Të shtunën, më 13 shtator 2025, Shoqata e Diabetikëve “Rethi i Kaltër” organizoi takim me diabetikë nga komuan e Ulqinit. Takimi u mbajt në ambientet e Fondit Humanitar “Trojet Tona” dhe në të morën pjesë një numër i konsiderueshëm i personave të moshave të ndryshme, të prekur nga sëmundja e diabetit.
Në fjalën e saj përshëndetëse, kryetarja e Shoqatës së Diabetikëve “Rrethi i Kaltër” – Ulqin, Veneranda Gjonaj falënderoi Komunën e Ulqinit për mbështetjen në zbatimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për qytetarët e prekur nga diabeti në komunën tonë.
“Mbështetja e Komunës së Ulqinit për shoqatën tonë është me rëndësi dhe domethënie të madhe, sepse diabetikët e këtij qyteti nuk ndihen më të lënë pas dore dhe të harruar nga vendimmarrësit lokalë. Falë këtij kontributi financiar nga Komuna, shoqata jonë është në gjendje të organizojë leksione të tilla të nevojshme, nga të cilat personat me diabet mund të informohen rreth sëmundjes – si mund të zbulohet, si mund të trajtohet dhe, mbi të gjitha, si mund të parandalohen ndërlikimet e diabetit. Kështu, njerëzit me diabet në një aspekt bëhen të vetëdijshëm, ndërsa në një aspekt tjetër ata kanë mundësinë të mblidhen një herë në vit, të shoqërohen, të shprehin mendimet dhe problemet e tyre dhe të marrin falas ilaçet e nevojshme për sëmundjen e tyre, të cilat duhet t’i sigurojnë nga buxheti i tyre i vogël ekonomik”, u shpreh ajo.
Më këtë rast, mjeku Rajmond Gjonaj mbajti një ligjërtaë gjithëpërfshirëse për sëmundjen e diabetit. Të pranishmit e ndoqën atë me vëmendje ngase doktor Rajmondi para tyre shpalosi në detaje rrjedhën e sëmundjes, masat parandaluese që duhet marrë, tipin e sëmundjes e shumë informacione të tjera që lidhen me diabetin dhe pasojat që mund të kenë të sëmurit nga kjo sëmundje. Ai foli edhe për diagnostifikimin, çrregullimet që mund të sjellë diabeti nëse ai nuk vendoset nën kontroll etj.
Ligjërata zgjoi interesim te të pranishmit, gjë që u vërejt edhe nga diskutimet dhe pyetjet që u bënë në takim.
Në fund të takimit, u ndanë aparatë, llanceta dhe vitamina të ndryshme.
Siç u tha edhe më lart, kryetarja e Shoqatës “Rrethi i Kaltër”, Veneranda Gjonaj falënderoi Komunën e Ulqinit, e cila e mbështeti financiarisht këtë projekt, si dhe Fondin Humanitar “Trojet Tona”, i cili ofroi ambientet e veta për mbajtjen e këtij aktiviteti.
Takimet e këtilla vjetore janë të rëndësishme dhe të domosdoshme për diabetikët, sepse përmes ligjëratave mbi diabetin, jo vetëm se diabetikët marrin informacione të duhura për këtë sëmundje, por edhe vetëdijësohen, shoqërohen, shkëmbejnë përvojat me njëri-tjetrin.
Ali Gjeçbritaj
