
Kostumet popullore të çfarëdo qofshin ato, femre apo mashkulli, të një treve, krahine dhe më gjerë, janë një nga simbolet më origjinale të kulturës së tyre dhe asaj tradicionale. Ato janë trashëguese të shumë elementeve që nga lashtësia dhe jo më koë gjeneratat e tëra dëshirojnë t’i kenë si veshje popullore të trevës prej nga vijnë. Çdo veshje ka karakteristikat e veta dhe është karakteristike për çdo komb në botë, njëjtë edhe për trevën e Krajës, e cila veshje e vajzave dhe nusërisë krajane tregon identitetin kulturor dhe social të trevës.
Duke e parë kostumin e femrës krajane (vajzave-nuseve) si një nga manifestimet më të shkëlqyera të kulturës shpirtërore, por edhe asaj materiale të femrës krajane, ky shkrim ka për qëllim të hulumtojë për tjetërsimin e kësaj veshjeje, duke hedhë në dritë raste të shumta ku veshja e femrës (vajzave-nuseve) zëvendësohet apo edhe anashkalohet nga përdorimi. Këtu është fjala për raste të tilla ku femra krajane posedon këto llojë veshjeje, qoftë në raste veshje vajzë apo edhe në raste veshje nuse (veshja e nusërisë). Argumentimi për raste të tilla është parë dhe i lidhur ngusht me rrugëtimin gjatë veshjes-përdorimit të saj. Secili rast paraqet fakte interesante që mund të marrin interesin e opinionit të gjërë si atyre nga treva e Krajës por edhe të huaj të cilët u ka rënë në të kaluarën e shkuar të njihen me veshjen e tillë. Stili i përdorur i kësaj veshjeje ashtu siç duhet dhe i ka hije një vajzeje apo nuseje krajane, me atë se si po përdoret sot e këndej, duke e filluar dalëngadalë tjetërsimin dhe çoroditjen nga origjinalitetit i këtyre dy veshjeve (vajzave-nuseve), krijon njëfarë vështrimi nga syri vërejtës zakonisht aty ku përdoret dhe që dallohet bukur mirë nga origjinaliteti.
Ne e dimë se të mbash gjallë traditën e punimit dhe bartjes (veshjes) së kostumit të trevës, aq më tepër në këtë rast atë të vajzave dhe nuseve krajane, është mjaft e vështirë. Por, edhe përdoruesit dhe bartëset e saj duhet ditur se ajo është pjesë e identitetit dhe historisë së tyre me të cilën dallohen nga trevat e tjera etnike shqiptare, me çka duhet të jenë krenare me atë bukuri mbulese kur e “hedhin”- veshin mbi trupin e tyre. Pra, mendoj se ajo është pjesë e historisë së tyre po aq sa edhe dokumentat historike që ekzistojnë nga treva prej nga vijnë – Kraja.
Dikush mund t’i ketë ato të dhuruara nga prindërit, dikush të pororsitura nga punueset e kësaj veshje, dikush mund t’i ketë dhuratë nga anëtarët e familjes, e tjera e tjera raste, por në përgjithësi i kanë në dispozicion dhe duke mos i përdorur (veshur) aty ku e lyp nevoja, si në gëzime familjare, manifestime, organizime të ndryshme, pjesëmarrje në festivale e tjera raste, por e anashkalojnë atë bukuri që shfaqet mbi vashën krajane, qoftë ajo veshja e vajzërisë apo ajo e nusërisë, duke e zëvendësuar atë me veshje të trevave tjera, si atë të trevës së Mërkotit me veshje merkateshash, të Ulqinit me veshje ulqinake madje duke kaluar edhe përtej trevave që rrethojnë trevën e tyre praj nga e kanë origjinën, ate të Krajës, duke e zëvendësuar me atë të Tropojës, pra me veshje tropojane. Këtu mund të cekim raste të shumta kur bie fjala për zavendësime të tilla. Nga brengosje e shumë atyre krajanëve e krajaneve që u bien në sy këto raste të zavendësimit apo të anashkalimit shumë afër tjetërsimit të veshjes së trevës së tyre Krajës, edhe pse në fakt ky shkrim është i autorit të këtyre rreshtave, në realitet është fjala e tyre, ku edhe unë solidarizohem me brengosjen e tyre dhe ndihem krenar që më jepet rasti ta hedhi në letër fjalën e tyre.
Rastet e tilla janë të shumta, duke u nisër që në gëzimet familjare, koncerte e manifestime të ndryshme ku pjesë e tyre është edhe femra krajane. Ka raste kur disa vajzave u jepet urdhri t’i veshin veshjet e vajzërisë krajane, por ato nuk veshen ashtu siç duhen, madje edhe pa degermi (mbulesë) në krye (kokë), apo vajza që veshen me veshjen e nusërisë krajane dhe po ashtu nuk veshen në mënyrën e duhur, ose mungon një çevre apo degermia, ku kemi pasur rastin të shohim vajzat krajane në pjesëmarrje manifestimi pa degermi në krye (shami mbi kokë), çka është një brengosje jashtëzakonisht e madhe madje edhe fyese për komunitetin krajan, duke e konsideruar si përdhosje të veshjes së nusërisë krajane. Rasti tjetër është edhe më shumë brengosës kur vajza krajane e veshur me veshjen e nusërisë krajane veshë setren, një nga elementet më origjinale të kësaj veshje, dhe në atë rast ofendohet keqas nga vetë krajanja (?) duke ju drejtuar asaj (vajzës): “What the hell is that?- Çfarë dreqin është ajo?”, kështu që menjëherë tingëlloi keqas ajo fjalë në veshin e vajzës krajane dhe sot e asaj dite pothuaj se nuk ka njeri që mund ta bind atë që ta veshi përsëri setren, madje as prindërit e saj. Ç’farë ironie!
