Në funksion të fëmijëve brenda disa ditësh

Sipas njoftimit nga Sekretariati për Veprimtari Komunale dhe Banesore, aktualisht po përmbyllet faza e dytë e punimeve, me të cilën parku do të vihet në funksion dhe do t’u ofrojë fëmijëve një nga hapësirat më të mëdha dhe më moderne për lojë dhe pushim në qytet

Sekretariati për Veprimtari Komunale dhe Banesore i Komunës së Ulqinit po vazhdon me intensitet punimet në ndërtimin e Parkut Qendror të Qytetit, një nga projektet më të mëdha komunale në fushën e rekreacionit dhe argëtimit për fëmijë.
Sipas njoftimit nga ky sekretariat, aktualisht po përmbyllet faza e dytë e punimeve, me të cilën parku do të vihet në funksion dhe do t’u ofrojë fëmijëve një nga hapësirat më të mëdha dhe më moderne për lojë dhe pushim në qytet.
Në fazat në vijim parashihet të realizohen komponentët që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen nga komunikacioni, si dhe vendosjen e ndriçimit publik, për ta bërë parkun plotësisht funksional dhe të sigurt për të gjithë vizitorët.
Me buxhetin e vitit 2026, Komuna e Ulqinit planifikon të vazhdojë me fazat që do t’u shërbejnë familjeve dhe të moshuarve, duke përfshirë gjelbërimin e hapësirave, zonat për relaks dhe hapësirat sportive për të gjitha moshat.
Ky projekt synon të plotësojë nevojën e qytetarëve për hapësira publike cilësore të destinuara për rekreacion dhe pushim.
Parku Qendror vlerësohet si projekti më madhor në fushën e zonave argëtuese për fëmijë për këtë vit, pas përfundimit të mikrolokacioneve të këndeve të lojërave në Plazhin e Vogël (dy lokacione) dhe te Shtëpia e Kulturës, ndërsa deri në fund të vitit pritet të përfundojë edhe rregullimi i këndit të lojërave në parkun publik në Zenelaj.
Sekretari Leart Taipi tregon se në kuadër të projekteve infrastrukturore ky sekretariat po realizon edhe adaptimin e qasjeve për persona me aftësi të kufizuara në dy bulevardet kryesore të qytetit – “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe “Vëllezërit Frashëri”. Ky projekt, me vlerë rreth 20 mijë euro, ka për qëllim të mundësojë lëvizje të lirë, të sigurt dhe pa pengesa për të gjithë qytetarët, veçanërisht për personat me nevoja të veçanta.
Punimet pritet të përfundojnë brenda dhjetë ditësh, ndërsa gjatë vitit të ardhshëm planifikohet që projekte të ngjashme të zbatohen edhe në rrugët tjera kryesore të qytetit, për ta bërë infrastrukturën publike plotësisht të qasshme për të gjithë.
Ky sekretariat është aktualisht i fokusuar edhe në përfundimin e disa projekteve të rëndësishme, si: infrastruktura nën¬tokësore në rrugën Mujo Ulqinaku, fillimi i punimeve për ndërtimin e basenit të ujit të pijshëm në fshatin Bojk, përzgjedhja e punëkryesve për projektet “Rana Hub” (qendra multimediale), rregullimi i fasadave të ndërtesave dhe rikonstruksioni i Bibliotekës së Qytetit në Qendrën e Kulturës.
Në fazë projektimi janë gjithashtu: linja sekondare e kanalizimit në Fushën e Ulqinit,
rikonstruksioni i bulevardit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, trotuari i rrugës Dom Simon Filipaj (magjistrala), fabrika për trajtimin dhe filtrimin e ujit të pijshëm në burimet Fraskanjel, si dhe objekti për klorifikimin e ujit të pijshëm.
Nga fondet e NP “Të Mirat Detare” do të fillojë realizimi i projektit për rregullimin e shëtitores në Plazhin e Vogël dhe rregullimin e këndit të lojërave në parkun e Plazhit të Vogël.
Sekretariati gjithashtu po ndihmon në realizimin e projekteve të rrugës Krythë–Tivar dhe fillimin e punimeve në rrugën Katërkollë–Shtegvashë, pjesë e projektit të nisur për rikonstruksionin e rrugës Katërkollë–Ostros, ndërsa po bashkëpunon edhe në fillimin e projektimit të bulevardit të rrugës së Shtojit.

Arjona Resulani

Të fundit

më të lexuarat