(Ismet Karamanaga, “Ulqini florini – Portrete, In memoriame”, V, Ulqin, 2026)
Si pjesë e ciklit “Ulqini florini – Portrete, In memoriame”, u botua libri i pestë i profesorit Ismet Karamanaga.
Në mbi 400 faqe, ai shkruan për njerëz dhe ngjarje në Ulqin, duke konfirmuar se është kronisti më i zellshëm i këtij qyteti në fund të shekullit të 20-të dhe fillim të shekullit të 21-të.
Janë të paktë qytetet që kanë libra të tillë. Pas 50 vitesh, këto do të jenë vepra kyçe për studiuesit që do të shkruajnë për periudhën e sotme në Ulqin.
Ky kalali fisnik e pikturon kohën në të cilën jetojmë me ngjyra më të bukura, duke folur shpesh për njerëz që harrohen shpejt edhe nga ata që janë më të afërt me ta. Sepse një qytet, para së gjithash, nuk përbëhet nga ndërtesa, por nga njerëz. Dhe ata janë për Karamanagën pikërisht florinjtë e Ulqinit.
“Përpiqem ta ruaj shpirtin e tyre dhe kohën e kaluar dhe të tashme në të cilën ata dhanë kontributin më të mirë të vetes këtij qyteti, duke mos lënë jashtë dimensionet e integritetit të secilit personalitet individualisht”, thekson Karamanaga.
Ai thotë se i shkruan kujtimet e veta dhe kujtimet e të tjerëve.
“I kthej ato në hapësirë dhe në kohë, dhe i modernizoj në mënyrë që edhe të tjerët t’i përjetojnë përsëri. Ky libër është një tjetër përpjekje e tillë për njerëzit dhe ngjarjet në mjedisin tonë”, shton ai.
Profesori mezi pret daljen e çdo libri të ri, sepse, siç thotë ai, është pothuajse si lindja e një fëmije. Atij i pëlqen të ndajë veprat e tij në mënyrë që ato të lexohen sa më shumë, megjithëse, siç thekson, njerëzit tani janë duke kaluar një kohë të gjatë në telefonat e tyre celularë.
Kjo është arsyeja pse ai çdo ditë poston diçka në faqen e tij në Facebook, qoftë edhe një foto të detit, Kalasë apo të Ranës.
“Nëse shëndeti im më lejon, patjetër që do të ketë edhe më botime në këtë cikël”, thotë Karamanaga.
Ismet Karamanaga lindi në vitin 1948. Ai punoi si profesor i gjuhës gjermane në gjimnazin e Ulqinit. Është në pension, por edhe ciceron turistik i famshëm dhe kryetar i Shoqatës së Miqve të Kalasë.
M. Canka