Raste ka mjaft por edhe një rast shumë unik mund të ceket kur sheh të veshur vajzën krajane me veshje jo të trevës së Krajës si p.sh. tropojane apo ulqinake etj., e përfaqëson Krajën. A nuk është kjo një tjetërsim i veshjes së nusërisë krajane? Të lihet e të mos përdoret veshja e vajzërisë dhe e nusërisë krajane, ajo bukuri që e hijeshon edhe më tepër bukurinë e vajzës krajane, dhe të zëvendësohet me veshje të trevave të tjera, madje edhe të përfaqësojnë Krajën me to, mendoj se është një mëkat mbi Krajën dhe kostumin e femrës krajane, duke e ditur se jo vetëm në vendlindje por edhe në diasporën krajane kemi me qindra, apo për të mos e tepruar, me mijëra veshje të tilla në dispozicion tek vajzat krajane, por edhe tek nënat e tyre, madje edhe më origjinalet se ato të sodit që gjenden në mesin e tyre.
Dihet se elementet e veshjes së nusërisë krajane formohen në forma të ndryshme, pothuajse të pandryshuara dhe ajo kalon nga një përson tek tjetri, nga një gjenerat tek tjetra, nga një brez tek tjetri dhe në këtë mënyrë ajo pëfaqëson trevën e origjinës së saj.
Në këtë rast do të ishte me interes të veçantë të kuptojmë arsyen pse ndodhin këto gjëra-raste me veshjen e vajzërisë e nusërisë krajane, sepse kjo mund të na ndihmojë dhe të sqarojnë arsyen e plotë të një veprimi të tillë. Domosdoshmëria e krijimit të urave lidhëse me përdorueset e këtyre veshjeve (vajzave-nuseve) të femrës krajane do të çonte në zbardhjen e këtyre rasteve kur veshja nuk e kryen funksionin e vet, për të evidentuar keqkuptimet dhe mesazhet e atyre që u kanë rënë në sy e veshë rastet e tilla. Ndoshta mund të jetë e tepërt të thuhet por realiteti është i tillë të thuhet se nuk ka vëmendje por as dëshirë për të parë diçka me vlerë as nga ata që japin urdhra për përdorimin e veshjeve të cekura në këtë shkrim, që ajo të ruhet me fanatizëm e jo për plotësim dëshirash duke e zëvendësuar me veshje të trevave tjera.
Kjo gjë duhet pasur kujdes tek bartëset e këtyre lloj veshjeve, duke e ruajtur e bartur pa u zavendësuar me të tjera veshje të trevave përreth trevës së origjinës së veshjes. Ajo duhet ruajtur me kujdes dhe duhet të vlerësohet me një kujdes të veçantë duke përcjellur dëmtimet që mund t’i ndodhin veshjes, po pse jo edhe kujdesja nëse ka nevojë për ndonjë qepje e restaurim, e jo të tjetërsohet ajo dhe të mos përdoret aty ku e lyp nevoja. Me durim, pasion dhe punë të kujdesshme mund të ruhet secila pjesë e veshjes, sepse secila prej tyre ka veçantitë e veta edhe pse me kalimin e kohës ka pasur ndryshime nga origjina e tyre, shtesa apo mungesa të ndonjë detaji-pjese për zbukurim duke ju përshtatur gjendjes ekonomike të familjes. Madje këtë e pohojnë edhe etnografët dhe kostumografët shqiptarë të cilët thonë se kostumet popullore mund të ndryshojnë nga rreziku dhe masakra e trensformimit pikërisht nga ekonomia e tregut të lirë, sepse ato që qepin kostume të tilla devijojnë origjinalitetin e tyre duke ja prishur të gjithë atë bukuri që ka. Pra, për ta ruajtur atë veshje nga dëmtimet e mëtejshme, pas përdorimit në raste të cekura më parë, duhet patur kujdes të veçantë duke përdorur kuti të veçanta për sistemimin e atyre veshjeve (vajzave-nuseve) e posaçërisht atë të nusërisë krajane sepse, pikërisht kostumi i nusërisë krajane duke qenë një veshje ceremoniale, ka ruajtur më shumë elementin identifikues ku ajo përmban edhe shumë vlera artistike dhe estetike duke identifikuar trevën nga ka edhe origjinën e vet.
Pra, duhet cekur se veshja në vetvete përmban informacione të rëndësishme si brenda trevës prej nga e ka origjinën e saj, po ashtu edhe në grupe që identifikon trevën e vet, por jo vetëm për aq kohë sa është e përdorueshme por edhe më shumë, sepse ajo bie në syrin vrojtues dhe ngulitet thellë në mendjen e të interesuarve për bukurinë e saj madje edhe për kritikat mbase edhe për studimin e saj nga të interesuarit etnografë apo kostumografë shqiptarë, dhe jo vetëm.
Veshja tradicionale e nusërisë krajane është trashëgimi e trevës së Krajës, për të cilën çdo krajane e krajan duhet të krenohet, por duket se ajo po shkon drejt zëvendësimit dhe tjetërsimit të saj, duke na sjellë më pak shije tradite krajane.
