Pak kohë më parë, një grup bashkatdhetarësh trieshianë me banim në Miçigan, Nju Jork dhe në Malësi ndërmorën nismën për blerjen e një automjeti zjarrfikës, por jo vetëm, pasi ai do të jetë shumëfunksional.
Në lidhje me këtë aksion, Agron Dedivanaj, si nismëtar i këtij projekti, në prononcimin për gazetën “Koha javore” thotë se kjo nismë lindi nga një shqetësim i përbashkët që e kanë ndier prej vitesh si banorë dhe si bij të Trieshit, kudo që ata jetojnë.
“Një shqetësim që vitet e fundit është bërë edhe më i prekshëm, jo vetëm në Malësi por në mbarë rajonin. Shpesh kemi qenë dëshmitarë të përpjekjeve të vendasve tanë, të cilët, edhe pse duke përdorur mjete të vjetruara e jo adekuate, kanë punuar me net të tëra për të shuar zjarret që i rrezikonin banesat, natyrën dhe pasurinë e përbashkët e madje shpesh duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre”, shprehet Dedivanaj.
Ndryshimet klimatike, thotë ai, verat gjithnjë e më të thata dhe rritja e rrezikut nga zjarret, i detyruan ata të mendojnë për një zgjidhje afatgjatë.
Ky kamion, për të cilin Dedivanaj thotë se procedurat administrative për blerjen e tij janë në fazën përfundimtare, do të përshtatet për përdorim të shumëfishtë – për shuarjen e zjarreve, furnizimin me ujë gjatë verës dhe për pastrimin e rrugëve nga bora.
Për të, thelbësore ka qenë që ky proces të jetë sa më transparent dhe në përputhje me të gjitha standardet, pasi, siç thekson, projekti nuk përfaqëson vetëm një kontribut financiar, por edhe një model të ri menaxhimi e bashkëpunimi mes komunitetit dhe institucioneve vendore.
“Përveç shuarjes së zjarreve, ai do të shërbejë për furnizim me ujë në periudhat e thatësirës, një domosdoshmëri që, sipas bindjes sonë, mund të nxisë edhe rikthimin e banorëve për të jetuar në Triesh. Po ashtu, pastrimi i rrugëve nga bora në dimër do të garantojë lëvizje të sigurt për nxënësit dhe punonjësit, duke rritur njëkohësisht atraktivitetin e zonës për turizëm malor gjatë gjithë vitit”, thekson Dedivanaj.
Një përfitim i veçantë, shton ai, pritet edhe për bjeshkën e Koritës, “siç është krijimi i qasjes së rregullt gjatë dimrit, që, siç thotë, do të mundësojë zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe turizmit dimëror, si skijimi apo sporte të tjera, duke i dhënë kësaj zone një perspektivë reale për turizëm të qëndrueshëm dhe duke e bërë më tërheqëse për vizitorët vendas e të huaj, pa pasur nevojë që malësorët të kërkojnë alternativa jashtë vendit”.
“Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për një mjet teknik, por për një element të rëndësishëm të infrastrukturës së sigurisë dhe zhvillimit lokal, që i jep komunitetit tonë një peshë të re edhe në proceset vendimmarrëse”, shprehet ai.
Deri më tani janë mbledhur mbi 40 mijë dollarë nga bashkatdhetarët, pra një reagim i menjëhershëm, i cili tregon për një unitet të komunitetit.
“Mbledhja e mbi 40 mijë dollarëve në një periudhë kaq të shkurtër është dëshmi e fortë e solidaritetit dhe pjekurisë së diasporës trieshiane. Kjo nuk është vetëm ndihmë financiare, është një mesazh i qartë se komuniteti ynë e sheh veten si faktor zhvillimi dhe partner serioz në çështjet publike. Vlen të falënderojmë edhe bashkëqytetarë nga treva të tjera të Malësisë, të cilët që nga momenti i shpalljes publike të projektit kanë kontribuar me entuziazëm”, shprehet Dedivanaj.
Ndërkohë, pjesë e këtij projekti është edhe ndërtimi i një objekti shërbimesh, ku mjeti dhe pajisjet do të ruhen dhe mirëmbahen.
“Objekti që do të ndërtohet pranë Shtëpisë së Kulturës “Besa” në Triesh, do të shërbejë si bazë teknike me të gjitha pajisjet bashkëkohore të nevojshme për një shërbim zjarrfikës dhe pastrimi bore. Është arritur një marrëveshje mes Komunës së Tuzit, Bashkësisë Lokale të Trieshit dhe bordit tonë për realizimin e projektit”, u shpreh Dedivanaj.
Ai shtoi se në takimin me zëvendëskryeministrin Nikë Gjeloshaj, kreun e Komunës së Tuzit dhe të Bashkësisë Lokale të Trieshit, është premtuar punësimi i një shoferi dhe i një operatori vendas, si dhe mbulimi nga ana e Komunës i të gjitha shpenzimeve të mirëmbajtjes së automjetit dhe ndërtesës.
“Kjo marrëveshje siguron jo vetëm funksionim të rregullt, por edhe krijon një pikë të qëndrueshme bashkëveprimi midis diasporës dhe institucioneve, duke i dhënë projektit një dimension afatgjatë, përtej kontributit fillestar vullnetar”, shprehet ai.
Për Dedivanajn projekti tregon se roli i diasporës shkon përtej dërgimit të remitencave dhe, siç tha, ai paraqet një formë të “fuqisë së butë” që nxit institucionet vendore të reagojnë dhe të bashkëpunojnë.
“Duhet theksuar se bashkëpunimi ynë me Komunën e Tuzit është në nivel të duhur dhe vendimi i Komunës për të mbuluar mirëmbajtjen e mjetit, me kusht që blerja e automjetit dhe ndërtimi i objektit të bëhet nga komuniteti, është shembull i qartë se kur qytetarët dhe diaspora veprojnë me vizion, institucionet publike i përgjigjen pozitivisht”, thotë ai.
Në përmbyllje të prononcimit, nismëtari i këtij projekti, Agron Dedivanaj thotë se ky investim është një dëshmi e gjallë se si dashuria për vendlindjen mund të shndërrohet në vizion të përbashkët për zhvillim, përfaqësim dhe forcim të lidhjeve mes diasporës dhe institucioneve lokale.
t. u.
