Administruese e shumë çështjeve të jetës shoqërore

Nga dokumentacioni arkivor shohim se Myftinia e Ulqinit në bashkëpunim me kryemyftininë e zonës, zyrën e vakëfit dhe nëntë imametnitë me xhamitë e veta administronte jetën fetare në hapësirën e Nënprefekturës së Ulqinit

Mr. Ali Bardhi

(vijon nga numri i kaluar)
Nga dokumentacioni arkivor shohim se në periudhën e tokave të lirueme jeta fetare islame në Nënprefekturën e Ulqinit u organizua në rang Myftinie/Nënmyftinie në kuadër të Kryemyftinisë së Shkodrës, në varësi të Këshillit të Ulemave me qendër në Tiranë. Në krye të Nënmyftinisë së Ulqinit, si nënmyftini e zonës së Shkodrës, ka qenë myftiu [Siç kemi cekur më përpara nga dokumentacioni shohim se në disa raste titulli i Hafëz Hasan Llunjit shënohet si myfti e në disa si zv.myfti. (Shih vulat nr. IX dhe IX-a) Nga shkresat zyrtare shohim se edhe institucioni na del si Myftinia e Ulqinit e në disa të tjera si Nënmyftinia e Ulqinit. (Shih shkresat e paraqitura)] Hafëz Hasan Llunji nga Ulqini [Sipas regjistrit të vdekjeve në Bashkësinë Islame – Ulqin, të rifilluar në serbisht, shohim se Hafëz Hasan Llunji, i biri i Alushit, ka lindur në lagjen e Ranës në Ulqin, më 05.07.1897 dhe ka vdekur më 15.12.1944, ku si shkak i vdekjes së tij është shënuar “pushkatim”. I ati i tij, hafëz Alushi, në vitin 1911 ka qenë mësimdhënës në shkollën e Ulqinit, rrugë të cilën e ndjek edhe i biri Hasani. (Shih Hajrullah Hajdari, Ulqini në dokumentet malazeze (1880-1915), Art Club, Ulqin, 2018, f. 330) Në këtë regjistër shohim të regjistruar edhe Emin/Memin Resulbegun, me datë dhe shkak të njëjtë të vdekjes. Kurse në regjistrin tjetër të vdekjeve, figuron i shënuar edhe Caf Canka dhe Zyhdi Fici, të cilët janë shënuar me datë dhe shkak të njëjtë vdekjeje. Të gjithë këta nuk e kanë të shënuar vendin e varrit dhe imamin e kryerjes së shërbimit të xhenazes (funeralit).
Në lidhje me këta persona Dr. Nail Draga pohon: ”…Më datën 15 dhjetor 1944 katër të burgosurit me duar lidhur: Hafiz Hasan Llunji, Memin Resulbegu – punëtor i gjeodezisë, Caf Canka dhe Zyhdi Fici, me roje të maskuara dhe të armatosura përcilleshin gjoja drejt Cetinës që atje t’iu shqiptohej dënimi përfundimtar. Dhe në drejtim të Tivarit, pranë fshatit Braticë arritën në një kthesë ku iu ishte vënë prita, ku i pushkatuan të gjithë. Në vendin që sot quhet ‘Laku i Hoxhës’ i varrosën në një varr të përbashkët. Edhe sot janë mu në atë vend, pa asnjë shenjë dalluese, edhe pse e kanë merituar të zhvarrosen dhe të varrosen me ceremoni të veçantë… Në saje të autoritetit që kishin dy figurat fetare të Ulqinit – hafiz Hasan Llunji dhe dom Nikollë Tusha u pushkatuan…” (Shih Dr. Nail Draga, Likuidimi i udhëheqësve fetarë në Ulqin (1944-1946), Koha javore, Podgoricë, viti XIII, nr. 643, 11.12.2014, ff. 14-15)
Po kështu pas vitit 1945 pushteti likuidoi edhe shumë patriotë të tjerë nga Ana e Malit – Ulqin, si Merush Halil Omeri nga fshati Krythë, Daut Shabani – Veliq nga fshati Millë, Ali Velija – Ibroçi nga Kalimani, Osman Shabani – Sukaliqi nga Krytha, Haxhi Alija – Çobi nga Krytha, Ali Beqir Bajrami – Seferaj, Sylë Kasemi – Gjekaj nga Selita, Rrusto Halil Sala (Kulla) nga Krytha, Omer Bajri nga Shtegvasha – Kravari etj. (Shih Fahri Buçinica, Cafo Beg Ulqini, Art Club – Ulqin, 2009, ff. 299-308)], i emëruar nga Kryemyftinia e zonës së Shkodrës. [Shih faksimilen nr. XVII]
