“Shatërvani” që shpërthen nga pema e manit

Në fshatin Tojeq - Dinoshë, mes Tuzit dhe Podgoricës, jo larg lumit Cem, në periudhën e shirave të rrëmbyeshëm shfaqet një fenomen i vërtetë natyror, shumë i rrallë. Aty ndodhet një pemë mani, të cilën vendasit e quajnë murvë, që siç thonë ata, supozohet se është e vjetër më shumë se një shekull e gjysmë. Për lashtësinë e kësaj peme tregon edhe trashësia e trungut të saj

Gjekë Gjonaj

Malësia është një trevë shqiptare me pasuri, fenomene e mrekulli të ndryshme natyrore, të cilat, jo vetëm se nuk janë promovuar e valorizuar sa do të duhej, por madje as banorët e saj nuk ua dinë vlerën e tyre të jashtëzakonshme, së pari në fushën e turizmit. Nuk mjafton vetëm të mburremi me këto fenomene natyrore, që nuk ndodhen rëndom, me peizazhe të mrekullueshme që na i ka dhuruar nëna natyrë, por do të ishte me interes publik që ato t’i vendosim në shërbim të vizitorëve vendas dhe të huaj, në mënyrë që ata t’i eksplorojnë këto rastësi natyrore dhe të shijojnë kënaqësinë dhe bukurinë që ofrojnë ato.
Në fshatin Tojeq – Dinoshë, mes Tuzit dhe Podgoricës, jo larg lumit Cem, në periudhën e shirave të rrëmbyeshëm shfaqet një fenomen i vërtetë natyror, shumë i rrallë. Aty ndodhet një pemë mani, të cilën vendasit e quajnë murvë, që siç thonë ata, supozohet se është e vjetër më shumë se një shekull e gjysmë. Për lashtësinë e kësaj peme tregon edhe trashësia e trungut të saj.
Këtë fenomen të rrallë natyror e “zbulova” për herë të parë në vjeshtën e vitit 2004, kur e vizitova Sokol Lulgjurajn, shokun tim të shkollës, i cili jetonte në këtë fshat. Ishte ditë me shi. Sipërfaqja përreth kësaj peme kishte vërshuar. Në trungun e saj vërej diçka të pazakontë, që nuk e kisha parë asnjëherë më parë. Ndala veturën dhe shikoj përmes xhamit se si një curril uji shpërthen nga mesi i trungut të murvës. Sa u habita, po aq u mahnita.
Kur arrita në shtëpinë e shokut tim, i rrëfeva për atë çfarë pashë. Isha kureshtar të dija diçka më shumë për këtë “shatërvan”. Nga biseda me shokun tim tashmë të ndjerë, pranë sofrës së tij mikpritëse, mësova se nga kjo pemë vërtet buron uji dhe se ky fenomen ndodh dy-tri herë në vit, gjatë periudhave më të gjata të ujit nëntokësor më të fortë, që del në sipërfaqe gjatë një sezoni më të gjatë me shira nën presion, dhe një rast i tillë ndodhi edhe atë ditë kur isha për vizitë te shoku im. Ky banor i Tojeqit, i cili ishte pothuajse gjithmonë i pranishëm kur uji “shpërthen” nga trungu i pemës së manit, më tregoi se në këtë pjesë të Dinoshës ka shumë burime ujore dhe se është një tipar i pazakontë.
“Ky fenomen natyror shkaktohet nga reshjet e dendura të shiut që përmbysin burimet nënujore, kështu që presioni shtesë e shtynë ujin në sipërfaqe, së bashku me rrënjët e pemëve. Në fakt, uji ka kërkuar rrugën e tij për vite me radhë dhe e ka gjetur atë përmes trungut të kësaj peme. Është mjaft e pazakontë. Kjo ndodh kur ka shira të rrëmbyeshëm dhe kur bie shi për të paktën dy ose tri ditë. Por nuk zgjat shumë. Burimi nëntokësor, i vendosur nën pemën e manit, ka bërë një zgavër në mes të pemës për vite me radhë dhe kështu ndodh ky fenomen, i cili filloi të ndodhte në dhjetë vitet e fundit. Banorët e këtij fshati, që i takon malit të Grudës, por edhe ekspertët janë të bindur se bëhet fjalë për një burim uji, i cili është pikërisht nën rrënjën e pemës. Për vite me radhë, uji kërkonte rrugën e tij dhe e gjente përmes trungut të kësaj peme”, më tha Lulgjuraj.
Ai po ashtu më njoftoi se dinoshianët çdo pemë mani e kanë mbjellë në një burim, sepse paraardhësit tanë nuk mund ta ujitnin pemën, prandaj dhe e mbollën aty ku mendonin se do të kishte më shumë ujëra nëntokësore.
Më vonë, në bisedë me disa banorë të Dinoshës, mësuam se këtë pemë mani e ka mbjellë Metul Smaka, pasardhësit e të cilit ende jetojnë në Dinoshë.
Sipas banorëve të Dinoshës, kjo pemë mani, kur uji shpërthen përmes saj, është bërë një fenomen popullor, të cilën vijnë për ta parë drejtpërdrejt jo vetëm banorët e këtij vendbanimi, por edhe turistë. Në vendin përreth pemës, vizitorë të interesuar vijnë për të vëzhguar këtë burim. Fëmijët kënaqen duke luajtur pranë pemës dhe herë pas here pinë ujë direkt nga ajo pemë.
Viteve të fundit, ajo është bërë temë interesimi e disa mediave publike dhe private dhe mjeteve të tjera të komunikimit digjital, të cilat raportojnë se si duket kjo mrekulli natyrore, e cila gjithsesi të frymëzon.

Të fundit

më të lexuarat