28 Nëntori – simbol i qëndresës, identitetit kombëtar dhe aspiratës evropiane

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Zhaklina Peto, vuri në dukje se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi vazhdojnë të forcohen në mënyrë të qëndrueshme, duke u mbështetur në partneritet, besim dhe bashkëpunim praktik në fusha si infrastruktura, ekonomia, kultura dhe integrimi evropian

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi organizoi të martën mbrëma (25 nëntor 2025) në Podgoricë ceremoninë solemne të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Aktiviteti mblodhi rreth 550 të ftuar, mes tyre Presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, zëvendëskryeministrat Aleksa Beçiq dhe Ervin Ibrahimoviq, nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ministra të Qeverisë së Malit të Zi, ambasadorë të akredituar, përfaqësues të pushtetit lokal, drejtues institucionesh, parti politike, përfaqësues të komuniteteve fetare, si edhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë në Mal të Zi. Të pranishëm ishin gjithashtu personalitete nga jeta kulturore, akademike dhe shoqërore, si edhe përfaqësues të gjerë të komunitetit shqiptar në Malin e Zi.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Zhaklina Peto, theksoi rëndësinë historike të 28 Nëntorit si ditë e themelimit të shtetit shqiptar dhe simbol të qëndresës, identitetit kombëtar dhe aspiratës evropiane.
Ajo vuri në dukje se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi vazhdojnë të forcohen në mënyrë të qëndrueshme, duke u mbështetur në partneritet, besim dhe bashkëpunim praktik në fusha si infrastruktura, ekonomia, kultura dhe integrimi evropian.
Gjatë aktivitetit u prezantuan elemente të kulturës dhe kulinarisë shqiptare, duke krijuar një atmosferë festive dhe përfaqësuese të trashëgimisë sonë të pasur kombëtare.
Pjesëmarrja e gjerë e komunitetit shqiptar në Mal të Zi dëshmoi edhe një herë rolin e tyre të çmuar si urë lidhëse mes dy shteteve, si dhe kontributin e vijueshëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe të bashkëpunimit rajonal.
Në njoftimin për shtyp, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi falënderon të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, duke riafirmuar përkushtimin për avancimin e partneritetit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe forcimin e vizionit të përbashkët evropian.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat