Sekretariati për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji i Komunës së Ulqinit ka prezantuar planet dhe masat konkrete që do të ndërmerren gjatë vitit 2025 për të mbështetur bujqësinë lokale, për të nxitur zhvillimin rural dhe për të mbrojtur mjedisin.
Sekretarja Arta Muçaj ka thënë se Sekretariati që ajo drejton është i përkushtuar për të ndërtuar ura bashkëpunimi të vazhdueshme me prodhuesit vendorë dhe për të forcuar ekonominë lokale në mënyrë të qëndrueshme.
“Jemi në kontakt të përhershëm me prodhuesit bujqësorë të zonës dhe mundohemi që ata të jenë të informuar në kohë reale për çdo thirrje publike, mundësi financimi, trajnime apo ligjërata që ndihmojnë zhvillimin e veprimtarisë së tyre. Mbështetja konkrete për bujqit dhe ruajtja e biodiversitetit janë prioritetet tona kryesore”, ka deklaruar ajo.
Në kuadër të buxhetit të miratuar për vitin 2025, Komuna e Ulqinit ka ndarë 250.000 euro, të cilat do të shfrytëzohen për një sërë subvencionesh dhe aktivitete mbështetëse për sektorin bujqësor. Këto mjete financiare synojnë të nxisin rritjen e prodhimit vendor, të përmirësojnë teknologjinë në bujqësi dhe të krijojnë kushte më të mira për ruajtjen e natyrës.
Ndër masat më të rëndësishme për këtë vit përfshihen: 25.000 euro për sektorin e bletarisë, ku çdo bletar i regjistruar në regjistrin përkatës do të përfitojë 8 euro për çdo koshere të regjistruar. Kjo masë synon të nxisë ruajtjen dhe rritjen e popullatës së bletëve, të cilat janë thelbësore për ekosistemin dhe bujqësinë.
65.000 euro do të ndahen për subvencionimin e 50% të investimeve në pajisje dhe mekanizim bujqësor, duke u mundësuar fermerëve përmirësimin e teknologjisë dhe efikasitetit në punët bujqësore.
51.000 euro janë paraparë për blerjen e farërave, fidanëve, plehrave kimike dhe organike, si dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve.
Subvencion për prodhuesit e qumështit, në vlerë prej 5 centë për litër, për ata që dorëzojnë qumështin në objekte të certifikuara për përpunim.
Të gjitha këto përfitime financiare janë të kushtëzuara me regjistrimin e prodhuesve në regjistrin e amvisërive bujqësore, apo në regjistrat përkatës, siç është rasti me bletarinë.
Përveç përkrahjes financiare, Sekretariati po angazhohet edhe në organizimin e aktiviteteve promovuese dhe ndërgjegjësuese. Më 25 dhe 26 korrik 2025, në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Ulqinit do të organizohet manifestimi “Shalqini i Ulqinit” në Pazarin e Suvenirëve, në qendër të qytetit. Gjatë këtij aktiviteti, prodhuesit lokalë do të kenë mundësinë të ekspozojnë dhe shesin produktet e tyre si: shalqirin, vajin e ullirit, mjaltin, produktet artizanale dhe produkte të tjera bujqësore karakteristike të zonës.
Në të njëjtën kohë, janë ndërmarrë edhe aksione mjedisore me shkollat publike, të cilat përfshijnë pastrimin dhe gjelbërimin e hapësirave përreth shkollave. Këto aktivitete edukative janë pjesë e fushatave për ndërgjegjësimin e brezit të ri mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe rolit të tyre në krijimin e një komuniteti më të qëndrueshëm.
Këto masa dhe aktivitete tregojnë një qasje të integruar të Komunës së Ulqinit në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor dhe mbrojtjes së natyrës, duke e vendosur prodhuesin lokal dhe mjedisin në qendër të politikave zhvillimore.
D. Teliqi
