Synime ambicioze në të gjitha fushat

“Sot Gucia më shumë se kurrë qëndron në udhëkryqin në mes së kaluarës krenare dhe së ardhmes ambicioze”, ka thënë kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, duke nënvizuar se në periudhën e kaluar është punuar me përkushtim për zhvillimin e komunës - në avancimin e infrastrukturës rrugore e komunale, ndërtimin e hapësirave publike, motivimin e bujqve lokalë, por edhe në krijimin e kushteve që të rinjtë të mbesin, të krijojnë dhe të shohin ardhmërinë e vet në këtë komunë

Të martën, më 5 gusht 2025, në Guci, në mënyrë solemne është shënuar Dita e Komunës.
Pas fjalëve përshëndetëse të udhëheqësve të programit, Samin Radonçiq (në gjuhën malazeze) dhe Erina Novaj (në gjuhën shqipe) dhe intonimit të himnit të Malit të Zi nga sopranoja ulqinake, Gjylie Pelingu – Hoxha, me seancën solemne ka filluar akademia, që është mbajtur në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë të Gucisë.
Përveç këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Gucisë, nëpunësve të vetëqeverisjes lokale dhe një numri të konsiderueshëm të qytetarëve të kësaj komune, asaj të Plavës dhe të bashkëvendësve mërgimtarë nga diaspora, në akademinë solemne morën pjesë edhe shumë personalitete të jetës politiko-shoqërore, kulturore, shkencore, artistike, sportive dhe fetare nga komuna e Gucisë, por edhe nga Qeveria e Malit të Zi dhe ca komuna të tjera të saj, ndër të cilët veçohen nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, ministrat Majda Axhoviq, Damir Gutiq dhe Ernad Suleviq, deputeti i Kuvendit të Malit të Zi, Amer Smailoviq, kryetarët e komunave të Plavës, Rozhajës e Petnjicës – Nihad Canoviq, Rahman Husoviq e Samir Agoviq, ata të kuvendeve të Komunës së Plavës, Anel Baliq, dhe Komunës së Rozhajës, Allmir Avdiq, përfaqësuesja e Ambasadës së Kroacisë në Mal të Zi, Vanja Eskinja, akademiku Zuvdija Hoxhiq etj.
Seancën solemne e ka hapur kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, Edvin Bektesheviq, i cili në fjalën e rastit u ka uruar mirëseardhje dhe ka falënderuar pjesëmarrësit që me praninë e tyre e kanë bërë më madhështore atë.
Ai ka thënë se nuk është lehtë të flasësh për Gucinë e të mbetësh indiferent, sepse qëmoti është thënë se “kush një herë e ndien ngrohtësinë e Gucisë, kurrë nuk do ta harrojë”.
Bektesheviq ka thënë se Gucia nuk është vetëm një vrimë në hartë.
“Gucia është ndjenjë e veçantë. Ajo është vendlindje, plagë dhe ilaç në të njëjtën kohë. Këtu çdo fjalë ka aromën e atyre avllive tona, ndërsa gurgullimat e Gërnçarit, Luçës dhe Vrujës, janë melodi të vërteta të cilat depërtojnë nëpër qetësinë e natyrës, kurse shikimi në majat me borë të Bjeshkëve të Nemuna, i japin një hijeshi të veçantë margaritarit tonë. Gucia nuk është vetëm qytet, ajo është rrëfim mbi njerëz, zemrat e të cilëve kanë mësuar të rrahin së bashku, pavarësisht emrit, fesë e gjuhës. Me shekuj në këtë hapësirë të vogël, por krenare, janë takuar karvanet, kulturat dhe fatet, duke lënë gjurmë të cilat edhe sot ndihen në çdo hap. Çdo rrugë, çdo xhami, kishë apo shtëpi të vjetër ruajnë kujtimet në kohën kur njerëzit megjithë vështirësitë, kanë zgjedhur të jenë njëri pranë tjetrit. Gucia është dëshmi që shumetniciteti nuk është vetëm fjalë, por mënyrë e jetës. Ajo është vend ku gjuhët gërshetohen si përrenj malorë!”, ka theksuar ai.
Duke folur për punën e Kuvendit të Komunës së Gucisë, Bektesheviq ka thënë se prej seancës solemne kanë mbajtur gjashtë seanca të rregullta dhe dy të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilat kanë miratuar një vistër vendimesh të rëndësishme për funksionimin e vetëqeverisjes lokale dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.
