Kuvendi i Komunës së Tuzit miratoi vitin e kaluar themelimin e Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar “Monumenti i Natyrës – Kanioni i Cemit”.
Mbi misionin që ka kjo ndërmarrje, cilat problematika konkrete synon të adresojë në mbrojtjen dhe menaxhimin e kanionit dhe lumit Cem, biseduam me ushtruesin e detyrës së drejtorit, Adnan Dreshaj.
Ai për gazetën “Koha javore” shprehet se me këtë vendim është përcaktuar misioni kryesor i shoqërisë, që është menaxhimi i zonës së mbrojtur i Kanionit të Cemit.
“Deri më tani kjo zonë ka pasur status të mbrojtur, por me formimin e kësaj shoqërie ajo do të ketë menaxhuesin e saj, që do të punojë për arritjen e qëllimeve të cilat janë përcaktuar me aktet e themelimit”, shprehet Dreshaj.
Ndër problemet kryesore ai radhit devastimin në kanionin e Cemit, hedhjen e pakontrolluar të mbeturinave, peshkimin e paligjshëm, ndërtimin e objekteve në zona ku ligji e ndalon, si dhe marrjen e rërës dhe dëmtimin e shtratit të lumit Cem.
I pyetur se çfarë kanë qenë aktivitetet e para konkrete të ndërmarra që nga themelimi i ndërmarrjes, përfshirë veprimet në terren, dhe cilat janë shtyllat kryesore të planit të menaxhimit për kanionin e Cemit dhe lumin Cem, në aspektin e ruajtjes, monitorimit dhe kontrollit të aktiviteteve të kësaj zone të mbrojtur, Dreshaj shprehet se aktivitetet e para të kësaj shoqërie kanë të bëjnë më shumë me anën juridike, duke filluar nga regjistrimi i SHPK ”Monumenti i Natyrës – Kanioni i Cemit” në regjistrin e subjekteve juridike dhe nxjerrja e aktit të sistematizimit të vendeve të punës.
“Gjithashtu në proces janë edhe disa akte të tjera, të cilat janë vendimtare për funksionimin e Shoqërisë dhe formimin e bazës së plotë juridike për punë të suksesshme. Me kompletimin e këtyre akteve do të vazhdojmë me fazën tjetër, e cila ka të bëjë me formimin e shërbimit mbrojtës. Ky shërbim do të na mundësojë që masat dhe aktivitetet e parapara me plan t’i realizojmë në terren”, thotë ai.
Me planin e menaxhimit për vitin 2026 janë të parapara aktivitetet që kjo shoqëri do t’i realizojë.
“Gjatë vitit 2026 është në plan shënimi i territorit të ‘Monumentit të Natyrës – Kanioni i Cemit’, organizimi i ditëve të Cemit në bashkëpunim me Organizatën Turistike, dhe hapja e një rruge këmbësore me qëllim të promovimit të turizmit në këtë zonë”, thekson Dreshaj.
I pyetur se cili do të jetë bashkëpunimi konkret me komunitetin lokal, organizatat mjedisore dhe institucionet përkatëse në menaxhimin e kanionit të Cemit dhe se a ka ndërmarrja staf të kualifikuar për zbatimin e këtyre aktiviteteve, ai thekson se Shoqëria “Monumenti i Natyrës – Kanioni i Cemit” do të ketë takime të shumta me komunitetin lokal, dhe gjatë këtij viti do të punojë në hartimin e planit të menaxhimit pesëvjeçar, ku popullsia lokale do të kyçet me sugjerimet e tyre.
“Gjithashtu do të përpiqemi edhe me bizneset lokale të gjejmë modelin e bashkëpunimit dhe mënyrën për një funksionim të qëndrueshëm, në përputhje me ligjin dhe aktet e shoqërisë. Sa i përket bashkëpunimit me institucione dhe organizata tjera, kemi pasur takime me Ministrinë e Ekologjisë si dhe atë të Bujqësisë. Bashkëpunimi me këto institucione është më se i nevojshëm për një punë të suksesshme”, shprehet Dreshaj.
Ai shtoi se presin një bashkëpunim të suksesshëm edhe me institucionet lokale, e në veçanti me Policinë Komunale, SHPK “Komunale” dhe Organizatën Turistike.
“Për momentin, Shoqëria ka vetëm ushtruesin e detyrës së drejtorit, por së shpejti planifikohet që t’i punësojë dy renxhera në terren dhe një punonjës në administratë”, bën të ditur Dreshaj.
Ndërkaq, duke u ndalur te financimi i ndërmarrjes dhe nëse ajo ka mjete të mjaftueshme për të realizuar veprimtarinë e saj dhe qëndrueshmërinë financiare, Dreshaj tregon se për vitin 2026 pothuajse të gjitha mjetet do të sigurohen nga Komuna e Tuzit.
“Gjithashtu, në bashkëpunim me parqet Dinarida, disa aktivitete do të financohen nga projektet që ata i fituan dhe kanë të bëjnë me ‘Monumentin e Natyrës – Kanioni i Cemit’. Mendoj se buxheti i këtij viti nuk është i mjaftueshëm për realizimin e të gjitha aktiviteteve, por shpresoj se ky do të jetë në rritje në vitet në vijim”, thotë ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes sonë se cilat veprime po ndërmarrin aktualisht dhe se cilat janë planet për të ardhmen e afërt në menaxhimin dhe ruajtjen e kanionit të Cemit, Dreshaj thotë se në periudhën në vijim fokusi do të jetë në krijimin e bazës juridike dhe të një oferte turistike me të cilat Shoqëria do të ketë edhe të ardhura vetjake.
“Duhet cekur se afërsisht 90 për qind e territorit të ‘Monumentit të Natyrës’ gjendet në zonën e parë të mbrojtjes ku ndalohen aktivitetet dhe për këtë arsye mundësitë për të ardhura vetjake janë shumë të limituara. Megjithatë, ne do të përpiqemi që ta shfrytëzojmë çdo mundësi për të ardhura, qoftë me projekte ndërkombëtare apo edhe me aktivitetet e veta të cilat shoqëria do t’i organizojë me qëllim të përfitimeve, duke mos ikur nga qëllimi primar i shoqërisë, i cili është mbrojtja e jo përfitimi”, shprehet Dreshaj.
Ndërkohë, ai tregon se aktualisht janë duke hartuar planin e mbrojtjes, një akt që siç tha ai, do të definohen veprimtaritë brenda ‘Monumentit të Natyrës’.
“Kemi filluar hapat e parë për përpunimin e planit të menaxhimit pesëvjeçar, të cilin e kemi obligim sipas Ligjit për mbrojtjen e natyrës. Gjatë këtij viti do të vendosim edhe disa tabela informuese dhe shënimin e territorit të zonës së mbrojtur”, përfundon Dreshaj.
Në vitin 2017, Kuvendi i Podgoricës miratoi vendimin për shpalljen e lumit Cem “Monument natyror”.
T. Ujkaj
