Panairi i gjashtë i produkteve tradicionale dhe i prodhimeve ushqimore “Expo Trieshi” u mbajt të dielën, më 19 tetor 2025, në fshatin Stjepoh, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës në Triesh, në të cilin morën pjesë një numër i konsiderueshëm ekspozuesish dhe një numër i madh vizitorësh.
Njëri ndër organizatorët, Kolë Lucaj, duke përshëndetur të pranishmit, foli për organizimin tashmë prej gjashtë vitesh të këtij panairi, duke thënë se ky udhëtim ishte plot sfida, mirëpo, siç tha, falë gjetjes së gjuhës së përbashkët me prodhuesit vendorë, ia arritën qëllimit.
“Na gëzon fakti se nga viti në vit, interesimi për pjesëmarrje në këtë panair rritet çdo herë e më shumë, prandaj dhe jemi më të lumtur dhe vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, duke na motivuar që puna jonë të jetë dita-ditës edhe më e madhe”, u shpreh Lucaj.
Ai më tej theksoi se ndër vite, për ta organizuar këtë panair, kanë pasur mbështetje të ndryshme, duke filluar nga ndihma individuale e deri tek institucionet publike.
Lucaj falënderoi të gjithë sponsorët që ndihmuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij panairi, nga Komuna e Tuzit e deri te shoqatat atdhetare me seli në SHBA.
Panairin e sivjetshëm e hapi kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, i cili tha se çdo vit rritet interesimi për t’iu bashkuar këtij panairi dhe se, edhe numri i vizitorëve është në rritje. Ai shpalosi disa projekte që janë realizuar dhe që pritet të realizohen në territorin e komunës së Tuzit, me theks në fillimin (vitin e ardhshëm) e një projekti që ka të bëjë me punimin e hartës digjitale për turizëm në këtë komunë.
“Me realizimin e këtij projekti, të gjitha vendet në Malësi do të vizitohen më shumë dhe turistët që kalojnë nëpër komunën tonë do të kenë mundësi ta njohin Komunën e Tuzit edhe më shumë, dhe pse jo, edhe ne si komunë të ofrojmë mundësitë tona, edhe të këtij lloji që është sot, por edhe mundësi turistike”, tha Gjelaj.
Në këtë aktivitet, një program kulturor-artistik u shpalos nga shoqëria kulturore-artistike “Besa” nga Trieshi, ndërsa vizitorët patën mundësi të provojnë dhe të blejnë ushqime e produkte të ndryshme tradicionale dhe autentike të zonës.
Kujtojmë se organizimi i panaireve të tilla ka për synim që të promovojë dhe të ringjallë produktet ushqimore të cilat kultivohen nëpër zonat rurale të Malësisë, me qëllim që atyre t’iu rikthehet vlera dhe vëmendja që meritojnë.
t. u.
