
(vijon nga numri i kaluar)
Nënprefektura e Ulqinit [Nënprefekt i Ulqinit në vitin 1942-1943 ka qenë Jahja Baçaj. (Shih faksimilen nr. XIV-a) Në vitin 1943 ka qenë Luigj Lufi. (Shih vulën nr. I-b dhe dosjen në Bashkësinë islame – Ulqin). Në vitin 1943-1944 ka qenë Etëhem Rrema, kurse në vitin 1944 ka qenë Januz Sadiku. (Shih www.wikipedia.org)] përbëhej nga: Bashkia e Ulqinit, që përfshinte pesë lagjet e qytetit [Bashkia e Ulqinit përfshinte lagjet Kala, Ranë, Lagja/Mahalla e Re, Meteriz, Mera. Kryetarët e Bashkisë së Ulqinit kanë qenë Cafo Alibegaj (Begu) (1942), Pashko Jubani (1943) dhe Hajdar Daka (1943-1944). (Shih vulat II-a, II-b dhe II-c)], Komuna e Qendrës – Ulqin, që përfshinte fshatrat nga Krruçi deri në rrjedhën e Bunës me pikënisje Malin e Brisë [Komuna Qendër përfshinte fshatrat Braticë (e Sipërme dhe e Poshtme), Krythë, Krruç, Salç, Kollomzë, Mozhur, Pistull, Zogaj, Mal i Brijës, Darzë, Qyrkaj, Shnjergj, Reç, Shtoj i Sipërm dhe Shtoj i Poshtëm. (Shih faksimilen nr. XIV në shtojcë) Kryetar i komunës së Qendrës – Ulqin në mars 1942 ka qenë Iljaz Gila, kurse në vitin 1943 ka qenë Elez Kruja. (Shih faksimilen nr. XIV-a; (Shih Qerim Lita, Tokat e lirurara (1941-1944): Përmbledhje dokumentesh, Vëll. II, Logos-A, Shkup, 2016, ff. 290-291).
Shih “Historiku i Komunës së Qendrës Ulqin, së bashku me katundet që bëjnë pjesë në të dhe me numrin e popullsisë të ndarë edhe sipas feve”, Arkivi Qendror Shtetëror, F. 410, V. 1944, D. 105. (shih vulën nr. IV)]; Komuna e Kadërkollit, që përfshinte fshatrat e Anës së Malit [Komuna e Katërkollës përfshinte fshatrat Katërkollë, Brajshë, Draginë, Sukubinë, Lisën-Bore, Shtodër, Fraskanjel, Amull, Shas, Kllezën (e Sipërme dhe e Poshtme), Krythë, Leskoc, Megjureç, Kaliman, Millë, Kosiq, Bojk, Rashtishë dhe Kravar. (Shih faksimilen nr. XIV) Kurse kryetar i Komunës së Katërkollës ka qenë Ragip Lohja. (Shih faksimilen nr. XIV-a) Nga një dokument i gjetur në Bashkësinë Islame – Ulqin, 02.03.1944, nr. 101, shohim vulën e Komunës Obot, Komuna e Anës së Malit. Siç shihet, Ana e Malit edhe në periudhën e tokave të lirueme nuk ka funksionuar si një njësi administrative, por e ndarë në dy pjesë: Komuna e Katërkollit me fshatrat e cekur në kuadër të Bashkisë së Ulqinit, kurse Komuna e Obotit në kuadër të Bashkisë së Shkodrës. (shih vulën nr. V)]; Komuna e Krajës [Komuna e Krajës përfshinte fshatrat Ostros i Vogël, Ostros i Madh, Arbnesh, S’ke, Martiq, Babosht, Kështenjë dhe Ftjan. (Shih faksimilen nr. XIV). Kurse Shestani, Ljarja etj. mbetën pa iu bashkuar Mbretërisë Shqiptare. Sipas një shkrese me nënshkrime të parisë dhe klerit katolik të krahinave të Ljares dhe Shestanit, me parinë e Muriq-Besit, Briskut Sipër dhe Poshtë, Pinçit, Karanikajve, Lukajve, Dedajve, Gurzës dhe kryetarit të Komunës së Krajës në drejtim të Ministrisë së Brendshme në Tiranë, datë 03.10.1941, shohim kërkesën e tyre për aneksimin me Shqipërinë. (Shih www.arkiva.me) Sipas këtij dokumenti shohim se në tetorin e vitit 1941 kryetar i Krajës ka qenë Lek Perkolaj. Kurse sipas një dokumenti tjetër, të llojit certifikatë lindjeje, të gjetur në Arkivin e Bashkësisë Islame – Ulqin, datë 11.08.1943, nr. 104, shohim të shënuar vulën e Komunës së Krajës – Ostros (shih vulën nr. VI) dhe me kryetar Hasan Grudën. (Shih faksimilen nr. XIV-a)], me qendër në Ostros, që përfshinte fshatrat e pjesës lindore të Krajës; Komuna e Mërkotit, me qendër në Peçuricë [Komuna e Mërkotit përfshinte fshatrat Peçuricë, Gerdov, Velesello (Katund i Madh, A. B.), Dabezi, Kunje, Pelink, Gorana e Madhe dhe e Vogël dhe Ujëmira (Dobrovoda). (Shih vulën nr. VII) Kryetar i Komunës së Mërkotit ka qenë Osman Mitku. (Shih faksimilen nr. XIV-a)], që përfshinte fshatrat e Mërkotit.
