Investime të reja në infrastrukturë dhe hapësira publike

“Qëllimi ynë është të krijojmë një Ulqin modern, me infrastrukturë funksionale dhe hapësira publike të denja për qytetarët tanë”, ka thënë sekretari i Sekretariatit për Investime në Komunën e Ulqinit, Minir Karamanaga

Ulqin – Sekretari i Sekretariatit për Investime në Komunën e Ulqinit, Minir Karamanaga, ka bërë të ditur se pas përfundimit të sezonit turistik qyteti do të hyjë në një fazë të re punimesh kapitale me qëllim përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hapësirave publike.
Sipas Karamanagës, projekti më i madh që pritet të nisë është rikonstruksioni i rrugës “Mujo Ulqinaku”, nga përfundimi i kalldrëmit deri tek ish-hoteli “Galeb”.
“Punimet kanë filluar të hënën, më 22 shtator dhe pritet të zgjasin deri më 31 dhjetor 2025, me synim që rruga të përfundojë para Vitit të Ri”, tha ai.
Projekti ka një vlerë afër një milion euro dhe do të përfshijë jo vetëm shtrimin e asfaltit dhe ndërtimin e trotuareve në të dyja anët, por edhe zëvendësimin e të gjithë infrastrukturës nëntokësore, përfshirë rrjetin e ujësjellësit, kanalizimin dhe kabllot elektrike. Punimet do të realizohen nga kompania “Putevi Bar”, ndërsa financimi është siguruar nga buxheti i shtetit.
Karamanaga ka thënë se ky investim është i rëndësishëm për zhvillimin urban të qytetit dhe lehtësimin e qarkullimit.
Ai paralajmëroi se gjatë punimeve, komunikacioni në këtë pjesë të qytetit do të jetë i mbyllur përkohësisht dhe u kërkoi qytetarëve mirëkuptim.
Në vazhdim, sekretari i Sekretariatit për Investime njoftoi për disa investime të tjera në hapësirat publike. Një ndër projektet kryesore është rregullimi i hapësirës pranë kopshtit “Xixëllonja”, ku po ndërtohet një kënd lojërash për fëmijë, po rregullohet parkingu dhe po krijohet infrastrukturë më e përshtatshme për banorët. Vlera e këtij investimi është rreth 100 mijë euro dhe pritet të përfundojë së shpejti.
Po ashtu, është drejt përfundimit faza e dytë e parkut në Plazhin e Madh, me një kosto prej 300 mijë euro. Në këtë zonë janë planifikuar edhe lodra moderne për fëmijë, për të cilat janë ndarë 100 mijë euro shtesë.
Karamanaga rikujtoi se parku pranë Shtëpisë së Kulturës u rregullua në muajin prill, me një investim prej 50 mijë euro, dhe tashmë i ka dhënë zonës një pamje më tërheqëse.
Gjithashtu, janë përfunduar procedurat e tenderimit dhe është nënshkruar kontrata për rregullimin e hapësirës pranë Komunës së Ulqinit, përpara ndërtesave të ashtuquajtura “Ndërtesat e Solidaritetit”.
Projekti parashikon krijimin e parkingjeve të reja, gjelbërimin e zonës dhe ndërtimin e një këndi lojërash për fëmijë. Vlera e investimit i tejkalon 100 mijë euro dhe do të financohet nga buxheti i Komunës së Ulqinit.
Një tjetër projekt është ndërtimi i një terreni për streetball në rrugën e Kosovës, me vlerë rreth 50 mijë euro, gjithashtu i financuar nga buxheti i Komunës, ka bërë të ditur Karamanaga.
Në fund, ai theksoi se një nga projektet më të mëdha që pritet të realizohet është përmirësimi i sistemit të ujësjellësit në qendër të qytetit, me një vlerë prej afro 20 milionë euro, i financuar përmes një marrëveshjeje kredie bankare.
“Qëllimi ynë është të krijojmë një Ulqin modern, me infrastrukturë funksionale dhe hapësira publike të denja për qytetarët tanë”, ka përfunduar Karamanaga.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat