Garim i nxënësve për krijimin e suvenirit lokal autentik

Mu në ditën e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit, në ambientet e sheshit të qytetit të Plavës është mbajtur gara në punimin e suvenirëve lokalë autentikë. Në stendat e larmishme kanë qenë të ekspozuar suvenirët e punuar me dorë, të cilët kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë

Plavë – Komuna e Plavës dhe shkolla e mesme e përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, më 4 qershor 2025, nënshkruan zyrtarisht memorandumin e bashkëpunimit në realizimin dhe organizimin e përbashkët të garës së nxënësve, nën emërtimin “Suveniri lokal autentik”.
“Me këtë garë dëshirojmë t’i motivojmë të rinjtë që kohën e vet dhe energjinë ta orientojnë kah planifikimi i zhvillimit të komunës së vet, mendimit mbi ardhmërinë dhe hulumtimet e potencialeve të cilat janë të përshtatshme në vendin ku jetojnë”, ka thënë sekretari i Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Fikret Canoviq.
Ai ka theksuar se ky sekretariat intensivisht bën përpjekje që të rinjve tu mundësojë kushte sa më të mira për edukim, sport dhe zbavitje në komunën e vet.
“Gara në fjalë paraqet vetëm njërin ndër një vistër aktivitetesh të nxënësve, të cilën vetëqeverisja lokale me kënaqësi e mbështet dhe me entuziazëm të njëjtë do të vazhdojë t’i përkrahë edhe në të ardhmen. Garuesve u dëshirojmë sukses, kurse partneret tona – profesoreshat Hurjeta Pejçinoviq, Irma Talleviq e Shpresa Kukaj – Kurtariq dhe Drejtorinë e shkollës i falënderojmë për bashkëpunim me porosinë se përherë do të kenë partnerin besnik në çdo aktivitet që do t’i kontribuojë zhvillimit dhe avancimit të komunitetit”, ka përfunduar sekretari Canoviq.
Drejtoresha e shkollës “Beqo Bashiq”, Snezhana Bojoviq, me këtë rast ka shprehur falënderim për Komunën e Plavës për mbështetje dhe bashkëpunim në këtë projekt, po ashtu edhe në projektet e realizuara më parë.
Në këtë kontekst, mu në ditën e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit, në ambientet e sheshit të qytetit të Plavës është mbajtur gara në punimin e suvenirëve lokalë autentikë. Në stendat e larmishme kanë qenë të ekspozuar suvenirët e punuar me dorë, të cilët kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë. Çdo punim ka bartur vulën e përbashkët të traditës lokale, të kulturës e identitetit, kurse vizitorët kanë pasur rast të kënaqen me begatinë e ideve dhe vizioneve të krijuesve të rinj.
Në këtë garë veçanërisht janë shquar laureatët e tri shpërblimeve të para: 1. Margaritarët e vendlindjes; 2. Zanat nga Bjeshkët e Nemuna; dhe 3. Shpirti i traditës. Punimet e tyre janë veçuar për nga origjinaliteti, cilësia e punës dhe ruajtja e motivacioneve lokale.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat