
(vijon nga numri i kaluar)
Puna e xhamive ka qenë e lidhur ngushtë me imametnitë si njësi administrative të Myftinisë. Referuar dokumentacionit që aktualisht ndodhet në Bashkësinë Islame – Ulqin, shohim se në hapësirën e Nënprefekturës – Nënmyftinia e Ulqinit dhe zyra e Vakëfit – Ulqin nëpërmjet imametnive/xhemateve të veta, e këta nëpërmjet imamëve në xhami, ushtronin aktivitetetin e vet. Ndërkohë që ka mangësi të dokumentacionit rreth punës së xhamive në nivel lokal, nëpërmjet të cilit do të kuptonim akoma më tepër aktivitetet fetare, edukative, atdhetare etj.
Dokumentacioni i ruajtur deri më tani, që kemi marrë në hulumtim, trajton aktivitetet e zyrës së imametnive Namazgjah dhe Krruç [Shih vulat nr. X dhe XI], kurse ai i Kryepazarit mungon. Ndërsa dokumentacioni i imametnisë së Millës dhe Rashtishës (Komuna e Katërkollës), imametnisë së Ostrosit dhe Ftjanit (Komuna e Krajës) si edhe imametnisë së Katundi-Madh/Velesellos dhe Peçuricës (Komuna e Mërkotit) [Shih vulën nr. XII] nuk ndodhet në Bashkësinë Islame – Ulqin. Në të ardhmen nevojitet që të hulumtohet për vendndodhjen e këtij dokumentacioni dhe të bëhen studime në mënyrë që të zbardhet aktiviteti i tyre.
Siç u cek më lart, në hapësirën e Nënprefekturës së Ulqinit kanë funksionuar nëntë imametni me xhamitë përkatëse. Sipas një liste për klerin e kësaj nënprefekture me rrogë shteti dhe nga populli, të përgatitur nga Hamdi Uruçi, sekretar i Këshillit të rrethit ekonomik në vitin 1943, shohim të kenë qenë 68 imamë, prej të cilëve edhe disa myezinë, si edhe pesë priftërinj katolikë dhe dy ortodoksë. Sipas këtij dokumenti, gjatë këtij viti shërbenin Myftiu Hasan Llunji, imami Hafëz Izet Zenuni dhe famullitari imzot Nikollë Tusha me rrogë shteti. Në listën e klerit pa rrogë, që paguheshin nga populli, ishin: Sulejman Peshku – imam në Kryepazar, Halil Hoxha në xhaminë e Krruçit, Jakup Milla, Ahmet Brashnjani, Musa Bushati, Asllan Shaban Begu, Ismail Tivari, Rexhep Guçi, Sulejman Çapunja, Zejnel Zejnelaga, Murat Hoxha, Idriz Shata, Him Turi, Ibrahim Kraja, Ramo Kraja, Ibrahim Ramoja, Ibrahim Hamzaj (në Mërkot), Malush Sulaj, Hasan Haxhija, Beqir Zaganjori (në Goranë), Ramadan A. Kurti, Beqir Dushku, Ismail Muçaj (në Krajë), Hasan Islami, Qazim Peraj, Sait Bojkaj, Smajl Çobi, Ahmet Çantaj, Jaho T. Seferaj, Fasli H. Çobaj, Jakup Lucaj (në Millë), Adem Danaj, Hajdar M. Gjonaj, Adem Shaptafaj, Malo Sinanaj, Sadik Mehmetaj, Isa Hoxhaj, Hafiz Dervish Ndreshkaj, Muha Halili, Mustafa Halla, Can Ali Muçaj, Ali Bishaj, Osman Pelinku, Rexhep Gjeloshaj, Jakup Ramo (në Katërkollë), Mustafa O. Bajrami (në Mërkot), Ahmet Sh. Kurti, Sait Bishaj, Lan Hasan Kallabaj, Adem Meho Bogdani, Ibrahim Hoxhaj (në Goranë), Hasan Haxhija (myezin), Abdullah Gjeçbritaj (imam), Ymer Nuh Haxhimurati, Meho B. Paçamuraj, Isuf N. Kanaqi, Abaz I. Gjençaj, Abdullah I. Shahinaj, Ismail H. Lubanaj, Hysejn Vukaj, Xhafer T. Hoxhaj, Mehmet T. Likaj, Dan Veli Kalicaj, Imer B. Verjashi (Berjashi), Asllan Gjeçbritaj, Sali Met Bardhaj, Mehmet Fasli Begaj, Isuf Zaganjori, Tafil Kapllani. Dom Zef Rasanaj (famullitari i Kader., = Katërkollë, A. B.), Dom Jak Lukaj (në Shënkoll), Dom Aleksandër Tokiq (në Salç), Dom Ivo Bushçiq (në Shëngjergj), Jovan Razhnatoviq (ortodoks), Nikolla Razhnatoviq (ortodoks). [Shih faksimilen nr. XV-a. Po kështu shih Hajrudin S. Muja, Ulqini dhe Tivari ndërmjet Krishterimit dhe Islamit, Alsar, Tiranë, 2023, ff. 584-585.]
Kurse xhamitë e hapësirës së Nënprefekturës së Ulqinit, që ka përfshirë Myftinia e Ulqinit kanë qenë: Bashkia Qendër [Nga të dhënat që njohim, nga 9 xhami që ka pasur qyteti, dy prej tyre nuk kanë ekzistuar në periudhën e tokave të lirueme. Xhamia e Limanit (Meterizit) u shndërrua në Kishë Ortodokse në vitin 1890, kurse ajo e Ranës (Ibrahim Pashë Bushatliut, Skelës), e emërtuar pas rindërtimit në vitin 2012 si Xhamia e Detarëve, u prish në vitin 1931 nga pushteti jugosllav. (Shih www.arkiva.me dhe Ali Bardhi, “Dëshmi të reja që heqin dyshimet – Xhamia e Mahallës së Ranës në dokumentet osmanisht të arkivit të Bashkësısë Islame Ulqin (xhamia e Ibrahim Pashë Shkodrës Bushatlliu)”, Koha javore, 9 janar 2014, viti X, nr. 598-599 dhe Revista Elif, viti XIV, nr. 72 – janar 2014). Ndërkohë që sipas një të dhëne tjetër që përmban listat e nxjerra nga raporti i Këshillit të Ulemave të rreth-veprimit të Shkupit të vitit 1938-1939, të cilat më pas i kishte marrë për referencë Kryesia e Këshillit të Ulemave në vitin 1944, shohim se Ulqini me rrethinë numëronte 24 xhami, nga ku qyteti numëronte 7 xhami, fshatrat 17 xhami (4 xhamitë e rrethit të afërt dhe 13 të Anës së Malit, A.B.). (Shih Fahrush Rexhepi, “Statistika e numrit të popullsisë muslimane në tokat e çliruara 1941 1944”, Drita Islame, nr. 284, Prishtinë, 2014, f. 29)] përfshinte xhamitë e Kalasë, Namazgjasë, Kryepazarit, Lamit (Lagjja e Re), Kronit të Pashës, Merasë, Bregut; Komuna Qendër përfshinte xhamitë e Krruçit, Kollomzës, Pistullit dhe Zogajve; Komuna e Katërkollës përfshinte xhamitë e Rashtishës, Millës, Kravarit Poshtë, Kravarit Nalt, Krythës, Sukubinës, Draginës, Shtodrit, Shasit, Selitës, Brajshës, Klleznës dhe Leskocit; Komuna e Krajës përfshinte xhamitë e Ostrosit të Madh, Ostrosit të Vogël, Ftjanit, Skjesë, Arbneshit, Qyrjanit, Runjit, Kështenjës, Muriqit Nalt, Muriqit Poshtë, Boboshtit; Komuna e Mërkotit përfshinte xhamitë e Velesello (Katundi-Madh), Peçuricës, Kunjës, Dobrovodës (Ujëmirës), Goranës. [Nadir Dacić, Pljevaljsko Muftijstvo (1930-1936), Fakultet islamskih nauka u Beogradu, Grafičar, Prijepolje, 2019, f. 62] Gjithsej hapësira e myftinisë në Nënprefekturën e Ulqinit në këtë periudhë numëronte 40 xhami.
Nga ky dokumentacion shohim se imametnitë administronin xhamitë e veta, ku përveç jetës fetare ato ushtronin edhe detyra të tjera, duke përfshirë edhe fushën e gjendjes civile, si regjistrimin e popullsisë, lindje-vdekjet, kurorëzimet etj. Por shumica e tyre janë dokumente që përfshijnë vendime, urdhëresa rreth regjistrimit të popullsisë, aksione humanitare etj., të sjella nga institucionet publike shtetërore dhe ato fetare (Kryesia e Ulemasë, nënmyftinia e deri te zyra e vakëfit).
