Mungesa e fuqisë punëtore është një problematikë që vitet e fundit ka shënuar rritje dhe ka prekur një sërë shtetesh, përfshirë Malin e Zi, shtetet fqinje dhe një numër të madh të shteteve evropiane.
Kjo çështje vazhdon të jetë lajtmotiv i mediave, i qeverive, i shoqërisë civile dhe i shoqatave të ndryshme, të cilat vazhdimisht theksojnë problemin gjithnjë e më të madh në vend – të deficitit të fuqisë punëtore në shumë sfera të jetës, e në veçanti në ato të turizmit, tregtisë dhe ndërtimtarisë.
Mbi këtë problematikë, ditëve të fundit, përmes një konference për media, Shoqata e Punëdhënësve të Malit të Zi ka prezantuar një studim (analizë), i cili ka nxjerrë në pah se Mali i Zi tashmë ka mungesë reale të fuqisë punëtore. Është theksuar se deri në vitin 2030, Mali i Zi do të përballet me sfida edhe më serioze në këtë drejtim, pavarësisht se studimi tregon se aktualisht në vend janë rreth 30 mijë persona të papunë.
Në këtë kuadër, konferenca nxori në pah konkluzionin se është e domosdoshme që sa më parë të hartohen politika dhe masa efikase, me qëllim që tregu i punës të përshtatet me këto sfida dhe të parandalohen pasojat negative për ekonominë e vendit.
Nëpërmjet një vështrimi gjithëpërfshirës, Driton Gjokaj, magjistër i ekonomisë, i specializuar në degën e financave, tregon për këtë dukuri që ka prekur vendin tonë, por jo vetëm.
Ai vlerëson se mungesa e fuqisë punëtore është bërë një nga sfidat më serioze jo vetëm për ekonominë e Malit të Zi, por për krejt rajonin.
“Mungesa e fuqisë punëtore ndikon në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik, uljen e produktivitetit, por edhe në shtimin e varësisë nga punëtorët sezonalë të huaj. Shpeshherë punësimi i fuqisë punëtore të huaj ka efekt negativ, ngase nënkupton tërheqje të parave nga ekonomia vendase”, shprehet Gjokaj.
I pyetur se cilët janë sektorët më të prekur dhe cilat janë pasojat kryesore për ekonominë dhe shërbimet publike, ai përmend se, përveç turizmit, hotelerisë dhe ndërtimtarisë, ka mungesë të fuqisë punëtore fizike edhe në sektorin e bujqësisë, sidomos në zonat rurale.
“Kjo e fundit mund të vërehet edhe në komunën e Tuzit. Fatkeqësisht, në kohën e fundit kemi edhe emigrime nga fusha shumë profesionale, siç është për shembull mjekësia. Këto të lartpërmendurit mund të kenë rezultat negativ te cilësia e shërbimeve dhe rritje të varësisë nga punëtoria e shteteve të huaja”, shprehet Gjokaj.
Ndërkohë, edhe largimi i të rinjve nga vendi është një ndër shkaqet që po e përkeqëson këtë problem, si te ne, ashtu edhe në vende të tjera fqinje dhe në disa vende të BE-së.
“Ky emigrim ndikon shumë kur kemi të bëjmë me emigrimin e të rinjve të arsimuar dhe të zhvilluar në ndonjë profesion, e që largohen për shkak të kushteve më të mira të jetës apo punës dhe pagave më të larta që ofrohen në shtetet e zhvilluara. Dua të besoj se disa reforma të mira dhe avancime që janë krijuar në Mal të Zi, sidomos te pjesa e tregut të punës dhe ligjeve përkatëse, do të parandalojnë këtë trend në të ardhmen”, thekson Gjokaj.
I pyetur nëse mund të japë ndonjë shembull konkret nga komunat, si Tuzi, nëse mungesa e punëtorëve ka ndikuar në projekte ose shërbime, Gjokaj shprehet se buxheti i Komunës së Tuzit nga viti në vit ka shënuar rritje, ku pothuajse të gjitha projektet kapitale janë realizuar siç edhe janë planifikuar.
“Mirëpo, nga ana tjetër, jemi dëshmitarë se disa herë edhe investimet e komunave të ndryshme në Mal të Zi, por edhe ato në nivel shtetëror, qoftë në infrastrukturë apo shërbime tjera komunale, mund të jenë shtyrë për shkak të mungesës së kontraktorëve me staf të mjaftueshëm, gjë që është drejtpërdrejt e ndërlidhur me migrimin apo mungesën e klasës punëtore”, sqaron ai.
Duke folur për ndikimin e punësimit sezonal të punëtorëve të huaj në vend dhe mbi pasojat për tregun e punës dhe kuadrot lokale, bashkëbiseduesi ynë thotë se punësimi i të huajve, nga njëra anë, ndihmon në mbulimin e mungesës së fuqisë punëtore vendase, sidomos në sektorë me kërkesë të lartë si bujqësia, turizmi dhe ndërtimtaria, por nga ana tjetër mund të ndikojë edhe negativisht në tregun e punës.
“Sepse shpesh ul mundësitë e punësimit për punëtorët vendas dhe zvogëlon nivelin e pagave për shkak të pranimit të kushteve më të ulëta nga të huajt. Kjo mund të ulë motivimin e fuqisë punëtore vendase dhe të krijojë varësi të ekonomisë nga puna e huaj. Gjithsesi ky fenomen kërkon kujdes dhe politika të balancuara për të shmangur pasojat negative”, thekson Gjokaj.
Në fund, Driton Gjokaj sugjeron një sërë masash të cilat do të zbusnin mungesën e fuqisë punëtore në të gjithë vendin.
“Mund të veçohen disa masa, si: rritja e investimeve në arsimin profesional dhe trajnime praktike për t’i përshtatur aftësitë e punëtorëve me nevojat e tregut; pastaj përmirësimi i kushteve të punës dhe rritja e pagave për të tërhequr më shumë punëtorë vendas; nxitja e të rinjve për t’u përfshirë në sektorët me mungesë fuqie punëtore përmes stimujve financiarë dhe krijimi i programeve për rikthimin e klasës punëtore dhe asaj profesionale me përvojë pune që tashmë kanë migruar nga vendi”, përfundon Gjokaj.
Edhe raporti më i ri i Bankës Botërore mbi tregun e punës në Ballkanin Perëndimor tregon një pamje komplekse, ku rajoni vuan nga papunësia e lartë dhe mungesa kronike e fuqisë punëtore.
t. u.
