Nurin të dyja palët dëshirojnë ta kenë me vete! Mosardhja e tij në cilindo kamp ia vështirëson edhe “gjendjen” e tij, që paraqitet në 36 orët e zhvillimit të ngjarjes që shtjellohet në film, kur një ”fëmijë vllah” (lexo serb) në tentim të shpëtimit nga hordhitë paramilitare fashiste që ia vrasin babën, ia përdhunojnë e vrasin nënën dhe e djegin fshatin, gjen strehimin në shtëpinë e shqiptarit Nur Dokës, pa dijen e të zotit.
Nur Doka, i zoti i shtëpisë, gjendet para dilemës morale: t’ua dorëzojë fëmijën e panjohur ndjekësve, në mes të cilëve është edhe njëri nga familja Gjonaj dhe të shpëtojë familjen e vet, por duke shkelur kodin shekullor të kombit të tij se “shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, pra bindjet e tij të bazuara në këtë kod, ose të rrezikojë shfarosjen e familjes duke shpëtuar fëmijën e panjohur.

I biri i Nur Dokës, Muhamedi – Mesha, vërtet sakrifikohet, por jo me insistimin e të atit (si në tregimin e Hoxhiqit), por pas mendimit të gjatë të tij, të shprehur aq bukur në film me skena pa tekst, por me mendimet e tij se tri motrat do të kenë me çka të mburren


Thyerjet e brendshme të Nur Dokës për ta zgjidhur çështjen në mënyrën më të mirë, duke shpëtuar fëmijën dhe ruajtur nderin e çon te “miqtë” e tij të vjetër, por që tani në poste “të rëndësishme” kishin harruar parimet dhe nuk dinin më të flisnin me kodin shekullor të kanunit, të bindur se dita e tyre kishte gdhirë dhe se do të zgjaste pakufi. Të mbështetur në fuqinë e atyre të cilëve u shërbenin, Rajhut të tretë, kishin ndryshuar edhe sistemin e vlerave të Kanunit shqiptar, në të cilin ishin betuar deri pak kohë më parë. Në anën tjetër partizanët, edhe pse të njoftuar me situatën në shtëpinë e Nurit, ngurrojnë t’i vijnë në ndihmë atij.
Gjatë rrugëtimit të Nur Dokës, për ta zgjidhur dilemën, të jesh, a të mos jesh, shtëpia nga brenda mbetet në “mbrojtjen” e djalit të tij dhjetëvjeçar dhe babait plak, ndërsa dera e oborrit e Nur Dokës mbetet në besën e njërit nga “banditët” nga familja Gjonaj. Në aspektin psikologjik ky personazh paraqitet mirë i skalitur: i gjetur ndërmjet atyre që duan të ngopen me gjak, qoftë edhe me gjak fëmije dhe raportit të tij me familjen e Nur Dokës, që ia kishte falur gjakun, ai është gjatë krejt asaj kohe në konflikt me “udhëheqësin” e vet (Abidin), e para së gjithash me vetveten. Duke i njohur në thelb dispozitat e kanunit, e në situatën kur udhëheqësi i tij plotësisht i shfrenuar sheh bashkëshorten e Nurit të ketë dalë në shaneshinin e kullës së vet për punët e shtëpisë, provon të hyjë në parmakë, për të…, por e kthen mbrapa krisma e pushkës e djalit dhjetëvjeçar, që mbron familjen. Gjonaj definitivisht shpërthen dhe zgjedh ndërmjet asaj që po ndodhte dhe kodit të vet. Shqyen shenjën naziste të qepur në plisin e bardhë, e gjuan në zjarr dhe i bashkëngjitet mbrojtjes së familjes së Nur Dokës.
Nur Doka kthehet në shtëpi pa zgjidhje, që e priste nga burrat, miqtë e tij të dikurshëm, qoftë nga ana e komandantit të njësive SS (Demushi, të cilin e aktron Branimir Popoviq), që është këmbëngulës që Nuri ta dorëzojë fëmijën e panjohur, përndryshe ky nuk do të ketë mëshirë as ndaj Nurit dhe as ndaj familjes së tij; qoftë nga pleqnari i Kanunit, që i thotë se po të ishte në vendin e tij, ai do të gënjente se çështja u zgjidh dhe dorëzonte djalin e vet të vetëm në vend të fëmijës së panjohur. Por, vazhdon pleqnari, ti nuk gënjen!
