Kujdesi për shëndetinmendor, themel i mirëqenies

“Krijimi i hapësirave në shkollë, si psikologu shkollor, kujdestari, shoku apo shoqja e besueshme, janë disa aspekte që e ndihmojnë fëmijën të jetë më i organizuar, duke e ruajtur ekuilibrin emocional dhe pa e ulur vetëbesimin. Këto janë disa aspekte që i ndihmojnë fëmijët të orientohen për ndihmë dhe siguri emocionale”, theksoi psikologia Tereza Sinishtaj

Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor, e cila shënohet çdo vit më 10 tetor, u shënua edhe këtë vit në disa komuna të Malit të Zi nëpërmjet ligjëratave, festivaleve dhe aktiviteteve të tjera ndërgjegjësuese e edukative.
Edhe në Tuz, në kuadër të javës së rinisë, Komuna e Tuzit në bashkëpunim me Organizatën “Kryqi i Kuq” organizuan të premten, më 10 tetor 2025, një punëtori me adoleshentët nga gjimnazi “25 Maji” dhe nxënësit nga shkolla fillore “Mahmut Lekiq”, ku si temë kishin shëndetin mendor, parandalimin e varshmërive dhe shëndetin riprodhues.
Përmes kësaj punëtorie u trajtua shëndeti mendor te fëmijët dhe adoleshentët. Mbi rëndësinë që të rinjtë të kenë mbi këtë temë, psikologia dhe ligjëruesja në këtë punëtori, Tereza Sinishtaj, thotë se këto njohuri kanë një rëndësi të veçantë për të rinjtë për arsye se “duke edukuar gjeneratat e reja kemi krijuar një shoqëri më produktive në të ardhmen”.
“Duke edukuar të rinjtë kemi mbjellë një farë të shëndoshë në shoqëri, si në aspektin emocional, po ashtu edhe në aspektin e produktivitetit shoqëror”, shprehet ajo.
Sa i përket ndikimit që kanë aktivitetet praktike si punëtoritë në ndërgjegjësimin e shoqërisë për shëndetin mendor, ajo shpjegon se sot jetojmë në botën e digjitalizimit dhe kemi informata të bollshme teorike, mirëpo sipas saj, ajo çfarë është më e rëndësishme është se si këto teori mund t’i përkthejmë në përvojat tona reale në jetë.
“Pra, duke luajtur role të ndryshme me problematika të ndryshme, të rinjtë e kanë më të lehtë t’i zbërthejnë pjesët teorike dhe t’i vënë në praktikë”, shprehet ajo.
Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë hapash mund të ndërmarrin individët për t’u kujdesur për shëndetin e tyre mendor në jetën e përditshme, ajo sqaron se për t’u kujdesur për shëndetin mendor kërkohet që individët të ndërgjegjësohen mbi kujdesin mendor, pasi, siç tha, shëndeti mendor nuk është vetëm trajtimi i problematikave dhe çrregullimeve psikologjike.
“Por ai nënkupton aftësinë për t’u përballur me vështirësitë, për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe për të pasur qëllim në jetë. Sipas OBSH-së, shëndeti mendor është gjendje mirëqenieje ku individi i kupton aftësitë e tij, mund të përballojë stresin normal të jetës, të punojë me produktivitet dhe të kontribuojë në komunitet. Me fjalë të tjera, shëndeti mendor është kujdesi ynë ndaj gjendjes emocionale, psikologjike dhe sociale, dhe ndikon në mënyrën se si mendojmë, ndiejmë dhe veprojmë”, shprehet Sinishtaj.
Për të krijuar ambiente ku fëmijët dhe të rinjtë të ndihen të lirë të kërkojnë ndihmë pa u gjykuar, Sinishtaj thotë se për ta arritur këtë, edukimi familjar, duke mos gjykuar, por duke tentuar që të jenë sa më afër fëmijës dhe duke qenë empatikë në lidhje me situatat dhe dinamikat e përditshmërisë, ndihmon shumë që fëmija të mos ndihet i vetmuar përballë sfidave të kohës, siç janë presionet grupore në shoqëri, bullizimet online dhe fizike, streset dhe ankthi para provimeve, menaxhimi i kohës dhe koha pa telefona para gjumit.
“Krijimi i hapësirave në shkollë, si psikologu shkollor, kujdestari, shoku apo shoqja e besueshme, janë disa aspekte që e ndihmojnë fëmijën të jetë më i organizuar, duke e ruajtur ekuilibrin emocional dhe pa e ulur vetëbesimin. Këto janë disa aspekte që i ndihmojnë fëmijët të orientohen për ndihmë dhe siguri emocionale”, theksoi psikologia Tereza Sinishtaj.
Në përgjigje të pyetjes se sa e rëndësishme është që shëndeti mendor të shihet si pjesë themelore e mirëqenies dhe e zhvillimit personal, psikologia thotë se ai ka rëndësi të veçantë për jetën personale dhe shoqërore, pasi, siç thotë, shpesh problemet mendore fillojnë me shenja të vogla, por nëse injorohen, mund të përkeqësohen dhe të bëhen më të vështira për t’u trajtuar.
“Prandaj nëse kemi një edukim të hershëm se si duhet ruajtur dhe trajtuar një situatë, do të sigurojmë një mirëqenie për të ardhmen”, përfundon Sinishtaj.
Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor shënohet çdo vit më 10 tetor, me qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit mbi çështjet e shëndetit mendor, mbështetjen e iniciativave për kujdesin psikologjik dhe promovimin e mirëqenies emocionale në mbarë botën.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat