Thirrje për përgjegjësi dhe pjesëmarrje aktive qytetare

Projekti “Plazhi i Madh – Përgjegjësi e madhe” synon të krijojë një platformë për qytetarët, ku ata mund të shprehin shqetësimet, idetë dhe të ndikojnë në proceset vendimmarrëse që prekin komunitetin e tyre

Nën moton “Plazhi i Madh – Përgjegjësi e madhe” u zhvillua një takim gjithëpërfshirës me përfaqësues të shoqërisë civile, sipërmarrësve, medias dhe bashkësive lokale, me qëllim nxitjen e një debati publik dhe ndërgjegjësimin qytetar për rëndësinë e përfshirjes aktive në proceset vendimmarrëse, sidomos në çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik.
Takimi u organizua në kuadër të projektit me të njëjtin emër, i cili zbatohet nga OJQ “Kualiteti Lokal”, në bashkëpunim me OJQ “MogUL”, OJQ “MSJA” dhe Portalin Ul Info, ndërsa mbështetet nga OJQ “MANS” dhe OJQ “Aksioni Ynë”. Ky projekt është pjesë e iniciativës më të gjerë “Fuqizimi i zërave të komunitetit: përpjekjet për drejtësi dhe sundimin e së drejtës”, e financuar nga Bashkimi Evropian. Bashkëpunimi ndërmjet organizatave lokale dhe kombëtare dëshmon një angazhim të përbashkët për mbrojtjen e interesit publik dhe mjedisit në Ulqin.
Xhemal Peroviq nga OJQ “MogUL” theksoi rëndësinë e projektit si një nismë që synon jo vetëm ruajtjen e Plazhit të Madh, por edhe nxitjen e kulturës së përgjegjësisë qytetare.
“Ky projekt është dëshmi e unitetit të shoqërisë civile, jo vetëm në nivel lokal, por edhe kombëtar, kur bëhet fjalë për çështje kaq të rëndësishme si Plazhi i Madh”, deklaroi ai.
Një ndër momentet më domethënëse të takimit ishte diskutimi i marrëveshjes ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për zhvillimin e Plazhit të Madh.
Millosh Vukoviq, përfaqësues i sektorit civil nga Mali i Zi dhe i ftuar special në aktivitet, ndau përvoja konkrete për projekte të mëdha dhe investime që shpesh shoqërohen me afera korrupsioni dhe mungesë transparence.
“Rasti i marrëveshjes për Plazhin e Madh është një nga shembujt më të qartë të mungesës së transparencës dhe rrezikut që i kanoset mjedisit dhe interesit publik”, theksoi ai, duke nxitur qytetarët të jenë më vigjilentë dhe aktivë.
Një tjetër ligjëratë frymëzuese ishte ajo e ornitologut dhe sipërmarrësit Darko Saveliq, i cili foli për përpjekjet e tij personale në mbrojtjen e Plazhit të Madh dhe Kripores së Ulqinit.
“Këto dy zona janë të ndërlidhura ngushtë, jo vetëm nga pikëpamja ekologjike, por edhe në kuptimin e përgjegjësisë së përbashkët për ruajtjen e tyre dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit të Ulqinit”, tha ai.
Saveliq theksoi se mjedisi dhe zhvillimi ekonomik nuk janë domosdoshmërisht në kundërshtim, por përkundrazi, ato mund të ecin dorë për dore nëse qytetarët dhe institucionet punojnë së bashku.
Projekti “Plazhi i Madh – Përgjegjësi e madhe” synon të krijojë një platformë për qytetarët, ku ata mund të shprehin shqetësimet, idetë dhe të ndikojnë në proceset vendimmarrëse që prekin komunitetin e tyre. Objektivat e projektit përfshijnë informimin e qytetarëve të Ulqinit mbi planet qeveritare për Plazhin e Madh dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe pushtetit lokal, veçanërisht në fushat si mbrojtja e mjedisit, respektimi i ligjit dhe përfshirja në vendimmarrje.
Organizatorët e takimit theksuan se pjesëmarrja aktive e qytetarëve është kyçe për të parandaluar vendime të njëanshme dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm që pasqyron nevojat dhe dëshirat e komunitetit lokal.
“Vetëm përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë mund të sigurojmë që vendimet që merren për Plazhin e Madh dhe resurset natyrore të Ulqinit të jenë në përputhje me interesin publik”, u tha në përfundim të takimit.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një kulture të re qytetare në Ulqin – një kulturë ku mjedisi nuk trajtohet si burim shfrytëzimi, por si trashëgimi e përbashkët që duhet mbrojtur me përgjegjësi. Falënderimet shkuan për të gjithë pjesëmarrësit që kontribuan në këtë diskutim të rëndësishëm, duke e bërë të qartë se Plazhi i Madh është më shumë se një zonë turistike – është një simbol i përgjegjësisë kolektive dhe një thirrje për veprim.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat