Organizim dhe rrjet i gjallë veprues në shumë fusha shoqërore

Mbështetur në të dhënat arkivore dhe publikimet e bëra nga studiuesit mbi ekzistencën dhe funksionimin e xhamive në kuadër të nëntë imametnive dhe Myftinisë/Nënmyftinisë së Ulqinit në hapësirën e Nënprefekturës së Ulqinit 1941-1944 mund të konstatojmë se bëhet fjalë për një organizim dhe rrjet të gjallë veprues në aktivitetet fetare, shoqërore etj.

Mr. Ali Bardhi

(vijon nga numri i kaluar)
Të dhënat e regjistruara nga imametnitë shohim se i shfrytëzonte edhe Ministria e Punëve të Brendshme për të pasur më tepër informacione rreth banorëve, gjendjes së tyre familjare etj., me qëllim edhe rekrutimin e të rinjve në ushtri. Si shembull mund të paraqesim shkresën e datës 23.08.1943, nr. 460/II, të kryetarit të Bashkisë së Ulqinit, Hajdar Daka, dërguar Imamatit Namazgjah, ku kësaj të fundit i kërkohet lista e gjendjes familjare për të rekrutuarin Zejnel Brahim Zejnelaga, nga Lagjja e Re (Mëhalla e Re) e këtij qyteti. (Shih faksimilen nr. XVI)
Imametnitë ushtronin edhe aktivitete të tjera me karakter edukativ, arsimor dhe kulturor. Sipas një dokumenti – qarkoreje të datës 25.07.1944, të lëshuar nga kryesia e Këshillit t’Ulemave në Tiranë në drejtim të myftinive, ku ajo e Ulqinit ua transmeton imametnive të Ulqinit kërkesat e cekura në qarkore, të cilat duhet t’i dorëzohen deri më 15 gusht 1944. Në qarkore kërkesat janë përmbledhur në katër pika: I – Të regjistrohen dhe shkruhet historia dhe veçoritë e tjera artistike të faltoreve me rëndësi, si: xhamitë, teqetë, tyrbet, mbishkrimet e tyre etj.; II – Festat fetare me një shkurtim mbi historinë dhe zhvillimin e tyre; III – Seminaret, institutet arsimore, kulturore dhe bamirësie myslimane në qoftë se ka; IV – Numri i fetarëve sot në funksion të institucionit, emrat dhe vendin e shërbimit të tyre. (Shih faksimilen nr. XVIII)
Xhamitë kanë predikuar edhe për unitet fetar e kombëtar. Kjo gjë shihet nga një dokument i datës 10.01.1944, nr. 656/I nr. 43, ku Kryesia e Këshillit të Ulemasë lëshon një qarkore në drejtim të kryemyftinive, myftinive, e cila mbërrin edhe në Myftininë e Ulqinit dhe zyrën e vakëfit, nëpërmjet së cilës urdhërohen imamët në qytete dhe fshatra që të flasin për bashkim fetar e kombëtar duke vënë në pah rrezikun nga ideologji të tjera (komunizmi, A. B.), i cili në thelb konsiderohej se është kundër Unitetit të Zotit (Vahdanij-jetit). (Shih faksimilen nr. XXIV)
Një funksion tjetër që kryenin imametnitë nëpërmjet xhamive ishin edhe aksionet humanitare të ndërmarra në raste emergjente. Sipas një dokumenti të datës 16.03.1944, nr. 88/I, Kryesia e Këshillit të Ulemave lëshon një qarkore në drejtim të myftinive, n/myftinive e zyrave të Vakëfit në Shqipëri, e cila mbërrin edhe në Myftininë e Ulqinit. Kjo e fundit ua përcjellë imametnive të veta, ku u kërkon që të mblidhen të holla për të dëmtuarit nga luftërat, sidomos për jugun e Shqipërisë që ka pësuar dëme më të mëdha. Në këtë qarkore jepen udhëzimet se si duhen grumbulluar të hollat, duke vendosur në çdo xhami një arkë ose kuti të mbyllur me çelës dhe dyll dhe hapja e tyre do të bëhet ditëve të xhuma nga kryetari dhe një anëtar, të cilat do t’i përcillen imametnisë, myftinisë. Ky aksion do të vazhdojë për një kohë derisa të zhduket mjerimi. (Shih faksimilen nr. XXIII)
Ndodhte që zbatimi i urdhëresave të mos kryhej në kohë si shkak i vonesave të raporteve. Si shembull mund të paraqesim një dokument të datës 1 qershor 1944, nr. 10/I, ku zv.myftiu i Ulqinit, Hafiz Hasan Llunji, i dërgon një shkresë imamit ofiqar në Krruç, të cilit i kërkohet që të japë informata rreth grumbullimit të të hollave për të ndihmuar të dëmtuarit nga lufta pasi kjo imametni nuk kishte mbledhur të holla, prandaj edhe i kërkohet arsyeja se përse nuk veprohet sipas udhëzimeve të dhëna në shkresë. Nëse nuk janë mbledhur të holla, të tregohet arsyeja dhe të jepet përgjigje brenda 10 ditëve. (Shih faksimilen nr. XXII-a)
Nga dokumentacioni në fjalë shohim se, sipas nevojës, Myftinia në drejtim të imamit ofiqar dërgonte edhe shtrëngesë, sanksion, kur imami nuk e kryente detyrën apo ngjashëm. Kështu sipas një dokumenti të datës 10.01.1944, nr. I, zëvendësmyftiu i Ulqinit i dërgon një shkresë imamit të Krruçit, Hafiz Halil Hoxhës, me të cilën e urdhëron që të kthehet në vendin e punës pasi kishte tre muaj që ishte larguar nga detyra duke banuar në Shkodër. (Shih faksimilen nr. XXII-b)
Në Arkivin e Bashkësisë Islame – Ulqin, përveç shkresave të mësipërme ekzistojnë edhe disa regjistra lindjeje e vdekjeje, si edhe për kurorëzime zyrtare që përfshijnë hapësirën e Komunës Qendër – Ulqin. Disa nga këta regjistra janë vendosur më përpara, që nga periudha e Mbretërisë së Malit të Zi, disa të tjera nga periudha e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene apo Mbretëria Jugosllave. Njëherit këta regjistra kanë shërbyer edhe si zyrtare për nevojat e administratës shtetërore, prandaj edhe ishin përpiluar në gjuhën serbe me alfabet cirilik nga administrata shtetërore. Por interesant është fakti se në disa prej këtyre regjistrave në periudhën e tokave të lirueme është vazhduar si më përpara për nevojat e administratës së re dhe se plotësimi i tyre është bërë në gjuhën shqipe. Nga viti 1945 shohim se shënimet e këtyre regjistrave filluan që të plotësoheshin në gjuhën serbe. Në këtë arkiv, në kuadër të këtyre regjistrave kanë mbetur edhe disa kopje të certifikatave të lindjeve, kopje të procesverbaleve të aktmartesave, vendime të Gjykatës Paqtuese t’Ulqinit për shkurorëzime, kopje të aktvdekjeve në gjuhën shqipe etj.
Aktualisht regjistrat për kurorëzime që ndodhen në Bashkësinë Islame – Ulqin përfshijnë imametnitë/xhematet e Namazgjasë, Kryepazarit, Krruçit, së bashku me fshatrat e rrethinës së afërt të Ulqinit, por për momentin nuk kemi njohuri për regjistra të tjerë të imametnive të Rashtishës dhe Millës, Ostrosit dhe Ftjanit si edhe ato të Peçuricës (Mërkotit) dhe Katundit-Madh (Velesello), pasi rrethanat në të cilat kaloi vendi mund të jenë bërë shkak për mos ruajtjen e tyre. Në të ardhmen duhen hulumtuar vendndodhja e tyre dhe të bëhet një studim më i hollësishëm.
Në regjistrin e kurorëzimeve të Imametnisë së Namazgjasë, ndërmjet faqeve 29-36, i plotësuar në gjuhën shqipe, shohim që në vitin 1942 janë lidhur 25 kurorëzime, në vitin 1943 pesë kurorëzime dhe deri në qershorin e vitit 1944 janë lidhur gjashtë kurorëzime.
Në regjistrin e kurorëzimeve të Imametnisë së Kryepazarit shohim se në vitin 1942 janë lidhur pesë kurorëzime, në vitin 1943 janë lidhur 12 kurorëzime dhe në vitin 1944 janë lidhur tetë kurorëzime. (Si shembull shih faksimilen nr. XXIV dhe XXIV-a)
Ndërsa sipas regjistrit të Imametnisë së Krruçit, e cila ka përfshirë fshatrat e rrethit të afërt të Ulqinit, shohim se në vitin 1942 janë lidhur gjashtë kurorëzime, në vitin 1943 shtatë dhe në vitin 1944 dhjetë kurorëzime.
Sa u përket regjistrave të vdekjeve, aktualisht në Bashkësinë Islame – Ulqin ndodhen tre regjistra që përfshijnë Komunën Qendër – Ulqin. Në regjistrin e vdekjeve për Imametninë e Kryepazarit, ndërmjet viteve 1942-1944 dhe faqeve 54-63 shohim se plotësimi i tij është bërë në gjuhën shqipe. Në këtë regjistër jepen të dhënat personale për të vdekurin, shkakun e vdekjes etj. Në vitin 1942 janë regjistruar 26 vdekje, në vitin 1943 janë regjistruar 35 vdekje, nga ku 12 prej tyre e kanë të shënuar shkakun e vdekjes prej bombardimeve të datës 07.11.1943 [Siç shihet nga të dhënat e regjistrave të vdekjeve të Imametnijes Namazgjah dhe Kryepazar të Komunës Qendër – Ulqin shohim se më 07.11.1943 janë regjistruar 27 persona të vdekur si shkak i bombardimeve nga forcat e Aleancës. Në regjistrin që përfshin Imametnijen e Kryepazarit shohim se kryesisht janë fëmijë dhe pleq, një pjesë e të cilëve janë varrosur në Pinjesh, ndërsa pjesa tjetër në Mera. Emrat e atyre që kanë vdekur në Ranë dhe varrosur në Pinjesh janë: Xhevat Hoxha (12 vjeç), Eljas Zatpufja (12 v.), Hajrije Zatpufja (10 v.), Meshqyre Zatpufja (2 v.), Ese Ushaku (32 v.), Mynire Ushaku (2 v.). Kurse emrat e atyre që kanë vdekur në Mera dhe janë varrosur në Mera janë: Zylejha Lazoja (Gorana) (36 v.), Fazli Lazoja (10 v.), Sevahete Lazoja (6 v.), Nafije Lazoja (16 v.), Hajrije Lamoja (42 v.), Feride Lamoja (20 v.), Xehvahire Lamoja (17 v.), Hakile Lamoja (9 v.), Qamil Kovaçi (34 v.), Fatime Lazoja (71 v.). Si shembull shih faksimilet nr. XXV dhe XXV-a] dhe katër si shkak vdekjeje pushkatimin, kurse në vitin 1944 janë regjistruar 17 vdekje të regjistruara në gjuhën shqipe dhe katër në serbisht.
Po kështu në regjistrin e vdekjeve për Imametninë e Namazgjasë, ndërmjet faqeve 117-135, nga dhjetori i vitit 1941 e deri në nëntorin e vitit 1944 shohim plotësimin e tij në gjuhën shqipe. Në dhjetorin e vitit 1941 është regjistruar një vdekje, në vitin 1942 pesëmbëdhjetë vdekje, në vitin 1943 njëzet e dy vdekje, nga ku 14 prej tyre e kanë të shënuar shkakun e vdekjes prej bombardimeve të datës 07.11.1943 [Në këtë regjistër emrat e të vdekurve nga bombardimet e datës 07.11.2023 në Ulqin, të cilët u varrosën në Mera janë: Ese Kasmi (Jusufi) 69-vjeçare, Hajrudin Kasmi (4 v.), Fahrudin Kasmi (2 muajsh), Fatime Kasmi (3 muajshe), Dalip Brisku (43 v.), Xhemale Mavrija (Katana) (65 v.), Halil Mavriqi (33 v.), Rukije Mavrija (Hoxha) (80 v.), Sabahete Mavrija (4 v.), Zejnel B. Zejnelaga (23 v.), Xhevdet Zejnelaga (7 v.), Ese Hasa (Kollari) (49 v.), Eljaz Çaushi (23 v.), Ymer Ali Kasmi, i varrosur në Lagjen e Re.
Në lidhje me vdekjen nga bombardimi i forcave të Aleancës, Branislav Kovaçeviq pohon “…Prilikom bombardovanja Ulcinja, 7. novembra 1943. godine, poginulo je 30 osoba i više ih je ranjeno…”, që d.m.th. “…Gjatë bombardimit të Ulqinit, më 7 nëntor 1943, vdiqën 30 persona dhe u plagosën shumë të tjerë….” Shih Prof. dr Branislav Kovačević, Savezničko bombardovanje Crne Gore 1943. i 1944. godine, https://www.montenegrina.net/pages/pages1/istorija/cg_u_2_svj_ratu/saveznicko_bombardovanje_cg_1943_44_cetvrti_dio.htm, marrë më 07.10.2023], kurse në vitin 1944 janë të regjistruara 18 vdekje.
Kurse regjistri i vdekjeve që përfshin Imametninë e Krruçit, përkatësisht fshatrat e rrethinës së afërt, ndërmjet faqeve 35-38 është i plotësuar në gjuhën shqipe dhe në vitin 1942 janë regjistruar tri vdekje, në vitin 1943 dhjetë vdekje, ndërsa në vitin 1944 tetë vdekje.
Ekziston edhe një regjistër i shtetësisë, ku regjistrimi i banorëve është realizuar sipas lagjes. Ndërmjet viteve 1942-1944 regjistrimi është bërë në gjuhën shqipe.
Në bazë të shënimeve në këta regjistra shohim se imamët që i kanë kryer këto shërbime kanë qenë Hasan Llunji, Izet Zenuni, Sulejman Peshku, Halil Hoxha, Met Breshnjani, Murat Hoxha, Idris Shata, Jakup Milla. Po kështu nga një listë e klerikëve që ishin me rrogë shteti dhe të paguar nga populli shohim se në kuadër të Myftinisë së Nënprefekturës së Ulqinit kanë qenë 68 imamë e myezinë. (Shih faksimilen nr. XV-a)

Përfundim
Mbështetur në të dhënat arkivore dhe publikimet e bëra nga studiuesit mbi ekzistencën dhe funksionimin e xhamive në kuadër të nëntë imametnive dhe Myftinisë/Nënmyftinisë së Ulqinit në hapësirën e Nënprefekturës së Ulqinit 1941-1944 mund të konstatojmë se bëhet fjalë për një organizim dhe rrjet të gjallë veprues në aktivitetet fetare, shoqërore etj.
Nëpërmjet dokumentacionit që sot ka mbetur në Bashkësinë Islame – Ulqin për imametnitë e Namazgjasë dhe Krruçit dhe deri diku të Kryepazarit, shohim se veprimtaria e tyre ishte e ndërlidhur ngushtë me xhamitë që kishin në varësi dhe të cilat merrnin udhëzime nga Myftinia, zyra e vakëfit etj., nga ku mund të konkludohet për momentin se njëjtë duhet të ketë qenë edhe për imametnitë e tjera në kuadër të Nënmyftinisë së Ulqinit. Ndërkohë që kemi mangësi të dokumentacionit rreth vendimeve të marra në nivel lokal, nëpërmjet të cilave do të kuptonim akoma më tepër aktivitetet fetare, edukative, atdhetare etj., çështje që mbeten të hulumtohen në të ardhmen.
Referuar faksimiles XV-a, ku janë shënuar emrat e nëpunësve fetarë të Myftinisë së Ulqinit, shohim se edhe pse numri i tyre duket i mjaftueshëm, përveç imamëve të xhamive të qytetit, qendrave të imametnive dhe ndonjë fshati, shërbyesit fetarë në disa xhami të fshatrave nuk duket të kenë qenë të kualifikuar. Por efikasiteti i punës dhe përkushtimi aq serioz dhe i përpiktë i administratës fetare që kemi në dispozicion deri më tani jep të kuptojmë se për një periudhë të shkurtër katërvjeçare të jetë vendosur administrata e rregullt, e cila ishte trashëguar nga efikasiteti dhe disiplina e trashëguar.
Më 26 nëntor 1944 forcat partizane marrin Ulqinin dhe kështu ai bëhet pjesë e Jugosllavisë Socialiste. Me këtë përfundon edhe administrimi i Myftinisë së Ulqinit në kuadër të Komunitetit Musliman Shqiptar me qendër në Tiranë.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat