Në fokus, bashkëpunimi i komunave me partnerët ndërkombëtarë

Takimi i zhvilluar në një atmosferë konstruktive është fokusuar në situatën shoqërore aktuale në këto dy komuna, si dhe në planet dhe projektet të cilat do të realizohen në periudhën e ardhshme. Gjatë takimit, ambasadorja Meken ka shprehur përkrahjen e zhvillimit të bashkësive lokale dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të komunave dhe partnerëve ndërkombëtarë

Plavë – Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Mal të Zi, Don Meken, të enjten më 18 shtator 2025, në ambientin e Restorantit “Aqua Resort”, i cili gjendet në bregun e djathtë të liqenit të Plavës, në lagjen Llatek të fshatit Brezojevicë jo larg Plavës, u takua me drejtuesit e Komunës së Plavës dhe Gucisë.
Nga Komuna e Plavës në takim morën pjesë kryetari Nihad Canoviq, kryetari i Kuvendit të Komunës, Allen Balliq, dhe kryeadministratori Adnan Shaboviq, ndërsa nga Komuna e Gucisë kryetari Sanell Balliq, nënkryetari i Komunës Asdren Çelaj dhe kryetari i Kuvendit të Komunës, Edvin Bektesheviq.
Takimi i zhvilluar në një atmosferë konstruktive është fokusuar në situatën shoqërore aktuale në këto dy komuna, si dhe në planet dhe projektet të cilat do të realizohen në periudhën e ardhshme.
Gjatë takimit, ambasadorja Meken ka shprehur përkrahjen e zhvillimit të bashkësive lokale dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të komunave dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Drejtuesit e komunave në fjalë kanë parashtruar sfidat momentale, si dhe projektet potenciale që mund t’i kontribuojnë avancimit të cilësisë të jetës së qytetarëve.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, ka theksuar se “takimet e këtilla pa dyshim kontribuojnë në lidhshmërinë më të mirë dhe hapin hapësirë për bashkëpunim të mëtejmë që është me rëndësi thelbësore për zhvillim të qëndrueshëm të komunave tona”.
Ai po ashtu ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë në fuqizimin e marrëdhënieve reciproke dhe shkëmbimin e ideve, të cilat do t’i kontribuojnë prosperitetit të bashkësive të cilat i përfaqësojnë.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat