Ditë e bukur tetori. Java e fëmijëve dhe ku ka më bukur se të shënohet kjo ditë në Anën e Malit, me shokë e shoqe, në kopshtin e rindërtuar në Katërkollë.
Grupi i Dallëndysheve hapi dyert për mikpritjen e shokëve nga Ulqini. Ishin këta fëmijët e Kopshtit “Solidariteti”, të cilët i vizituan shokët, luajtën dhe u shoqëruan, duke kaluar një ditë të paharruar.
Grupi i fëmijëve të moshës 3-4 vjeç, të shoqëruar nga prindërit e tyre, mbanin në dorë nga një lodër që i kishin sjellë me plot dashuri për shokët e ri. Dorëzimi i lodrave, përqafimet që fëmijët shkëmbyen, na i mbushën sytë me lot, lot gëzimi që tregojnë se sa dashuri dhe pastërti fëmijët kanë në zemrat e tyre, por vetëm duhet t’i udhëzosh dhe t’u krijosh kushte.
Pas shumë peripecive rreth sigurimit të fondeve dhe zvarritjeve, dallëndyshet e Anës së Malit sivjet më në fund u kthyen në folenë e vet – në kopshtin e ri. E gëzofshi fëmijë, e gëzofsh Anë e Malit.
Mos u ndalni me kaq, sepse ju meritoni më shumë, shoqëria është e obliguar t’ju ofrojë kopshtin me qëndrim gjithëditor. Ka shumë prindër të cilët e kanë më se të nevojshme që fëmijën ta vendosin në kopsht me qëndrim tërëditor.
Gjatë kthimit, u ndalëm në parkun e përkryer publik Hajdari në Zenelaj. Edhe këtu shumë fëmijë por edhe prindër ishin për herë të parë. Prindërit komentuan për hapësirat e bollshme, projektin shumëfunksional, pozitën fantastike të kopshtit në Katërkollë.
U larguam nga Ana e Malit duke ju dëshiruar shëndet dhe çdo të mirë, falënderuam koleget për mikpritjen e përzemërt. “Kur të vjen miku në shtëpi, të nderon. Faleminderit që na nderuat”.
Mbetem me shpresë se edhe fëmijët e Ulqinit së shpejti do të fitojnë kopshtin e ri. Është më se e nevojshme të bashkohemi – Ministria e Arsimit dhe Inovacionit, Komuna e Ulqinit, qytetarët, diaspora, prindërit dhe ne si staf duke e vendosur ndërtimin e kopshtit të ri në Ulqin si projekt parësor për fëmijët tanë.
Nuk kemi kohë për zvarritje, sepse kemi tejkaluar çdo kufi… Ju ftoj të na vizitoni dhe të bindeni se në çfarë kushtesh punojmë, ku i kemi vendosur fëmijët, në shtëpi private, pa oborre, pa sigurinë e duhur – me dalje drejt në rrugë…
Lumnije Bisha
(Autorja është edukatore në Institucionin Parashkollor Publik “Solidariteti” në Ulqin)
Mikpritja e Anës së Malit
Grupi i fëmijëve të moshës 3-4 vjeç, të shoqëruar nga prindërit e tyre, mbanin në dorë nga një lodër që i kishin sjellë me plot dashuri për shokët e ri. Dorëzimi i lodrave, përqafimet që fëmijët shkëmbyen, na i mbushën sytë me lot, lot gëzimi që tregojnë se sa dashuri dhe pastërti fëmijët kanë në zemrat e tyre, por vetëm duhet t’i udhëzosh dhe t’u krijosh kushte
