
Artistja e re ulqinake, Mevlida Salaj, me ndjeshmëri të brendshme dhe një dorë të lirë e të përkushtuar, sjell në telajo peizazhin e shpirtit të saj – Ulqinin e lashtë dhe të dashur.
Në këto tablo, deti nuk është thjesht një sipërfaqe uji por një kujtim, një frymëzim, një pasqyrë e dritës që rrjedh nga horizonti i brendshëm. Ngjyrat e qeta, dritëhijet e buta dhe lëvizja e ndjeshme e penelit e bëjnë shikuesin të ndiejë aromën e detit, të dëgjojë zërin e dallgëve dhe të ndjekë udhëtimin e heshtur të një varke drejt perëndimit.
Në pikturën e saj “Kalaja e Ulqinit” paraqet pamjen e shtrirë mbi shkëmbinj, që nuk është vetëm subjekt pikturor por një simbol i qëndrueshmërisë dhe dashurisë për vendlindjen. Sfondi i Qiellit të saj është i kthjellët, por plot shpirt; retë si kujtime të pikturuara me dritë, ndërsa perëndimi zbret ngadalë mbi ujërat e kaltra, duke i dhënë një ndjesi përjetësie çasteve më të zakonshme.
Vepra e Salajt është një përshpirtje vizuale – një lutje e heshtur për të bukurën dhe të amshuarën, një mënyrë për të ndërtuar një gjuhë personale artistike që flet me tonin e dashurisë, kujtesës dhe përkatësisë. Në pikturën e saj, Ulqini është më shumë se një qytet bregdetar; është një ëndërr e skalitur me ngjyra të buta në konturet e një zemre të re që kërkon të lërë gjurmë.
Në ciklin “Simfonia“ paraqet një trajtim ndryshe, duke eksperimentuar çka ajo, këtyre pikturave stilizuese e dekorative, artistja Salaj shpërfaq një vizion të përpunuar dhe bashkëkohor të figurës njerëzore dhe botës përreth saj. Duke përdorur vijën si element kryesor vizatues, ajo krijon portrete dhe silueta që flasin me ndjeshmëri të brendshme dhe elegancë formale. Përdorimi i linjës së vazhduar, në stilin “one-line drawing”, ngjan me një rrëfim të heshtur që rrjedh natyrshëm nga dora drejt shpirtit të telajos.
Ngjyrat e theksuara dhe kontrastet pastel ose intensive – si rozë, vjollcë, e kaltër dhe okër – krijojnë një ritëm vizual që e bën çdo vepër të veçantë dhe shprehëse. Rrethet, gjethet, format abstrakte dhe degëzimet organike janë pjesë e një gjuhe dekorative që lidh botën e dizajnit grafik me ndjesinë intime të emocioneve njerëzore. Secila figurë, edhe pse e stilizuar, ruan individualitetin dhe shprehjen – herë në përqafim, herë në reflektim, herë në ndarje.
Këto piktura nuk janë vetëm dekor, por edhe gjurmë të eksplorimit të identitetit dhe marrëdhënies mes formës dhe ndjenjës.
Artistja e re Mevlida Salaj përçon përmes krijimtarisë së saj jo vetëm njohuri të dizajnit që studion, por edhe aftësinë për ta përkthyer në një gjuhë vizuale të sajën – origjinale, e guximshme dhe e rafinuar. Ajo ndërton një univers ku linja është rrëfim dhe ngjyra është emocion.
Suksese!
(Recensioni është shkruar për katalogun e ekspozitës personale “Në kërkim të vetes” të piktores Mevlida Salaj, që është hapur në lokalitetin arkeologjik në Shas, më 14 qershor 2025, në kuadër të manifestimit tradicional “Pranvera në Anë të Malit”)
