Përvjetori i harruar i Fishtës në Shkodër

Përkujtimi i personaliteteve të ndryshme me rastin e përvjetorëve të tyre është obligim jo vetëm moral e profesional, por edhe kombëtar nga ana e institucioneve lokale e shtetërore, duke organizuar veprimtari të ndryshme kulturore e shkencore dhe inauguruar buste apo shtatore, si dëshmi e nderimit të tyre si kudo në vendet e qytetëruara

Nail Draga

Në fund të vitit të kaluar, pikërisht më 30 dhjetor 2025, janë mbushur 85 vjet kur është ndarë nga jeta Gjergj Fishta, i cili mbetet një prej personaliteteve të veçanta të letërsisë, gjuhësisë, publicistikës, meshtarisë, kulturës e diplomacisë shqiptare. Duke qenë i tillë, françeskani erudit me të drejtë është quajtur Homeri shqiptar, ku ”Lahuta e Malcis“ është një nga kryeveprat e letërsisë shqipe, simbol i atdhedashurisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Me këtë rast, si shkas kemi mosshënimin e 85-vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar Gjergj Fishta (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940), datë e cila është dashur të shënohet me veprimtari të ndryshme kulturore, sidomos në Shkodër. Por këtu kishim heshtje totale, si nga institucionet shtetërore, vendore, kisha e shoqëria civile. Ndërsa përjashtim kanë bërë disa media elektronike lokale apo indvidë të ndryshëm në rrjetet sociale.

Përkujtimi në Tiranë e Lezhë
Në lidhje me këtë 85-vjetor, mediat informuan se Biblioteka Kombëtare nderoi Atë Gjergj Fishtën duke risjellë në kujtesë trashëgiminë e pavdekshme të tij, e cila vazhdon të jetojë dhe të flasë fuqishëm në kulturën, gjuhën dhe vetëdijen tonë kombëtare.
Ndërsa Biblioteka Publike “Gjergj Fishta” e qytetit të Lezhës kujtoi një fragment të fjalimit të Hoxhë Hafiz Ali Krajës, mbajtur në funeralin e Atë Gjergj Fishtës, ku thuhej: “Me ty, Patër Gjergj, Kombi naltësohet dhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”.

Mungesa e statujës së Fishtës në Shkodër
Opinioni i gjerë është i informuar se në Shkodër vite më parë, për të nderuar klerikun, shkrimtarin e intelektualin Gjergj Fishta, në hapësirën e parkut para Bashkisë është inauguruar një monument kushtuar emrit dhe veprës së tij. Por, një objekt i tillë mund të jetë gjithçka, por nuk i ngjanë ndonjë vepre artistike, e cila si atëherë edhe tash ka irrituar opinionin e gjerë.
Por, të gjithë ata që kanë shkuar në Shkodër kanë pasur mundësi të shohin një monument që është në shkatërrim të plotë, sepse është i mbuluar me shkarravina, i rrethuar me mbeturina, pamje të cilat janë trishtuese, që thënë më se buti është fyerje për poetin kombëtar dhe Bashkinë e Shkodrës.
Në një situatë të tillë, me të drejtë bëhet pyetja se nëse ndonjë indvid dëshiron të nderojë poetin kombëtar, ku të vendosen lulet? Kur gjendesh para një pamjeje të tillë – zhgënjehesh, duke akuzuar ata të cilët nuk kanë treguar empati ndaj një monumenti të tillë.
Nuk ka dilemë se Fishta meriton një statujë monumentale në qendër të Shkodrës e jo një monument të tillë që nuk paraqet përmasat e figurës së tij mbarëkombëtare. Ndërsa inicimi i realizimit të një projekti të tillë është në nderim të Fishtës, qytetarisë shkodrane dhe botës shqiptare.

Fishta, jo rasti i vetëm
Duhet të cekim se në vitin 2025, përvjetori i Gjergj Fishtës nuk ishte rasti i vetëm, sepse këtë vit përvjetorë kanë pasur edhe disa personalitete tjera të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Kështu 110-vjetorin e vdekjes e kanë pasur edhe Dedë Gjo’ Luli (1840-1915), Mehmet Shpendi (1851-1915), Çerçiz Topulli (1880-1915) e Muço Qulli (1887-1915), të cilët në saje të veprimtarisë së tyre kanë mbetur figura të rëndësishme kombëtare.
Por, për fat të keq edhe për këta nuk u kujdes kush për të organizuar ndonjë takim përkujtimor, qëndrim që është për çdo kritikë.

Përfundim
Dukuria e mosangazhimit të institucioneve buxhetore, qofshin ato vendore apo shtetërore në Shkodër, në mosshënimin e përvjetorit të 85-të të vdekjes së Atë Gjergj Fishtës, i cili është figurë emblematike e kulturës kombëtare, dëshmon mungesën e respektit dhe të qasjes profesionale të individëve udhëheqës, që paraqet dukuri me pasoja shoqërore e kombëtare, për të tashmen dhe të ardhmen.

Të fundit

më të lexuarat