Bashkë drejt rekordeve të reja

Fondi Humanitar “Trojet Tona” nga Nju Jorku ka realizuar aksionin e radhës në kuadër të veprimtarisë së vet humanitare në vendlindje. Të premten, më 24 tetor 2025, në Shtëpinë e Ullirit në Tivar, ky fondacion ka organizuar ndarjen e donacionit të çiftit humanitar, tashmë të dëshmuar, me banim në SHBA – Dina dhe Ahmet Kurmemaj. Bëhet fjalë për 60 mijë euro donacione për të prekurit me diabetin melit dhe 10 mijë euro për kuzhinën komunitare (popullore) në Tivar.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin vetë përfituesit e këtij gjesti human me familjarët e tyre, si dhe personalitete dhe profesionistë të dëshmuar të fushave përkatëse, në mesin e të cilëve edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe ai i Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq.
Në një postim në faqen e tyre në rrjetin social Facebook, Fondi Humanitar “Trojet Tona” ka falënderuar të gjithë ata që në mënyra të ndryshme gjithnjë i përkrahin dhe i shtyjnë përpara realizimin e nismave të tyre.
“Thuhet që të dhënit me zemër është i pamatshëm dhe i tillë, i pamatshëm mbetet dhe bilanci i Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan ‘Trojet Tona’. Por, duke jetuar në kohën e shifrave, në shenjë mirënjohjeje dhe motivimi për secilin donator, ia vlen të ceket përfundimi se çifti Dina dhe Ahmet Kurmemaj është afër shifrës rekorde prej 1 milion dollarësh në kuadër të të gjitha veprimtarive donatore për vendlindjen: 700 000 dollarë donacione në katër vitet e fundit dhe 200 000 dollarë paraprakisht në vitin 2010”, thuhet në postimin e këtij Fondi.
Pavarësisht kësaj, nga Fondi Humanitar “Trojet Tona” kanë nënvizuar se këto shifra megjithatë nuk e mbulojnë dëshirën e tyre të madhe për të kontribuar dhe për ta avancuar jetën e njeriut dhe tokës së të parëve tanë autoktonë.
“Prandaj, me dëshirë, motivim dhe gatishmëri do të vijojmë edhe më tej të bëjmë më të mirën për vendin tonë të shenjtë dhe për njeriun e tij me zemër dhe histori të madhe. Zoti e Bekoftë Familjen Kurmemaj, Zoti e Bekoftë SHBA-në!”, përfundon postimi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat