Të ndërgjegjësohemi mbi rëndësinë e parandalimit të sëmundjes

Nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se numri i personave të siguruar në Mal të Zi, të cilët trajtoheshin çdo vit për diabetin nga mjekë të përzgjedhur, është rritur me 19 për qind në 10 vitet e fundit, nga 23,331 të sëmurë në vitin 2013, në 27,677 të sëmurë në vitin 2023

Çdo vit më 14 nëntor shënohet Dita Botërore e Luftës kundër Diabetit e cila në të gjithë botën ka për qëllim të kujtojë dhe të ndërgjegjësojë popullatën mbi rëndësinë e parandalimit të diabetit të tipit 2 përmes zbatimit të një stili të shëndetshëm të të jetuarit.
Po t’i referohemi vendit tonë (Malit të Zi), ky është një vend me prevalencë të lartë të pacientëve me diabet me një tendencë të qartë të rritjes së numrit të të sëmurëve.
Nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se numri i personave të siguruar në Mal të Zi, të cilët trajtoheshin çdo vit për diabetin nga mjekë të përzgjedhur, është rritur me 19 për qind në 10 vitet e fundit, nga 23,331 të sëmurë në vitin 2013, në 27,677 të sëmurë në vitin 2023.
“Që nga zbatimi i sistemit elektronik të menaxhimit dokumentacionit shëndetësor në vitin 2010, është vërejtur se një numër i caktuar personash me diabet të diagnostikuar paraqiten tek mjekët e përzgjedhur me pushime mbi një vit, gjë që ndikon në arritjen e qëllimeve terapeutike dhe të politikave të shëndetit në trajtimin e pacientëve me diabet të diagnostikuar”, njoftojnë nga ISHP-ja.
Veset familjare dhe kulturore në të ushqyer, dhe (jo)aktiviteti fizik në sinergji me stresin e përditshëm të jetës, veçanërisht në zonat urbane, njihen si gjenerues të çrregullimeve të metabolizmit të glukozës dhe rritjes dramatike të sëmurëve me diabet tip 2, edhe në vendin tonë.
“Në dekadat e fundit, Mali i Zi është përballur me një popullsi në plakje, një rritje të obezitetit në të gjithë popullsinë dhe me një urbanizim intensiv, çfarë tregon në praninë e një rreziku të konsiderueshëm për një numër gjithnjë në rritje të njerëzve me disa nga çrregullimet e metabolizmit të glukozës, si p.sh. paradiabetit, diabetit dhe diabetit gestacional”.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, vlerësimet e Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF Diabetes Atlas 2021-10th Edition; www.diabetesatlas.org) janë se në Mal të Zi, rreth 21,600 të personave të rritur (të moshës: 20-79 vjet) kanë diabet të padiagnostikuar. Prandaj, siç theksojnë, mund të llogaritet se rreth 50,000 njerëz mbi moshën 20 vjeç jetojnë me diabet në Mal të Zi, përkatësisht se, prevalenca kombëtare e diabetit është rreth 10.7%. Gjithashtu, vlerësimet e IDF (The IDF Diabetes Atlas, Edition 8th) tregojnë se tendenca e rritjes së prevalencës së diabetit në Mal të Zi mund të kalojë 14% deri në vitin 2045.
Nga ky institucion shëndetësor, ndër të tjera radhisin një sërë faktorësh të cilët kontribuojnë në shfaqjen e diabetit.
“Predispozita gjenetike dhe mënyra e jetesës kontribuojnë në mënyrë sinergjike në shfaqjen e diabetit mellitus tek të gjitha moshat. Të rinjtë në Mal të Zi kryesisht vuajnë nga diabeti i tipit 1, më rrallë nga diabeti i tipit 2, si dhe diabet gestacional. Në shpërndarjen moshore të të rinjve me diabet gjatë pesë viteve të fundit, vërehet një rritje e vazhdueshme vjetore e numrit të pacientëve të moshës 14 – 19 vjeç, derisa numri i pacientëve nën 14 vjeç (fëmijë) në të njëjtën periudhë është më i lartë dhe luhatet midis 186 dhe 203 të sëmurë, por pa një tendencë të dukshme në rritje” njoftojnë nga ISHP-ja.
Nga Instituti i Shëndetit Publik theksojnë se lloji më i zakonshëm i diabetit tek të rriturit është tipi 2. Megjithatë, theksojnë ata, viteve të fundit në Mal të Zi, nuk është e pazakontë që edhe njerëzit nën moshën 19 vjeç të vuajnë nga ky lloj diabeti, si dhe një numër në rritje i fëmijëve obezë deri në 14 vjeç dhe të rinj.
“Analizat e të dhënave të Regjistrit të Diabetit tërheqin vëmendjen se 80% e pacientëve të diagnostikuar me diabet, kanë diabet të tipit 2, gjithashtu 80% kanë peshë të shtuar trupore, ndërsa 40 për qind janë fizikisht joaktivë. Këto të dhëna tregojnë përmasat e sfidës për të gjithë shoqërinë malazeze kur mendojmë për parandalimin e çrregullimeve të metabolizmit të glukozës” njoftojnë nga ky institucion.
Ata më tutje kanë dhënë një sërë udhëzimesh të cilat mund të shërbejnë për të parandaluar këtë sëmundje të rrezikshme e cila çdo vit në mbarë globin shënon shifra të frikshme.
“Modifikimi i stilit të jetesës është një forcë e fuqishme e shëndetit publik që mund të parandalojë shfaqjen e prediabetit dhe diabetit të tipit 2 dhe të arrijë sukses në parandalimin, trajtimin dhe remisionin në raste të caktuara të sëmundjes. Rivitalizimi i shërbimeve ekzistuese të këshillimit të popullsisë të qendrave shëndetësore me një ekip mjekësh, infermierësh, dietologësh, psikologësh dhe fizioterapistësh, do të mundësonte zbatimin me sukses të masave parandaluese që synojnë të gjithë popullatën”.
Në këtë kuadër do të ishte më se e domosdoshme që të fillojmë të mendojmë dhe të ndërgjegjësohemi për të filluar të zbatojmë të gjitha ato sugjerime të cilat na i japim çdo ditë profesionistët e mjekësisë në mënyrë që te kemi një jetë më të mirë, me sa më pak komplikime të mundshme.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat