Donacion me vlerë nga Fondacioni “Plavë-Guci”

Tubimi u organizua me rastin e pranimit të donacionit të çmuar në të holla nga Fondacioni “Plavë-Guci” me seli në Nju Jork, i dedikuar enkas për transportin e nxënësve shqiptarë që i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe në shkollën e mesme të përzier në Plavë

Vuthaj – Në mjediset e Shtëpisë së Kulturës së fshatit Vuthaj të komunës së Plavës, më 1 nëntor 2025, nxënësit e shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq” me mësim në gjuhën shqipe në Plavë, mbajtën tubimin e falënderimit, të organizuar nga veprimtarja dhe aktivistja e shquar Tina Sinanaj – Qosaj.
Tubimi u organizua me rastin e pranimit të donacionit të çmuar në të holla nga Fondacioni “Plavë-Guci” me seli në Nju Jork, i dedikuar enkas për transportin e nxënësve shqiptarë që i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe në shkollën e mesme të përzier në Plavë.
Ky gjest fisnik u prit me shumë emocion e mirënjohje nga të rinjtë (nxënësit), të cilët në këtë mënyrë ndihen të mbështetur dhe të vlerësuar nga bashkëvendësit e tyre në diasporë.
Fjalën e rastit në këtë tubim e mbajti profesoresha e gjuhës dhe letërsisë frënge, Hasnije Kukaj – Gjonbalaj, e cila në emër të stafit arsimor dhe nxënësve shprehu mirënjohje të thellë për ndihmën e Fondacionit në fjalë, duke theksuar rëndësinë e këtij kontributi në motivimin e nxënësve dhe mbështetjen e arsimit në gjuhën shqipe në këtë trevë.
Në këtë tubim u lexua edhe një mesazh falënderimi drejtuar Fondacionit “Plavë-Guci”.
“Të dashur bashkëvendës dhe ju njerëz të vullnetit të mirë!
Ne, rinia e Plavë-Gucisë, sot pranuam dhuratën tuaj të çmuar për ne që kemi lindur e jemi rritur në këto troje. Pagesa e transportit tonë për në shkollën e mesme në Plavë nga ana juaj është një vepër e madhe dhe një madhështi në vetvete. Fjalët janë të pakta për të shprehur mirënjohjen ndaj kësaj vepre të lartë që keni bërë për ne. Ne do të rritemi e do të vazhdojmë përpara, por veprat tuaja dhe dashuria juaj për vendlindjen do të mbeten përgjithmonë në zemrat tona. Faleminderit shoqatës sonë të çmuar, të vlerësuar e të dëshmuar – Fondacionit ‘Plavë-Guci’, kryesisë së saj, donatorëve dhe të gjithë atyre që pa ngurrim përkrahën këtë nismë. Me mirënjohje të përhershme”, thuhet në mesazhin e nxënësve të shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat