Guci – Në seancën e dytë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë për vitin 2025, e mbajtur të premten, më 20 qershor 2025, ku ishin të pranishëm të gjithë këshilltarët (30) sa numëron Kuvendi i Komunës, u trajtuan, shqyrtuan dhe u miratuan një vistër propozim vendimesh e informatash të punës së organeve të qeverisjes lokale dhe të institucioneve e organizatave publike që funksionojnë në kuadër të Komunës.
Në seancën, të cilën e hapi kryetari i Kuvendit të Komunës Edvin Bektesheviq, njëzëri u miratua procesverbali nga seanca e parë e rregullt e KK-së, e mbajtur më 4 prill 2025.
Rendi i ditës prej nëntë pikash, i propozuar nga kryetari Bektesheviq, pësoi ndryshime dhe plotësime. Me propozim të u.d. të drejtorit të SHPK “Veprimtaritë Komunale”, Fahrudin Dervisheviq, nga rendi i ditës u tërhoq pika e dytë – Propozim Vendimi për përcaktimin e çmimeve për furnizimin publik me ujë të pijshëm dhe menaxhimin e ujërave të zeza për personat juridikë dhe fizikë për vitin 2025, si dhe u plotësua me tri pika të reja: 1. Vendimin për dhënien e pëlqimit të kryetarit të Komunës së Gucisë për pjesëmarrje në ankandin publik për blerjen e patundshmërisë në pronësi të SHPK “Arda Pelet”; 2. Pyetjet e këshilltarëve; dhe 3. Vendimin mbi vazhdimin e aktiviteteve për vazhdimin e punimeve në ndërtimin dhe adaptimin e stadiumit futbollistik të qytetit në Guci. Propozimet në fjalë u miratuan me shumicë votash “për” të këshilltarëve. Pas afro dy orësh diskutimi e debati të shumë këshilltarëve, rendi i ditës që pësoi ndryshime e plotësime, u miratua njëzëri.
Pika qendrore e punës së seancës ishte Llogaria përfundimtare e Buxhetit të Komunës së Gucisë për vitin 2024, e prezantuar nga sekretari për Ekonomi, Zhvillim dhe Financa, Mirallem Bektesheviq.
Ai ka bërë të ditur se buxheti i Komunës së Gucisë për vitin 2024 ishte i planifikuar në shumën 4.248.170,00 euro. Të hyrat janë realizuar në shumën 4.030.889,43 euro, kurse shpenzimet në shumën 3.033.642,91 euro. Gjendja fillestare ka qenë 1.342.633,28 euro, kurse depoziti më 31 dhjetor 2024 në shumën 997.246,52 euro, që përcillet në buxhetin e vitit 2025.
Këshilltarët e opozitës kanë shprehur kritika duke thënë se buxheti në fjalë ka qenë shpenzues e kurrsesi zhvillimor dhe si i tillë llogaritet ndër buxhetet më dështuese të Komunës së Gucisë.
Pas diskutimeve kryesisht të këshilltarëve të opozitës, kryetarit të Komunës, Sanell Balliq, dhe nënkryetarit të Kuvendit, Fadil Ulaj, që zgjatën më se një orë e gjysmë, këshilltarët e pranishëm me 16 vota “për” dhe 12 “kundër” miratuan Llogarinë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Gucisë për vitin 2024.
Në punën e mëtejme të seancës, e cila ka zgjatur rreth pesë orë, këshilltarët kanë shqyrtuar dhe njëzëri apo me shumicë votash “për” kanë miratuar edhe nëntë propozim vendime që kanë qenë në rendin e ditës.
Këshilltarët po ashtu janë njoftuar edhe me Informatën mbi furnizimin me ujë të pijshëm në territorin e Komunës së Gucisë në vitin 2024.
Sh. Hasangjekaj
