
Në mbarë botën mediat luajnë një rol të veçantë në të gjitha sferat e jetës, pra edhe në shoqërinë malazeze e shqiptare. Mediat profesionale janë themeli i një shoqërie demokratike, e cila mund të përparojë vetëm nëse qytetarët kanë informacion të besueshëm. Prandaj pushteti i katërt i një shoqërie demokratike është pushteti i medias. Ky pushtet sipas specialistëve mediatikë ekziston për dy arsye. Arsyeja e parë është të informojë publikun, kurse arsyeja e dytë është të krijojë një tribunë për publikun të thotë fjalën e tij. Rëndësinë e medias Roxher Morrison e ka justifikuar në 10 arsye.
1.Ato interpretojnë të kaluarën;
2.Ato përcaktojnë vendin tonë;
3.Ato janë të rëndësishme për të kuptuar kulturën dhe argëtimin;
4.Ato na ndihmojnë të zhvillojmë të menduarit kritik;
- Ato lejojnë të ndërtohen realitete;
6.Ato stimulojnë ndërgjegjen tonë;
7.Ato ngrisin zërin kundër sëmundjeve shoqërore;
8.Ato sigurojnë njohuri dhe transmetojnë informacion;
9.Ato edukojnë shoqërinë;
10.Promovoni dhe promovoni organizata dhe kompani, sepse mediat ju bëjnë të njohur.
Nga çfarë theksuam më lart, mund të nxjerrim një përfundim se mediat luajnë rol të rëndësishëm në shpërndarjen e informacionit, në edukimin e popullatës, në gjenerimin e përmbajtjes, mendimeve pozitive ose negative që kemi për shumë tema në fusha të ndryshme të interesimit, në motivimin e grupeve të ndryshme shoqërore, në mundësinë që ajo na ofron për t’u bërë të njohur duke promovuar mesazhet tona dhe marrëdhëniet me publikun. Mediat profesionale janë themeli i një shoqërie demokratike, e cila mund të përparojë vetëm nëse qytetarët kanë informacion të besueshëm.
Mali i Zi ka një rekord botëror të mediave në raport me numrin e banorëve
Në Mal të Zi sipas të dhënave zyrtare të cilat i bëri publike javën e kaluar Sindikata e Medias e Malit të Zi janë të regjistruara 222 media, në të cilat punojnë afro 2.000 punonjës. “Në Malin e Zi botohen çdo ditë tri gazeta, ka edhe dy të përjavshme, 15 periodikë si dhe dy agjenci televizive. Në qershor kanë funksionuar 130 portale, ndërsa ka 69 media elektronike, gjegjësisht radio dhe televizione. Ka edhe nga ato që nuk janë të regjistruara në organet kompetente shtetërore. Pra, Mali i Zi ka një rekord botëror për numrin e mediave në raport me numrin e banorëve”, tha në prezantimin e hulumtimit më të ri kryetari i Sindikatës së Mediave të Malit të Zi, Radomir Kraçkoviq.
Në mesin e tyre përfshihen edhe mediat në gjuhën shqipe: programi javor në Radion e Malit të Zi, Lajmet dhe Ditari që transmetohen gjashtë ditë në javë dhe emisioni “Në fund të javës”, emisioni ditor Lajmet në Televizionin e Malit të Zi dhe emisioni ”Mozaiku”, i cili transmetohet çdo të shtunë, dy televizione dhe një radio private – Televizioni “ Boin”-Tuz, Televizioni “Teuta”-Ulqin dhe Radio “Elita”-Ulqin, pastaj dy radio publike Radio “Ulqini” dhe Radio “Tivari” dhe gazeta e përjavshme publike “Koha Javore”.
Pozita socio-ekonomike e punonjësve në media ende nuk është në nivel të kënaqshëm
Sipas hulumtimit të Sindikatës të Mediave për vitin e kaluar, të realizuar si pjesë e projektit “Sindikatat për rimëkëmbje të drejtë”, pozita socio-ekonomike e punonjësve në media kohëve të fundit është përmirësuar, por ende nuk është në nivel të kënaqshëm. Më shumë se gjysma e punonjësve në media marrin rrogë nën mesataren kombëtare dhe ata janë ende të ekspozuar ndaj presioneve, sulmeve dhe kërcënimeve, prandaj shumica e të anketuarve planifikojnë të largohen nga profesioni. Studiuesja e Sindikatës së Mediave të Malit të Zi , Bojana Konatar tha se sondazhi tregoi se më shumë se gjysma e të punësuarve në media, 62 % e tyre marrin pagë nën mesataren kombëtare, ndërsa një e katërta marrin pagë sa ose nën pagën minimale në Mal të Zi. “Punëdhënësit ende nuk e njohin rëndësinë e trajnimit të punonjësve, pasi 66 % e të anketuarve kanë pasur më pak se një trajnim në vit gjatë pesë viteve të mëparshme. Çdo i treti punonjës i medias në Mal të Zi punon më shumë se tetë orë, ndërsa 70.5 % e tyre punojnë jashtë orarit dhe se nuk do të ishte problem nëse as 60% e tyre nuk do të paguheshin për atë punë shtesë. Situata është e ngjashme me punën në fundjavë, çdo i dyti i anketuar shpesh punon në fundjavë, ndërsa 74% e tyre nuk kanë marrë asnjëherë një rrogë shtesë për të punuar të dielave. Kjo nuk është për t’u habitur, sepse deri më tani nuk ka qenë as obligim i punëdhënësit, por shpresojmë që nga ky muaj të fillohet me atë praktikë”, nënvizoi Konatar.
Se pozita e punonjësve në media është përmirësuar gjatë vitit të kaluar, por ka ende probleme që rëndojnë mbi komunitetin e medias, vlerësoi edhe sekretarja shtetërore në Ministrinë e Kulturës dhe Medias, Mirjana Maslovar. “Për këtë jemi të vetëdijshëm edhe ne në qeveri dhe raporti që e keni paraqitur këtë e tregon. Vizioni ynë është Mali i Zi si një shoqëri demokratike në të cilën punonjësit e mediave punojnë profesionalisht në interes të qytetarëve”, u shpreh Maslovar.
Kryetarja e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Maja Sever tha se njerëzit që janë në sindikata dhe shoqata janë të lidhur nga pasioni për mbrojtjen e gazetarisë dhe ndërgjegjësimi se sa e rëndësishme është ajo për individët dhe shoqërinë. “Ajo për të cilën ne po luftojmë është që të sigurojmë kushtet që gazetarët të bëjnë lirshëm dhe profesionalisht gazetari cilësore dhe në këtë mënyrë të jenë në shërbim të qytetarëve. Ju keni parë në ngjarjet e fundit se sa e rëndësishme është kjo për paqen dhe demokracinë”, tha Sever. Ajo pohoi se është evidente se sa e brishtë është pozita e gazetarisë së pavarur jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. “Ne jetojmë në një kohë kur na duhet një mekanizëm legjislativ dhe një sistem rregullash sjelljeje për të siguruar që gazetarët të raportojnë lirshëm. Por nuk ka asnjë vend në Evropë ku gazetarët nuk përballen me kërcënime dhe sulme”, theksoi Saver, duke shtuar se autorët shpesh mbeten të pandëshkuar.