Sipas një liste të publikuar shohim se në kohën e Mbretërisë Jugosllave, në vitin shkollor 1932/1933 Hasan Llunji ka qenë në detyrën e mësimdhënësit të lëndës së mësimbesimit në shkollën fillore publike të Ostrosit. Kurse sipas një dekreti të publikuar shohim se në vitin 1935 u emërua imam ofiqar i gjendjes civile në xhematin/imametin e Dinoshës [Nadir Dacić, Pljevaljsko Muftijstvo (1930-1936), Fakultet islamskih nauka u Beogradu, Grafičar, Prijepolje, 2019, f. 226 dhe 378] por edhe në vende të tjera. Ndërkaq planet për emërimin e tij si myfti për njësinë Ulqin-Tivar kanë qenë që në vitin 1939, në kohën e Mbretërisë Jugosllave, pasi sipas një të dhëne që jep Fahri Buçinica në librin e tij për Cafo Beg Ulqinin shohim se Cafoja me hafëz Hasan Llunjin, të cilin e kishte propozuar për myfti, në vitin 1939 e pritën për vizitë në Ulqin Reis Ulemanë Feim ef. Spaho. [Cafo Begu, përveç detyrës që kishte në Vakëfin Maarif të rrethit Ulqin, ishte edhe përfaqësues i Bashkësisë së Fesë Islame të Malit të Zi, edhe anëtar i kryesisë së Bashkësisë Islame Jugosllave në dy mandate, deri në vitin 1938. Mirëpo në Mal të Zi, Cafi këtë post e kishte deri në shkatërrimin e Jugosllavisë. (Fahri Buçinica, po aty, ff. 78-79)]
Nga dokumentacioni në fjalë shohim se Myftinia e Ulqinit në bashkëpunim me kryemyftininë e zonës, zyrën e vakëfit dhe nëntë imametnitë me xhamitë e veta administronte jetën fetare në hapësirën e Nënprefekturës së Ulqinit.
Njëherazi në bazë të dokumentacionit arkivor shohim se në Bashkinë e Ulqinit ka ekzistuar edhe Zyra e Vakëfit – Ulqin, e cila në këtë periudhë funksiononte në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfit në Tiranë. [Sipas një dokumenti-vërtetim, datë 19.12.1941, që ndodhet në Bashkësinë Islame – Ulqin, në gjuhën shqipe me vulë të vakëfit nga periudha e Mbretërisë Jugosllave, shohim se Cafo Alibegaj (Begu) ka qenë kryetar i vakëfit – Ulqin. Sipas një shkrese – qarkoreje të datës 12.11.1944, nr. 67, të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfit në Tiranë në drejtim të Zyrës së Vakëfit Mysliman në Ulqin, shohim se drejtor i përgjithshëm ka qenë Salih Vuçiterna, kurse nëpunës i Zyrës së Vakëfit në Ulqin, Rifat Alibegaj. Ndërsa sipas një shkrese tjetër të datës 21 qershor 1943, nr. 59, n/kryetari i Zyrës së Vakëfit – Ulqin ka qenë Hush Shurdha. (Shih vulat nr. XIII dhe XIII-a)]
Po kështu në Nënprefekturën e Ulqinit ka funksionuar edhe Gjykata Paqtuese e Ulqinit, zyra e Sheriatit, e cila në njëfarë forme kryente detyrat që kishte kryer në kohën e ish-Mbretërisë Jugosllave. [Sipas një dokumenti të datës 05.06.1943, nr. 23, në krye të Gjykatës Paqtuese – Ulqin, Dega e Sheriatit, ka qenë zev. Sabri Quku. (Shih vulën nr. VIII)
Komisariati, më 15 nëntor 1941, duke iu drejtuar Mëkëmbësisë së Përgjithshme të Kryeministrisë shkruan: “Nën regjimin e ish-shtetit jugosllav të gjitha çështjet në lidhje me gjendjen civile të subjekteve të atij shteti ishin lënë në kompetencë të komuniteteve fetare përkatëse. Në krijimin e gjendjes, si subjektet ortodokse dhe katolike kanë ruajtur prerogativat e tyre, kështu lidhjet dhe zgjedhjet e martesave kryhen rregullisht prej autoriteteve fetare, ndërsa subjektet muslimane, ndonëse në parim ruajnë dhe ato këto prerogative, në realitet këto u janë zhdukur, mbasi gjykatat e sheriatit, të cilat ishin degë e Gjykatave të Paqit, kanë pezulluar veprimin për mungesë gjykatësish, të cilët, duke qenë pothuaj të gjithë boshnjakë, janë larguar qysh në fillim. Një emërim gjykatësish të rinj do të haste në pengime të mëdha, jo vetëm pse paragjykonte problemin e statuteve personale të komuniteteve fetare, por edhe se do të ishte e vështirë të gjendeshin gjykatës për këtë qëllim. Prandaj, deri në një riorganizim rrënjësor të legjislaturës së këtyre viseve, propozojmë që këto veprime të kryhen prej myftinjve, të emëruar nga Komuniteti Mysliman i Tiranës.” (Shih Ali M. Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë, 2011, f. 329)] Kjo gjykatë kryente proceset gjyqësore të ndryshme rreth të drejtës civile, si çështje të trashëgimisë, martesa, divorce etj. Sipas një dokumenti të datës 6 gusht 1942, kryeministri dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Mustafa Kruja, përmes të cilit u emëruan disa gjyqtarë të Sheriatit në tokat e liruara, gjyqtar paqtues në Ulqin emëroi z. Sabri Quku. [Shih Qerim Lita, po aty, vëllimi. II, nr. 248, ff. 142-143]
Sipas dokumentacionit arkivor shohim se në këtë periudhë në kuadër të Myftinisë së Ulqinit kanë ushtruar aktivitetin e vet nëntë imametni/xhemate: e Namazgjasë, e Kryepazarit, e Krruçit, e Millës, e Rashtishës, e Ostrosit, e Ftjanit, e Katundit-Madh (Velesello, A. B.) dhe e Peçuricës. [Sipas listës së xhemateve që kanë qenë në kuadër të Myftinisë së Plevlës, e cila funksiononte në varësi të Ulema Mexhlisit të Shkupit, të përpiluar në vitin 1934, shohim se në Ulqin kanë ekzistuar xhematet e Namazgjasë, Kryepazarit dhe Krruçit, në Katërkollë (Ana e Malit) kanë ekzistuar xhemati i Millës dhe i Rashtishës, në Krajë – xhemati në Ftjan duke përfshirë Ftjanin dhe Muriqin Sipër dhe Xhemati Ostros – duke përfshirë Arbneshin dhe Qyrjanin, kurse në Mërkot kanë qenë xhemati Velesello (Katundi-Madh, A. B.) për Goranë në Veleselo, xhemati i Kunjës në Kunje, si edhe xhemati i Tugjemilit në Tugjemil. (Shih Muhamed Salkić, Ustavi Islamske Zajednice, el-Kalem, Sarajevo, 2001, f. 96; Nadir Dacić, po aty, f. 378).
Po kështu me kërkesën e kryesisë së Këshillit të Ulemave të Komunitetit Musliman Shqiptar për hartimin e listës së shtëpive të këshillave të xhemateve në rrethveprimin e Këshillit të Ulemave në Shkup, që i drejtohet zëvendësinspektorit të kryesisë së Këshillit të Ulemave, ky inspektorat, në koordinim me këshillat e xhemateve të tokave të lirueme në Shkup, fillon menjëherë punën për hartimin e këtyre listave. Listat përmbajnë emrat e vendbanimeve dhe numrin e shtëpive në bazë të raporteve të marra nga zyrat e rrethveprimit për vitin 1935, të cilat përkthehen nga gjuha serbe në gjuhën shqipe. Në këto lista, përveç xhemateve në tokat e lirueme, përfshihen edhe xhematet dhe vendbanimet që kanë mbetur nën Bullgari, Serbi dhe Mal të Zi. Në vazhdim do të prezantojmë listën e këshillave të xhemateve dhe numrin e shtëpive të lagjeve të qyteteve Ulqin dhe Tivar dhe numrin e shtëpive të katundeve: Ulqini numëronte 5 xhemate – xhemati i Kryepazarit me 213 shtëpi, xhemati i Namazgjahut me 290 shtëpi, xhemati i Krruçit me 136 shtëpi, xhemati i Rashtishës me 353 shtëpi dhe xhemati i Millës me 366 shtëpi. Kurse Tivari numëronte 8 xhemate: xhemati i Podgradit (Nënqytet) me 193 shtëpi, xhemati i Varoshit me 102 shtëpi, xhemati i Tugjemilit me 99 shtëpi, xhemati i Dobrovodës (Ujëmirës) me 92 shtëpi, xhemati i Veleselos (Katundi i Madh) me 292 shtëpi, xhemati i Kunjes me 125 shtëpi, xhemati i Ftjanit me 340 shtëpi dhe xhemati i Ostrosit me 461 shtëpi. (Shih Fahrush Rexhepi, “Xhematet e tokave të liruara sipas statistikave të vitit 1935”, Dituria Islame, nr. 286, Prishtinë, 2022)
Nga kjo e dhënë shohim se edhe më pas, në kohën e tokave të lirueme në vitet (1941-1944) vazhdohet njëjtë si më përpara, duke i emërtuar si imametnije apo xhemate, me përjashtim të xhemateve të Tivarit (Varoshit, Podgradit (Nënqytet) dhe Tugjemilit), të cilët nuk përfshihen në tokat e lirueme, kurse dy xhematet e Mërkotit – Katundi i Madh (Velesello) si edhe ai i Peçuricës, i cili mori vendin e imamatit të Kunjës, u përfshinë në Myftininë e Ulqinit, ndërsa Dobrovoda u bë pjesë e Nënprefekturës së Ulqinit, por nuk figuron më si xhemat/imametni. Po kështu edhe dy xhematet e Krajës u përfshinë nën administrimin e Myftinisë së Ulqinit. (Shih faksimilet nr. XIV dhe XV)]
Mënyra e organizimit të imametnive/xhemateve për një kohë në periudhën e Mbretërisë së Shqipërisë vazhdoi njëjtë si më përpara nga periudha e Mbretërisë Jugosllave. Sipas statutit të Bashkësisë fetare Islame në Mbretërinë Jugosllave, imameti kishte mexhlisin e xhematit të vet pasi ishte një njësi administrative që administronte xhamitë. Në varësi të numrit të popullsisë së besimit islam caktoheshin edhe anëtarët e tij. Ndërsa në krye të këtij këshilli qëndronte imami, i cili njëherit ishte kryetar i këshillit (neni 17). [Sipas nenit 16 të Kushtetutës së Bashkësisë fetare Islame të Mbretërisë Jugosllave të vitit 1930, në një xhemat ku numri i banorëve varionte nga 300 deri në 500, numri i anëtarëve të Këshillit të këtij xhemati numëronte 5 anëtarë dhe 5 zëvendësues, nga 1 000 deri në 2 000 banorë, numri i anëtarëve ishte 9, kurse i zëvendësuesve 7, kurse Këshilli i xhematit i cili numëronte mbi 2 000 banorë në çdo 1 000 banorë, numri i anëtarëve shtohej me dy dhe një zëvendës. (Shih Muhamed Salkić, po aty, f. 96)]
Ka qenë e vendosur që në tokat e lirueme të mbahet në fuqi statuti e rregullat në bazë të një tradite e cila u zbatua edhe gjatë regjimit jugosllav, derisa të aprovohen statuti e rregulloret e reja. [Ali M. Basha, po aty, f. 342; Hasan Bello, “Komuniteti Mysliman Shqiptar në vitet e Luftës së Dytë Botërore (1939-1944)”, Studime Historike, Nr. 1-2, Tiranë, 2020, f. 207] Një gjë të tillë e kemi vërejtur edhe nga dokumentacioni arkivor, ku në periudhën e Tokave të Lirueme zyrat e imametnive kanë vazhduar njëjtë si më përpara nga periudha e Mbretërisë Jugosllave, bashkë me personelin e mëparshëm, komisionet, derisa të miratohej Statuti i ri dhe rregulloret përkatëse për bashkimin në një komunitetet. [Qerim Lita, Tokat e lirurara (1941-1944): Përmbledhje dokumentesh, Vëll. II, nr. 242, Logos-A, Shkup, 2016, ff. 136-137]
Në kuadër të marrëveshjes, nëntë zyrat e imametnive/xhemateve në hapësirën e Nënprefekturës së Ulqinit, përveç administrimit të jetës fetare me xhamitë e tyre, ishin të ngarkuara që të kryenin edhe detyrat e tjera, si: kurorëzimet, lindjet-vdekjet, regjistrimin e popullsisë, të cilat kryheshin nga imami ofiqar.
(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat