Në takimin e udhëheqjes së Komunës së Plavës me ekipin e Ministrisë për Përkujdesjen Sociale, Kujdesin Familjar dhe Demografinë, në krye me ministrin Damir Gutiq, të mbajtur të premten më 7 nëntor 2025 në sallën e komunës për takime e tubime, është konkluduar se janë në fazën përfundimtare punimet për ndërtimin e objektit të shtëpisë së të moshuarve.
Bashkëbiseduesit kanë theksuar se funksionimi i shtëpisë së të moshuarve do të avancojë dukshëm sistemin e mbrojtjes sociale dhe kujdesin ndaj bashkëqytetarëve të moshuar, duke u bërë mbështetës i rëndësishëm për popullatën e moshuar në qytetin e Plavës dhe rajonin më të gjerë.
Tema të takimit në fjalë kanë qenë avancimi i shërbimeve në fushën e mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, si dhe të politikës demografike në territorin e Komunës së Plavës – përmes nismave të cilat përkrahin familjet, fuqizojnë bashkësinë dhe avancojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq ka deklaruar se në takim kanë biseduar mbi përfundimin e punimeve në objektin e shtëpisë së të moshuarve, zbatimin e Planit Lokal të Mbrojtjes Sociale dhe të Fëmijëve për periudhën 2024-2028, Planit për të Rinjtë në periudhën 2025-2026, si dhe mbi masat e reja që kanë të bëjnë me barazinë gjinore dhe përkrahjen e fëmijëve me pengesa në zhvillim.
Ai ka thënë se “qëllimi ynë është që Plava të bëhet shembull i komunës, e cila i zbaton politikat sociale bashkëkohore dhe kujdeset për çdo qytetar, prej më të rinjve deri te më të moshuarit”.
Sh. Hasangjekaj