Për dallim nga tregimi antologjik i Zuvdija Hoxhiqit, ku Nur Doka vërtet e bën këtë gjest, regjisori zgjedh një rrugë tjetër.
Apropo kësaj, në vitin 2018, por edhe më vonë, kur regjisori Vukçeviq merrej ende vetëm me skenarin dhe përzgjedhjen e aktorëve, me të kishim takime të shpeshta. Në njërin nga ato takime, duke analizuar skenën e dorëzimit të djalit të vet në vend të fëmijës së panjohur, sipas tregimit të Zuvdisë, regjisori pranoi idenë dhe zgjidhjen, që sot është në film. Dhe që mua më pëlqen më shumë. Idenë atëbotë e pranoi edhe aktori që në film luan rolin kryesor, Edon Rizvanolli. Nga një takim i tillë u shkrep edhe fotografia jonë e përbashkët, që mban datën 31 maj 2018.
I biri i Nur Dokës, Muhamedi – Mesha, vërtet sakrifikohet, por jo me insistimin e të atit (si në tregimin e Hoxhiqit), por pas mendimit të gjatë të tij, të shprehur aq bukur në film me skena pa tekst, por me mendimet e tij se tri motrat do të kenë me çka të mburren. I biri i Zotit të shtëpisë, Nur Dokës, duke ia parë duart e përgjakura babës, shkon, gjoja t’ia sjell ujin për t’i larë.
Dera e oborrit hapet dhe e shtëna shqyen qiellin! Edhe skena e shtënies, si të gjitha skenat e tjera është e menduar mjeshtërisht. Abidi fillimisht nuk mund të shkrepë pushkën, por e keqja tek ai ngadhënjen.
Në fakt, edhe përkundër distancimit nga tregimi i autorit, i biri i Nurit e bën këtë gjest për shkak të edukatës së tij të marrë në familjen e vet. Ai, edhe pse dhjetëvjeçar e di se miku në shtëpi është i paprekshëm. Por gjithashtu e ndien përgjegjësinë që kishte marrë duke ia hapur derën atij. E kishte mësuar këtë në familje, nga gjyshi dhe babai i tij. E kishte mësuar me gjirin që kishte marrë nga nëna e tij. Por e shihte qartë ngërçin edhe për moszgjidhjen e problemit. Andaj, edhe nuk mund të merret si distancim, por si vërtetim i asaj që është pjesë e shpirtit malësor – shqiptar.
Nëpërmjet rrëfimit mbi vlerat morale: besës, mikut në shtëpi, dashurisë dhe rritjes, në film shqyrtohen edhe sakrificat personale njerëzore, duke tejkaluar edhe besimet fetare dhe përkatësinë kombëtare, me pyetjet se si do t’i përgjigjet Nur Doka kësaj sfide, ndaj e quajtën edhe dramë historike me porosi të larta njerëzore. Nur Doka, nuk i zgjedhë të vetët, ai zgjedh NJERIUN; (regjisori në një intervistë).
Filmi përndryshe është kryesisht në gjuhën shqipe me ndërhyrje në gjuhën serbe, boshnjake. Koproduksioni është ndërkombëtar, por për fat të keq, pa pjesëmarrjen e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës. Koproducentë të filmit janë: Galileo Production – Podgoricë, Cinnamon Films Serbia, Embrio Production Croatia, RTV i MZ, Progressive Films dhe Mogador Film nga Gjermania.
Filmi u përzgjodh në shumë festivale ndërkombëtare, filluar nga Festivali në Kotbus në Gjermani (2024). Drejtori programor i festivalit në Kotbus, Bernd Buder, njohës i filmit ballkanik dhe anëtar i dikurshëm i ekipit seleksionues të Festivalit të Berlinit, për filmin shkruan: “Nikolla Vukçeviq me veprën e tij më të re ka arritur të krijojë film zhanër, përplot tensionime, pritje, të pasur me elemente fantastike – që herë-herë i përngjan horrorit – me kuadrot e jashtëzakonshme të peizazhit dhe me personazhe që do të mund të krahasohen me Zotin e unazave”.
Filmi mori pjesë pastaj edhe në Marketin e filmit të Festivalit Ndërkombëtar në Kanë, si dhe 25 festivale ndërkombëtare prej të cilëve: Saraqusta Film Festival – Saragosa (Spanjë), Palm Springs International Film Festival (SHBA), San Diego International Film Festival (SHBA), Kazan International Film Festival (Rusi), Jaipur International Film Festival (Indi), I-Fest International Film Festival Calabria (Itali), Festivali i pavarur i filmit Andaluzi (Spanjë), Montenegro Film Festival – Herceg Novi (Mali i Zi).
Filmi deri më tani në to u nderua me rreth 20 çmime. Prej atij të regjisë më të mirë dhe skenarit më të mirë në Saragosa International Film Festival dhe Saraqusta FF, kamera më e mirë – Kazan International FF dhe në Jaipur International FF. Në Festivalin në Andaluzia – Festival de Cine Independiente de Linares fitoi çmimet për filmin më të mirë, regjinë më të mirë (Nikolla Vukçeviq), drejtorin më të mirë të fotografisë (Gjorgje Stojilkoviq) si dhe aktorin më të mirë (Edon Rizvanolli). Në San Diego fitoi çmimin e publikut për filmin më të mirë.
Ekipi i aktorëve të filmit është strukturë e mirëzgjedhur ndërkombëtare, me rolin kryesor Edon Rizvanolli (nga Kosova, me banim në Holandë), Nikolla Ristanovski nga Maqedonia e Veriut, e në rolin e pleqnarit, Igor Bençina nga Serbia, Sokol Gjonajn e luan Alban Ujkaj (BeH), Selman Jusufi (babain e Nurit) dhe Xhejlane Terbunja nga Kosova, si dhe grupi i aktorëve malazias: Aleksandar Raduloviq (Abidi), Ana Vuçkoviq në rolin e Maries, Zef Bato Dedivanović (babai i Sokolit) – aktori i mirënjohur malësor (ky ishte edhe roli i tij i fundit), Branimir Popoviq (komandant Demushi), pleqnarin e interpreton Nikolla Ristanovski nga Maqedonia e Veriut… Ndërkaq fëmijët i luajnë: Mehmetin (Elez Axhoviq), motrën e tij të madhe Merisa Axhoviq (të dy nga Tuzi), motrën e tij të vogël, Hana Pavlloviq; djalin e përndjekur Vukun – Vuk Bullajiq, që u zgjodhën pas një kastingu disa muajsh. Fëmijët në përgjithësi janë element shumë i fuqishëm që plotësojnë shkëlqyeshëm mozaikun e një tregimi të realizuar shkëlqyeshëm, madje, krahas rolit kryesor, të interpretuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Edon Rizvanolli, edhe ia japin vulën filmit.
Regjisori në njërën nga intervistat e shumta të dhëna këto ditë, i pyetur për Besën, shprehet:
“Kjo është njëra nga ato fjalët e fuqishme që lidhin besimet fetare dhe kombet. …Sot ‘besa’ është nocion që e ka tejkaluar hapësirën në të cilën është krijuar… Për fat të keq, shpesh e ulin në nivelin e arkaizmit për fjalime të rastit, e jo rrallë edhe e zëvendësojnë me interesin e pastër. Prapëseprapë, besoj se ajo në të pavetëdijshmen kolektive edhe më tutje paraqet atë ‘bedenin e fundit’ të njeriut”.
Dhe për fund: një film të tillë, definitivisht ka mundur ta punojë njeriu (regjisori) me (botë)kuptime aq të ngritura, do të thosha filigrane. Filmi medoemos duhet shikuar! Asgjë në këtë film nuk është klishe bardhë-zi, hijezimet në film kacafyten me dyshimin dhe vlerësimin tërë kohën.
Përndryshe, ky është filmi i tretë i luajtur i metrazhit të gjatë, të cilin e nënshkruan Nikolla Vukçeviq si regjisor. Filmi “Nderi” (Obraz) është kandidat zyrtar i Malit të Zi për Çmimin Oskar.

Të fundit

më të lexuarat