Të enjten, më 1 maj 2025, u mbajt manifestimi përkujtimor kushtuar një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë – Kuvendit të Pajtimit të Gjaqeve, simbol i unitetit, urtësisë dhe vlerave kombëtare.
Në kuadër të këtij manifestimi u bë edhe zbulimi i pllakës përkujtimore për të nderuar përjetësisht rolin e këtij kuvendi historik dhe veprën e atyre që kontribuuan në misionin e madh të pajtimit.
Pjesë e kësaj dite domethënëse dhe e manifestimit ishin edhe fjalët e rastit nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, njëra prej iniciatoreve të aksionit të pajtimit të gjaqeve dhe pjesëmarrëses së Kuvendit, Have Shala etj., ku u theksua rëndësia e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të këtij vendi, si dhe ndarja e mirënjohjeve për individë që kanë dhënë kontribut të veçantë në ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave.
Falënderim për të gjithë pjesëmarrësit, bashkorganizatorët dhe qytetarët që me praninë e tyre e bënë edhe më të fuqishëm mesazhin e paqes dhe bashkimit.
Ashtu si luftërat, bëmat e Skënderbeut kanë frymëzuar atdhedashurinë dhe shpirtin e qëndresës së shqiptarit, emrat dhe veprat e Have Shalës, Zoge Shalës, Myrvete Dreshajt (Baliut), të cilave ju bashkuam shumë prej nesh, e bashkë me të rinjtë u bashkuan shumë profesorë të asaj kohe me në krye Anton Çettën… Kuvendi i Pajtimit të Gjaqeve te Verrat e Llukës, një tubim i përmasave epike, konsiderohet si tubimi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, ku rreth 500 mijë shqiptarë u bashkuan në fushën e pajtimit.
Vlen të përmendet se kjo ishte një nga periudhat kur vetëdija kombëtare ishte në nivelin më të lartë. Fushata e pajtimit të gjaqeve ishte një nga nismat më patriotike, që rezultoi me 1 800 gjaqe të falura dhe rreth 30 mijë ngatërresa të pajtuara.
Një kontribut të madh patën dhënë figurat e njohura të profesorëve, siç ishin: Zekeria Cana, Ramiz Kelmendi, Nimon Alimusaj e shumë të tjerë!
Verrat e Llukës mbetën kujtesë dhe frymëzim për brezat që vijnë.
Haxhi Lajçi