“Kemi debatuar dhe vendosur mbi buxhetin, infrastrukturën, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe tema të tjera me interes publik. Jemi përpjekur të veprojmë në mënyrë të përgjegjshme, konstruktive dhe në frymën e bashkësisë, të vetëdijshëm se Kuvendi duhet të jetë shërbyes i vërtetë i qytetarëve e jo vetëm organ administrativ”, ka pohuar ai.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë ka falënderuar qytetarët e Gucisë për dashurinë ndaj qytetit të tyre, por sidomos diasporën, për të cilën ka thënë se edhe pse janë me mijëra kilometra larg, çdo ditë janë këtu.
“Ju jeni shembull i dashurisë së thellë dhe të sinqertë ndaj vendlindjes. Edhe pse jetoni dhe punoni në shtete tjera, ju nuk e harroni Gucinë. Këtu investoni diturinë, kohën, të hollat dhe me këtë dëshmoni se lidhja me vendlindjen nuk zbehet. Ndihma juaj kurrë nuk ka qenë vetëm materiale, ajo përherë ka qenë morale, shtyse dhe njerëzore”, është shprehur Bektesheviq.
Ndërsa kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, ka thënë në fjalën e tij se derisa shënojnë Ditën e Komunës – 5 Gushtin, nuk flasin vetëm për një datë në kalendar, por “sot festojmë historinë tonë, identitetin tonë dhe gjithë atë që na ka bërë gucianë krenarë”.
Ai ka thënë Gucia nuk është vetëm vend, por është ndjenjë dhe nder të cilin e bartin në kraharor.
“Gucia është kujtesë në të parët tanë, të cilët me mundim e kanë mbrojtur këtë tokë, të cilët nga ajo kanë shkuar me lot në sy, por përherë i janë kthyer me zemër. Sot Gucia më shumë se kurrë qëndron në udhëkryqin në mes së kaluarës krenare dhe së ardhmes ambicioze”, ka deklaruar Balliq, duke nënvizuar se në periudhën e kaluar është punuar me përkushtim për zhvillimin e komunës – në avancimin e infrastrukturës rrugore e komunale, ndërtimin e hapësirave publike, motivimin e bujqve lokalë, por edhe në krijimin e kushteve që të rinjtë të mbesin, të krijojnë dhe të shohin ardhmërinë e vet në këtë komunë.
Ai ka falënderuar Qeverinë e Malit të Zi dhe ministritë përkatëse për realizimin e disa projekteve serioze, duke thënë se te Komuna e Gucisë kanë njohur një partner të përgjegjshëm.
Balliq ka përkujtuar se në javën paraprake, kjo komunë ka qenë qendër e manifestimeve kulturore, argëtuese dhe sportive në tërë Malin e Zi dhe ka treguar se në periudhën prej 30 korrikut deri më 3 gusht, komunën e Gucisë e kanë vizituar më se 30.000 vizitorë.
“Jemi bërë stacion për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të dëfrehen në natyrë, mirëpritje dhe ambient të këndshëm. Në Guci përherë ka qenë parulla – nuk është me rëndësi si quhesh, por çfarë njeriu je. Ashtu është edhe sot. Ua kemi hapur dyert të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë dhe aty jemi për të qenë shtëpiakë më të mirë”, është shprehur ai.
Edhe kryetari i Komunës së Gucisë ka falënderuar qytetarët e kësaj komune, të cilët, sipas tij, çdo ditë me punën, angazhimin dhe idetë e tyre krijojnë fuqinë e Gucisë, derisa për diasporën ka thënë se “mbështetja e tyre, energjia dhe përkushtimi ndaj vendlindjes bëjnë pjesën e paçmuar të suksesit të përbashkët”.
Ndërkaq, duke folur për të ardhmen, ai ka thënë se çdo hap i tij dhe çdo lëvizje e administratës lokale do të jetë e orientuar kah zhvillimi i ekonomisë, turizmit, bujqësisë dhe të rinjve.
Gjatë seancës solemne është shfaqur filmi dokumentar 15-minutësh “Panorama natyrore mbi Gucinë me rrethinë”. Të pranishmit me programet e veta i kanë argëtuar sopranoja nga Ulqini, Gjylie Pelingu – Hoxha, dhe Shoqëria Kulturore-Artistike vendase “Allaturko” me valle burimore autoktone.
Me rastin e shënimit të Ditës së Komunës së Gucisë, kryetari i kësaj komune, Sanell Balliq, dhe kryetari i Kuvendit të Komunës, Edvin Bektesheviq, kanë ndarë plaketa mirënjohjeje për tre qytetarë: Ifeta Rashiq, Rizah Gruda dhe Ismet Çekiq, për veprimtaritë e tyre profesionale.
Pas akademisë solemne, Komuna e Gucisë ka shtruar koktej për të pranishmit në hollin e Qendrës për Kulturë.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat