Ulqin – Marrëveshja për dhënien e granteve të pakthyeshme nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor është nënshkruar midis Ministrisë së Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, Komunës së Ulqinit dhe kompanisë Vodacom.
Marrëveshjen e kanë nënshkruar ministri Damjan Qullafiq, drejtori i bankës KfW Klaus Müller, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu dhe drejtori i Vodacom-it, Dragan Roganoviq.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë ambasadori i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Satler dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Felten.
Në deklaratën për shtyp të Komunës së Ulqinit thuhet se projekti për ndërtimin e impiantit për pastrimin e ujërave të zeza në komunën e Ulqinit paraqet një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës ekologjike në bregdetin Adriatik të Malit të Zi. Ky investim, me vlerë 30.7 milionë euro, është pjesë e bashkëpunimit shumëvjeçar midis Qeverisë së Malit të Zi, bankës KfW dhe komunave bregdetare, në kuadër të projektit “Furnizimi me ujë dhe kanalizimi i ujërave të zeza në bregdetin Adriatik”, i cili është duke u zbatuar që nga viti 2003.
Me ndërtimin e impiantit dhe infrastrukturës përcjellëse do të përmirësohet ndjeshëm sistemi i trajtimit të ujërave të zeza në Ulqin, duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qullafiq, falënderoi drejtorin e bankës KfW, si dhe shkëlqesitë – ambasadorët Satler dhe Felten, si dhe drejtorin Roganoviq për mbështetjen dhe kontributin në këtë projekt.
“Besoj se shumë shpejt do të jemi në terren dhe do të shënojmë rezultatet e para të punës sonë të përbashkët. Ne do të vazhdojmë të investojmë së bashku në projekte të ngjashme në të gjithë Malin e Zi për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve natyrore”, theksoi ai.
Drejtori i bankës KfW, Klaus Müller shprehu kënaqësinë që pati mundësinë të nënshkruajë një marrëveshje që përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mbrojtjes së mjedisit në Mal të Zi. Ai theksoi se ky projekt ka rëndësi të madhe për përmirësimin e mjedisit dhe për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga kapitulli 27.
Drejtori i Vodacom-it, Dragan Roganoviq, falënderoi ministrin Qullafiq, duke theksuar se projekti do të përmirësojë ndjeshëm sistemin e pastrimit të ujërave të zeza në Ulqin. Ai kujtoi se Vodacom, në bashkëpunim me bankën KfW, ka realizuar deri tani projekte me vlerë mbi 120 milionë euro, përfshirë impiantet në Herceg Novi, Tivat dhe Kotorr.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu shprehu mirënjohjen e tij ndaj Qeverisë së Malit të Zi dhe Ministrisë së Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut për sigurimin e fondeve të pakthyeshme, duke theksuar se investimi prej mbi 30 milionë euro do të ketë rëndësi të madhe për zhvillimin e komunës.
Ai theksoi se ndërtimi i impiantit për pastrimin e ujërave të zeza do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve, ruajtjen e burimeve natyrore dhe përmirësimin e infrastrukturës komunale në Ulqin.
(Kohapress)
