Me rastin e Ditës së Gazetarëve Malazezë, e cila shënohet për çdo vit më 23 janar, Shoqata e Gazetarëve Malazezë ka ndarë çmime dhe mirënjohje speciale për disa gazetarë, të cilët me punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre janë shquar vitin e kaluar.
Në mesin e laureatëve të mirënjohjes (diplomës) speciale është edhe gazetari i Radios së Malit të Zi, Gjokë Dukaj, të cilit i është ndarë mirënjohja për kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e gazetarisë malazeze. Po ashtu edhe në shenjë vlerësimi për angazhimin e tij shumëvjeçar profesional, përkushtimin ndaj etikës gazetareske, si dhe kontributin e vazhdueshëm në informimin e saktë, të paanshëm dhe të përgjegjshëm të opinionit publik.
Përmes punës së tij, Gjokë Dukaj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e lirisë së medias, promovimin e standardeve të larta profesionale dhe avancimin e rolit të gazetarisë në shoqërinë malazeze.
Kjo mirënjohje përfaqëson një vlerësim të veçantë për ndikimin e tij në zhvillimin e gazetarisë, si dhe për angazhimin e tij në shërbim të interesit publik.
Krahas punës si gazetar, Dukaj është edhe autor i librave “Përjetësia e fjalës” dhe “Valët e para” si dhe i disa filmave dokumentarë, si: “Dora e pajtimit”, “Përjetësia e Besës” etj.
(Kohapress)
