
Kudo shkojmë në botë, në rrugë të gjata apo të shkurtra, stacionet janë vende me gjuhë të vetme që e orientojnë lëvizjen tonë fizike dhe mendore. Përmes tyre kërkojmë pangopshmërinë e optikës dhe imagjinatës, shumë herë mundësojnë mrekulli por edhe kaos, d.m.th. ngatërrim të mendjes sonë. Dhe kështu pa dashje humbim ngjyrat e zbrazim mendjen, ngatërrojmë ndjenjat, vetëdija lufton me ndërdijen, ndoshta i frikohemi asaj se pozicioni stacionues, posedues humb duke kërkuar atë që mund të jetë për momentin rrezik për pozicionimin tonë, që na është fiksuar se diku ekziston. Dhe e kërkojmë vazhdimisht pa u ndalur përmes stacionit psikofizik.
Ai psikik shndërrohet në mesazhe të forta për kërkimin e shenjave fizike, të cilat janë me një gjuhë të vetme që e orientojnë lëvizjen tonë. Ato janë hapësira dhe objekte referuese me një gjuhë të vetme, i ka zbuluar njeriu i gjuhëve të ndryshme me një koncept dhe i ka vendosur kudo. Shenja në çdo drejtim me mesazhe të forta paralajmërimi.
Nëse njeriu dikur shpenzonte duke lëvizur në drejtime të ndryshme hapësinore dhe në disharmoni me kohën, njeriu i paspërvojave të tilla ka zbuluar se stacionet e bëjnë atë të lëvizë në drejtime të përcaktuara hapësinore dhe në harmoni të kontrolluar me kohën. Është një formulë, jo rastësisht shpeshherë kaotike që e hasim dekadave të fundit në çdo skaj të botës, të nënshtruar ndaj interesave të panjohura nga pozitat dirigjuese të ulëta dhe të larta.
Stacionet morën forma të ndryshme sipas sistemit. Thonë se një pjesë e madhe e stacioneve mendore dhe fizike ishin të dirigjuara më parë nga ideologjitë sunduese dhe sistemi politik komunist. Ndërsa në kapitalizëm u janë përshtatur më shumë kërkesave industriale dhe ekonomike.
Sot njeriu, në hap me shkencën, aq shumë ka mbërritur dhe ka formuar stacione që dikur ishin të paimagjinuara, duke hapur stacione të reja hapësinore rreth planetit, të cilat janë në shërbim të stacioneve të ardhshme e kështu me radhë, duke krijuar miliona stacione psikike në kërkim të atyre të tjerave që s’kanë të ndalur. Dhe kështu, stacion më stacion, ne po harrojmë orientimin tonë të njëmendtë të civilizimit ekzakt të kohës që po e jetojmë. Ndoshta synojmë kohën funksionale ose përkundrazi jofunksionale?
