Një traditëqë përforcon lidhjet kulturore të Malësisë

Banorët e Tuzit dhe të viseve të tjera të Malësisë këndej kufirit, i mban të lidhur me Tamarën, përveç gjuhës dhe traditave të përbashkëta, edhe rruga e re automobilistike e ndërtuar vitet e fundit, që përshkon itinerarin Tuz - Dinoshë dhe kalon përmes pikës kufitare Cemi i Trieshit - Grabom

Më 15 gusht 2025, në sheshin e Tamarës u mbajt një koncert festiv me një publik të madh nga Kelmendi, Hoti, Tuzi, Ulqini, viset e tjera shqiptare dhe diaspora, të cilët çdo vit bëhen pjesë e këtij manifestimi.
Tamara u kthye në pikëtakim të traditës dhe argëtimit. Manifestimi vijon të organizohet për të ruajtur dhe gjallëruar kulturën e bashkimit të malësorëve, duke sjellë artistë e muzikë në një atmosferë festive që zhvillohet çdo vit, falë përkushtimit të organizatorëve që e mbajnë gjallë këtë ngjarje.
Banorët e Tuzit dhe të viseve të tjera të Malësisë këndej kufirit, i mban të lidhur me Tamarën, përveç gjuhës dhe traditave të përbashkëta, edhe rruga e re automobilistike e ndërtuar vitet e fundit, që përshkon itinerarin Tuz – Dinoshë dhe kalon përmes pikës kufitare Cemi i Trieshit -Grabom. Kjo rrugë i ka afruar më shumë komunitetet, duke e bërë pjesëmarrjen në manifestimet e Tamarës një traditë të natyrshme dhe gjithnjë më të frekuentuar, por dhe anasjelltas, pasi banorët e Tamarës dhe të fshatrave të tjera të Kelmendit vijnë gjatë verës në manifestime kulturore e argëtuese që zhvillohen në Tuz dhe rrethinat e tij.
Në Kelmend kjo ngjarje kulturore solli një atmosferë të zjarrtë, me një pjesëmarrje mbresëlënëse, që dëshmoi se ky manifestim tashmë i ka kaluar kufijtë lokalë dhe është shndërruar në një traditë kulturore të njohur shumë më gjerë.
Përveç këngëtarëve nga Malësia, andej e këndej kufirit, në skenë u ngjitën edhe emra të mëdhenj dhe të preferuar të muzikës shqiptare, si dhe artistë të dashur nga diaspora. Çdo këngëtar solli në mënyrën e vet një mozaik të pasur artistik, duke ndezur atmosferën dhe duke dhuruar emocion të veçantë.
Publiku reagoi ngrohtësisht, duke vlerësuar dhe mirëpritur çdo interpretim, ndërsa vallja popullore u përhap fuqishëm nga të gjitha anët, duke e shndërruar natën në një festë të vërtetë të kulturës shqiptare.
Ky manifestim, që çdo vit tubon mijëra pjesëmarrës, tashmë është bërë një simbol i gjallë i ruajtjes dhe promovimit të traditës, duke marrë përmasa të reja si një ngjarje kulturore që i tejkalon kufijtë e Malësisë dhe përqafohet nga mbarë hapësira shqiptare.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat