Ulqin – Dy artistet nga Kosova, Vlora Kosumi – Ismaili dhe Mjellma Goranci – Firzi, pedagoge në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë hapur të premten mbrëma (22 shtator 2023) në mjediset e Librarisë “Ulqini” ekspozitën e tyre të përbashkët.
Megjithëse secila pikturon në mënyrën e vet, ajo që i përbashkon dy artistet është figura e femrës dhe e bukura.
“Ne të dyja trajtojmë të njëjtën temë – femrën, domethënë të bukurën. Mjellma zakonisht ka trajtuar portrete të ndryshme, kurse unë kam shkuar me figuracion. Për mua është hera e parë që merrem me këtë pjesë. Është një epokë e re ndoshta në këtë pjesën e ilustrimit, pasi që unë vite të tëra jam prezantuar si piktore. Por pasi që kisha mbaruar dizajnin dhe tani jam edhe ligjëruese në Fakultetin e Arteve, ku jap lëndën e ilustrimit, u motivova ndoshta edhe nga detyrat e studentëve dhe më erdhi një frymë e re aty për t’u motivuar, për të punuar dhe për të qenë ndoshta pak më afër studentëve”, ka thënë Vlora Kosumi – Ismaili.
Ajo ka theksuar se edhe pse ilustrimi është pjesë e anës digjitale, ka bërë një lidhshmëri të pikturave të saj me pjesën e ilustrimit digjital.
Artistja tjetër, Mjellma Goranci – Firzi, ka treguar se përmes trajtimit të figurës së femrës në artin e saj shpreh madhështinë e jetës.
Në veprat e saj mbizotëron ngjyra e kaltër.
“Kësaj radhe kam ardhur me ngjyrën e kaltër. Ngjyra e kaltër është ngjyrë mashkullore, por unë kësaj radhe e kam pajisur femrën me të kaltër, se ka identitet, është ngjyrë e rrallë, ka peshë. Kështu që femrat të cilat i trajtoj unë në artin tim kanë madhështinë e vet. Ju e dini që femrat e kanë madhështinë, e kanë të bukurën, sepse i ka falë Zoti ashtu. Kështu që mundohem ta paraqes femrën me të gjitha detajet të cilat na ka sjellë natyra në këtë jetë”, ka thënë Goranci – Fizi.
Duke i prezantuar dy artistet para publikut të pranishëm në hapjen e ekspozitës, skenografja dhe kostumografja Jetmira Hoxha ka thënë se ato janë dy profesoreshat e saj më të dashura në Fakultetin e Arteve.
“Nëse më pyet dikush se si e përshkruaj Fakultetin e Arteve, do ta përshkruaja pikërisht me ngjyrat se si pikturojnë të dyja – të qeshura, të dashura, ashtu siç janë ato vetë. Me të vërtetë unë jam produkt i tyre dhe meqë edhe ecuria ime e artit në Ulqin është shtysë e tyre dhe unë gjithmonë i falënderoj si profesoresha që më dhanë dashuri dhe përkrahje që ta përfundoj Fakultetin e Arteve me sukses. Kështu që unë jam suksesi i tyre në njëfarë mënyre”, është shprehur ajo.
Hoxha ka thënë se punimet e dy artisteve janë shumëngjyrëshe dhe sjellin aromën e Kosovës, por të përzier pak me atë modernen dhe secili prej tyre ka një histori brenda vetes.
Vlora Kosumi – Ismaili ka mbaruar studimet baçelor në Dizajn Grafik në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Po në këtë fakultet, në vitin 2008 ka kryer studimet master në Pikturë. Ka doktoruar në fushën e historisë së artit në Universitetin “Cirili dhe Metodi” në Shkup. Që prej vitit 2009 punon profesoreshë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ka pasur ekspozita personale në Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci, si dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive në Kosovë, në rajon dhe në Gjermani, duke eksperimentuar me stile të ndryshme avangarde dhe duke krijuar pjesë artistike që tregojnë një histori.
Mjellma Goranci – Firzi është piktore dhe artiste multimediale. Ajo ka mbaruar studimet baçelor në Dizajn Grafik dhe studimet master në Dizajn Grafik dhe Multimedia në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku aktualisht punon si profesoreshë e dizajnit. Krahas kësaj punon si skenografe në Radio Televizionin e Kosovës. Ajo është shumë aktive në fushën e artit dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita në Kosovë dhe jashtë saj.
Ekspozita është organizuar me mbështetjen e Komunës së Ulqinit dhe të Librarisë “Ulqini”.
i. k.