Sipas një dokumenti ku është paraqitur lista e lagjeve dhe e katundeve të Nënprefekturës së Ulqinit shohim se pesë lagje kanë qenë në kuadër të Bashkisë, gjashtëmbëdhjetë fshatra në kuadër të Komunës Qendër, njëzet fshatra në kuadër të Komunës së Katërkollës, tetë fshatra në kuadër të Komunës së Krajës dhe nëntë fshatra në kuadër të Komunës së Mërkotit, ku gjithsej arrijnë në 58 lagje dhe fshatra. (Shih faksimilen nr. XIV)
Po kështu, referuar një dokumenti të gjetur në Bashkësinë Islame – Ulqin, datë 31.07.1943, me nr. 448/I, shohim të shënuar komunat: Qendër (Ulqin), Katërkollë, Krajë, Mërkot, Bashkia e Ulqinit, të cilat formonin Nën/prefekturën e Ulqinit. (Shih faksimilen nr. XIX-a)
Organizimi i jetës fetare islame në Nënprefekturën e Ulqinit
Siç theksuam, me dekretin e datës 12 gusht 1941, të nënshkruar nga mbreti Vittorio Emanuele III, Ulqini pa luftë, me rrethina dhe disa treva të tjera shqiptare, u bënë pjesë e Mbretërisë Shqiptare. Kurse me dekretin e vitit 1942, Nënprefektura e themeluar e Ulqinit, me qendër në Ulqin, është pjesë e Prefekturës së Shkodrës. Ndërsa me dekretin e ligjit tjetër, të nënshkruar më 09.06.1942 nga Mëkëmbësi Mbretëror, Françesko Jacomoni, edhe organizimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar me qendër në Tiranë u shtri në Tokat e Liruara. (Qerim Lita, po aty, vëllimi II, nr. 194, ff. 77-79)
Nga gushti i vitit 1941 deri në qershorin e vitit 1942 nuk disponojmë të dhëna të mjaftueshme rreth organizimit të jetës fetare në rrethin e Ulqinit. Sipas një dokumenti të publikuar, datë 24 mars 1942, shohim urdhëresën që jep kryeministria e Shqipërisë në drejtim të kryesisë së Komunitetit Mysliman që të mos emërohet asnjë funksionar fetar në Tokat e Lirueme derisa të miratohet Statuti i ri i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. (Qerim Lita, po aty, vëllimi I, nr. 129, f. 296)
Ndërkohë që për gjendjen ekzistuese, sipas një dokumenti në gjuhën malazeze që ndodhet në Bashkësinë Islame – Ulqin, i lëshuar në periudhën e Mbretërisë Jugosllave dhe i nënshkruar nga Hafiz Hasan Mavriqi dhe i vërtetuar në gjuhën shqipe më 19.12.1941, shohim se në detyrën e kryetarit të Vakëfit vazhdonte të qëndronte Cafo Alibegaj (Begu), çka lë për të kuptuar se administrimi i fesë akoma nuk kishte kaluar nën juridiksionin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Sipas regjistrit për vdekje të imametnisë së Namazgjasë, shohim se plotësimi i tij në gjuhën shqipe ka filluar nga dhjetori i vitit 1941, çka tregon se menjëherë pas përmbysjes së administratës jugosllave, imamët vendosën gjuhën shqipe, e cila nuk lejohej prej administratës së Mbretërisë SKS dhe asaj Jugosllave (1918-1941), njëjtë si edhe gjatë periudhës së Mbretërisë Malazeze (1881-1916).
Siç u cek më lart, organizimi i Komunitetit Mysliman me qendër në Tiranë u shtri në tokat e liruara në vitin 1942, në të cilën u përfshi edhe Nënprefektura e Ulqinit. [Më 29 dhjetor 1942 Komuniteti Musliman caktoi vulat për zyrat e myftinive etj. Në Tokat e Liruara – do të ketë formën që kanë vulat që përdorin zyrat e Komunitetit Musliman të Shqipërisë së vjetër; do të kenë të shkruar në gjuhën shqipe emrin e zyrës dhe në mes një xhami. Emërtimet e zyrave do të jenë: Kryemyftini, myftini, nënmyftini, imametni, siç janë paraparë në buxhet, po ashtu edhe zyrat e vakëfit. (Shih Ali M. Basha, po aty, f. 336)] Kjo situatë e krijuar la jashtë tokave të lirueme Tivarin e Vjetër, ku nuk mund të ushtrohej organizimi i jetës publike, edukative-arsimore dhe fetare nga ky komunitet. Sipas dokumentave arkivore, popullsia shqiptare e besimit islam dhe katolik në Tivar, i cili nuk bënte pjesë në kuadër të Nënprefekturës së Ulqinit, u përball edhe me vështirësi të mëdha nga politikat italiane dhe malazeze. [Sipas një shkrese të datës 4 shtator 1942 të prefektit të Shkodrës dërguar Ministrisë për Tokat e Lirueme, një grup i shqiptarëve nga Tivari shkojnë te prefekti i Shkodrës, të cilit i kërkojnë për të ndërhyrë në Tivar duke e përfshirë në tokat e lirueme ose sipas mundësive të mbesin si provincë italiane, vetëm mos të mbesin nën Mal të Zi, ku një ndër arsyet ceket se popullsia e Tivarit të Vjetër në këtë kohë përbëhet prej 80% shqiptarë myslimanë e katolikë. (Shih Qerim Lita, po aty, vëllimi II, nr. 285, ff. 188-190)]
Sa i përket organizimit fetar islam në Tivar, ai u përball më vështirësi të mëdha meqenëse u shkëput nga Ulqini, me të cilin deri në gushtin e vitit 1941 ishin një njësi. Për organizimin publik, edukativo-arsimor dhe fetar në Tivar dhe viset e tjera duhet që në të ardhmen të vazhdohet me hulumtime.
(vazhdon)