Shteti nëpërmjet institucioneve fetare në tokat e lirueme bënte regjistrimin e popullsisë, ku komunitetet fetare regjistronin gjithsecili pjesëtarët e besimit të vet. Të dhënat e para që janë publikuar për regjistrimin e popullsisë në Tokat e Lirueme janë bërë më 13 nëntor 1941 në Prizren nga Komisioni i Lartë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë, kur akoma nuk ishte shtrirë organizimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në tokat e lirueme. Sipas këtij regjistrimi, Bashkia e Ulqinit numëronte gjithsej 5 037 banorë, nga ku 2 822 të besimit islam, 1 922 ortodoksë dhe 293 katolikë; Komuna Qendër – Ulqin gjithsej numëronte 3 087 banorë, nga ku 588 të besimit islam, 228 ortodoks dhe 1 798 katolikë; Komuna e Katërkollës – Ulqin gjithsej numëronte 4 988 banorë, nga ku 4586 të besimit islam, 9 ortodoksë dhe 402 katolikë; Komuna Krajë – Ulqin gjithsej numëronte 3 386 banorë, nga të cilët 3 294 të besimit islam, asnjë ortodoks dhe 92 katolikë; Komuna Mërkot – Ulqin gjithsej numëronte 2 241 banorë, nga ku 2 225 të besimit islam, 9 ortodoksë dhe 7 katolikë. Gjithsej rrethi i Ulqinit numëronte 18 739 banorë, nga ku 13 508 të besimit islam, 2 459 ortodoksë dhe 2 772 katolikë. [Qerim Lita, Tokat e liruara (1941-1944): Përmbledhje dokumentesh, Vëll. I, nr. 31, Logos-A, Shkup, 2016, f. 112]
Sipas dokumentit nr. 215 të datës 28 qershor 1943, të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfit, e cila lëshon një qarkore në drejtim të Zyrës së Vakëfit – Ulqin, kurse kjo e fundit më 6 korrik 1943 ua dërgon të gjithë imamëve ofiqarë, në dokument ceket Namazgjah, ku kërkohet që sa më parë të dërgohen listat e të gjithë banorëve të përkatësisë islame dhe të jenë të pajisur me vulën zyrtare dhe nënshkrimin e imamit.
Sipas disa dokumenteve në Bashkësinë Islame – Ulqin shohim se urdhëresa nga institucionet shtetërore u dërgonin imamëve ofiqarë së bashku me priftërinjtë katolikë dhe ata ortodoksë në Ulqin. Si shembull mund të paraqesim një dokument (nr. 4539/110) të datës 21.07.1943, në të cilin shohim se Ministria e P. Mbrendshme, Drejtoria e Bashkive dhe Komunave iu dërgon një urdhëresë për lajmërimet e rregullta amznore të popullsisë së prefekturave Prizren, Prishtinë, Korçë dhe Shkodër, ku nga kjo e fundit ky vendim i përcillet Nënprefekturës së Ulqinit, përkatësisht Bashkisë së Ulqinit, e nga kjo komunave Katërkollë, Qendër, Mërkot dhe Krajë. Nga Komuna Qendër ky vendim (nr. 389/1) më 10.08.1943 iu përcillet imametnive Kryepazar dhe Namazgjah si edhe famullive katolike dhe ortodokse. [Shih faksimilen nr. XIX-a].
Nga një dokument tjetër nr. 256/1, i datës 30.06.1944, me nënshkrim të kryetarit të Komunës Qendër – Ulqin, Elez Kruja, dërguar disa zyrave të klerikëve në vend, jepet urdhri i dërgimit të të dhënave amznore për të lindurit në vitin 1921 me qëllim rekrutimin e tyre. Emrat e klerikëve që u është dërguar kjo shkresë janë: Hafiz Halil Hoxha, Don Ivo Bushiq, Don Aleksandar Togaj, Don Nikoll Tushi dhe Jovan Razhnatoviq. [Shih faksimilen nr. XIX-b]
Sipas një dokumenti (nr. 22) të datës 30 korrik 1944, të përgatitur nga Zyra e Vakëfit Mysliman – Ulqin, të nënshkruar nga nëpunësi i vakëfit Rifat Alibegaj dhe të vërtetuar nga zv. myftiu Hafiz Hasan Llunji shohim të paraqitur listën e xhemateve të këtij rajoni së bashku me numrin e banorëve, shtëpive dhe imamin e xhematit përkatës. Xhemati/Imamati Namazgjah ka të shënuar 1 391 banorë, 214 shtëpi dhe imam Hafiz Hasan Llunji (nga dokumentacioni si imam në këtë imamet shohim të ketë qenë edhe Hafiz Izet Zenuni). [Shih vulën nr. XI], xhemati Kryepazar ka pasur 1 118 banorë, 173 shtëpi dhe imam Sylejman Peshkun; xhemati Ostros ka pasur 2 418 banorë, 448 shtëpi dhe imam Jakup Memiqi; xhemati Ftjan ka pasur 1 818 banorë, 228 shtëpi dhe zv. imam Jakup Memiqin; xhemati Peçuricë ka pasur 1 370 banorë, 254 shtëpi dhe imam Beqir Zaganjorin; xhemati Katundi-Madh (Velesello, A. B.) 2 222 banorë, 169 shtëpi dhe imam Ibrahim Hamziqin (në një shkresë tjetër mbiemrin e ka të shënuar si Hamzaj); xhemati Millë ka pasur 2 350 banorë, 395 shtëpi dhe imam Jakup Lucajn; xhemati Rashtishë ka pasur 2 200 banorë, 385 shtëpi dhe imam Mustafa Hollin; dhe xhemati Krruç ka pasur 670 banorë, 151 shtëpi dhe imam Hali Hoxhën. [Shih faksimilen nr. XV] Nëse i mbledhim të gjitha, shohim se në hapësirën që administronte Nënprefektura e Ulqinit kanë jetuar 13 660 banorë të besimit islam dhe 2 473 shtëpi, nga ku Komuna Qendër – Bashkia numëronte 3 179 banorë dhe 538 shtëpi, Komuna e Katërkollës numëronte 4 550 banorë dhe 780 shtëpi, Komuna e Krajës numëronte 2551 banorë dhe 482 shtëpi, kurse Komuna e Mërkotit numëronte 3 592 banorë dhe 423 shtëpi.
Ndërsa sipas një dokumenti (nr. 271/I) trifaqesh, të publikuar me titullin “Histori mbi çfaqjet e jetes s`onë – Rajoni i Komunes Qendres Ulqin”, datë 05.08.1944, nënshkruar nga kryetari i Komunës Qendër – Ulqin, Elez Kruja, shohim të jenë shënuar disa të dhëna për 16 fshatrat e kësaj komune, të cilat janë mbledhur nga gojëdhënat e pleqve dhe klerit katolik të kësaj zone. Në këtë listë nuk janë të përfshira lagjet e qytetit të Ulqinit dhe komunat e Katërkollës, Krajës dhe Mërkotit. Gjashtëmbëdhjetë fshatrat në fjalë numërojnë gjithsej 600 shtëpi dhe një popullsi prej 3 046 banorëve, nga ku 615 prej tyre të përkatësisë islame, 1 804 katolike dhe 627 ortodokse. [www.arkiva.me]
Ndodhte që këto institucione të vononin dorëzimin e raporteve të ndryshimeve demografike. Këtë gjë e shohim nga një shkresë (nr. 13/9) e datës 01.07.1943, dërguar nga kryetari i Bashkisë së Ulqinit, Hajdar Daka, të gjithë klerikëve fetarë të kësaj bashkie, ku u bëhet vërejtje se nuk janë duke i bërë lajmërimet me rregull mbi ndryshimet demografike të popullsisë së qytetit, si: lindjet, vdekjet dhe martesat. Nga mungesa e këtyre ndryshimeve ndeshen pengesa rreth ndryshimeve të ngjashme, si për statistikë ashtu edhe për sendet e racionuara. Në shkresë ceket se është detyrë ligjore që deri më 25 të çdo muaji të dërgohen listat e vdekjeve, lindjeve dhe martesave dhe atyre që dalin jashtë qytetit për martesë, në të kundërt nëse nuk dorëzohen këto të dhëna përgjegjësia bie mbi klerin. Shih faksimilen nr. XVIII
