Në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, më 28 prill 2023 është hapur ekspozita “Arkitektura në kontekst tradicional”, e përgatitur nga Prof. asoc. Dr. Flamur Doli, dhe është bërë përurimi i monografive të tij studimore “Arkitektura vernakulare e Kosovës” (në gjuhën angleze) dhe “Ruajtja praktike e trashëgimisë arkitektonike në Kosovë”.
Në ekspozitë janë paraqitur 62 punime që paraqesin projektet ideore të realizuara ndër vite nga studentët e nivelit master të Fakultetit të Arkitekturës së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kuadër të hartimit të temave seminarike si pjesë e kursit “Teoria dhe praktika e restaurimit” dhe temave të diplomave master të punuara nën mentorimin e Prof. asoc. Dr. Flamur Doli, arkitekt dhe pedagog pranë Fakultetin të Arkitekturës.
Ai ka thënë se temat e prezantuara në kuadër të metodologjisë projektuese për bazë i kanë konceptet bashkëkohore të restaurimit, restaurimit rijetësues dhe zgjerimit, të zbatuara në monumentet e trashëgimisë së Kosovës.
“Duke qenë se në këto vepra të ekspozuara shprehet një pasion, përkushtim dhe dashuri për arkitekturën, ndieja detyrim ndaj ish-studentëve që këto vepra ta shohin dritën dhe ta japin mesazhin qytetërues dhe profesional në fushën e trashëgimisë. Pa këtë veprim ato do të ngelnin përjetë të panjohura si për komunitetin e gjerë, ashtu edhe për atë profesional”, ka thënë Doli.
Në fjalën e tij Dr. Nail Draga e ka cilësuar ekspozitën të veçantë, pasi që sipas tij, është e para e këtij lloji e cila i prezantohet opinionit të Ulqinit.
“Një ekspozitë e përmasave të tilla është hera e parë që prezantohet në qytetin tonë. Secili (punim) praktikisht paraqet një koncept të veçantë në lidhje me temën të cilën ia ka parashtruar”, ka thënë ai.
Draga është shprehur se “të gjithë ata që e vizitojnë këtë ekspozitë vërejnë se kemi të bëjmë jo vetëm me çështjen e arkitekturës tradicionale por edhe më tepër, sepse kemi të bëjmë me identitetin dhe traditën tonë në fushën e ndërtimtarisë”.
Ulqini është qyteti i tretë ku është hapur kjo ekspozitë, pas Prishtinës dhe Tiranës, ndërsa nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, që e ka organizuar ekspozitën, kanë bërë të ditur se ajo do të hapet në Tetovë, më 11 maj 2023, por edhe në kryeqendrën e UNESCO-s në Paris, me qëllim të paraqitjes së vlerave të trashëgimisë arkitektonike dhe kulturore të Kosovës, por edhe të vetë UNESCO-s.
Për dy monografitë e Prof. asoc. Dr. Flamur Doli dhe kontributin e tij në fushën e trashëgimisë arkitektonike kanë folur arkitektja dhe specialistja e trashëgimisë kulturore, Gjejlane Hoxha, inspektore në Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, arkitekti Sali Spahiu nga Prishtina dhe arkitekti Korab Kraja nga Ulqini, ish-student i autorit.
Hoxha ka thënë se dy librat e Dolit nuk janë punë shkel e shko, por punë shumë specifike.
“Një arkitekt dokumenton trashëgiminë tonë kulturore në mënyrë konkrete materiale të ndërtuar ndër breza dhe mileniume. Në mënyrë të mrekullueshme, me vështirësi shumë të mëdha në Kosovë i ka realizuar punët hulumtuese dhe studimet e atij materiali. Dhe përfundimisht nuk e ilustron vetëm materialin, por bën librin tjetër ku bashkë me studentë si arkitekt i rrallë, për ruajtjen e atij materiali i cili për kombin tonë është jetik, sepse është dëshmi autentike e identitetit tonë që na përkasin këto troje”, ka thënë ajo.
Hoxha ka theksuar se përpos botimit të librave, Doli bën një punë tjetër të mrekullueshme “vetëdijëson, edukon brezat pasardhës, arkitektët e rinj të cilët para se të fillojnë me ndërtime të reja, duhet ta respektojnë të vjetrën, sepse ajo e vjetra na jep legjitimitetin e identitetit tonë që jemi denbabaden në këto troje”.
Arkitekti Sali Spahiu ka thënë se kontributi i prof. Dolit është i jashtëzakonshëm jo vetëm si pedagog për 45 vjet në Universitetin e Prishtinës, por edhe si hulumtues i rrallë i arkitekturës sonë tradicionale, të cilën ai me shumë përkushtim dhe profesionalizëm e shtjellon në librat e vet studimorë të botuar ndër vite.
Sipas tij, libri “Ruajtja praktike e trashëgimisë arkitektonike në Kosovë” paraqet një vepër unikate në fushën e arkitekturës popullore dhe trashëgimisë sonë kulturore.
“Autori me një mjeshtëri të jashtëzakonshme trajton detajisht dhe shumë profesionalisht disa objekte karakteristike të thesarit tonë popullor. Ai këtë punë e bën në nivel të lartë shkencor dhe hulumtues”, ka thënë Spahiu, duke shtuar se “ky libër do të shërbejë si një udhërrëfyes jo vetëm për arkitektë, por edhe për të gjithë ata që merren me ruajtjen e trashëgimisë sonë të pasur arkitektonike dhe kulturore”.
Duke folur për librin “Arkitektura vernakulare e Kosovës”, arkitekti Korab Kraja ka thënë në këtë studim autori bën shtjellimin e etnogjenezës sonë ndërtimore, duke e ndërthurur atë me traditën vendase dhe duke e shtjelluar atë përmes konceptimit të mendësisë vendase.
“Mund të thuhet se praktika kreative shekullore shqiptare, përmes shprehjes ndërtimore dhe arritjeve konstruktive dhe estetike, është shprehur edhe në arkitekturën tonë vernakulare. E, veçanërisht, është kulla ajo arritja më kulmore, kur mjeshtri popullor shqiptar shprehu tërë përvojën e tij shoqërore dhe rrethanore, kur mjeshtri popullor shqiptar dha kontributin fisnik të kryemjeshtrit për konceptimin e hapësirave funksionale të saj, dhe është vetëdija e mjeshtrit popullor shqiptar që kullën e bëri ndër arritjet më të mëdha arkitekturore dhe e hodhi hapin në largpamësi që ta bëjë atë sot simbolin e krenarisë së kombit tonë”, ka theksuar ai.
Kraja ka thënë më tej se Prof. Dr. Flamur Doli ishte i vetëdijshëm në të kaluarën e tij, qysh kur ishte student, se këto ndërtime shprehnin një rëndësi të madhe në shoqërinë tonë.
“Dhe, ishte i vetëdijshëm se obligimi moral për to është obligim edhe profesional. Përkushtimi i tij moral në të kaluarën bëri që trajtimi i arkitekturës popullore të bëhet sot përkushtim profesional”, është shprehur ai.
Hapja e ekspozitës dhe përurimi i librave është organizuar nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës. Kryetari i këtij asociacioni, arkitekti Masar Dushi ka thënë se AAK është bartëse e shumë organizimeve dhe ngjarjeve të cilat janë gjithmonë në shërbim të profesionit të arkitekturës, arkitektit, trashëgimisë dhe kulturës së Kosovës në përgjithësi.
Aktiviteti është organizuar në kuadër të projektit të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës.
i. k.
