Prishtinë – Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) – Tiranë organizuan më 24-26 prill në Prishtinë, në ditët kur festohet edhe Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit, edicionin e dytë të Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor.
Në fjalën e hapjes, kryetari i ASHAK-ut, Akademiku Mehmet Kraja ka thënë se “libri shkencor është botë në vete dhe shumicën e kohës ai rri i feshur nga kureshtja e lexuesit të zakonshëm dhe kërkon me ngulm lexues të kualifikuar, atë që ia di vlerën dhe që i peshon me kompetencë arritjet e tij në fushën e dijes”.
Ai ka theksuar se libri shkencor nuk është libër i reklamës dhe i tirazheve të mëdha, dhe se bestsellerët shkencorë janë të rrallë.
“Librat shkencorë janë më të paktë si numër krahasuar me librat letrarë dhe publicistikë, nuk shtypen në letër luksoze, nuk iu bëhet kopertina me zgjidhje të veçantë grafike, dhe në përgjithësi lënë përshtypjen e indiferencës. Por magjia e tyre qëndron sa në ide të reja, në dije të gjithanshme dhe mendime të thella, po aq edhe në qëndrueshmërinë e argumenteve dhe vërtetësinë e fakteve”, është shprehur Kraja.
Kryetari i ASHAK-ut ka thënë se ky institucion i konsideron botimet shkencore parësore në punën e tij dhe programet vjetore.
“Ne konsiderojmë se kemi arritur një nivel të mirë të këtyre botimeve, porse kemi akoma punë për të bërë, për të hapur veprimtarinë tonë botuese ndaj autorëve jashtë Akademisë, jo sipas rastit, por sipas një koordinimi dhe vlerësimi publik”, ka thënë Kraja.
Në fjalën përshëndetëse, nënkryetari i ASHSH-së, Vasil Tole, ka thënë se vitin e kaluar Panairi ngjalli interesimin e të gjithë botuesve të librit akademik dhe shkencor.
“Fakti se jemi përsëri bashkë në edicionin e dytë, tanimë në Prishtinë, është prova më e mirë e rëndësisë së organizimit të tij. Si asnjëherë më parë ky panair po bashkon botimet e studiuesve shqiptarë dhe na jep mundësinë t’i shohim me sytë tonë dhe t’i prekim nga afër këto produkte shkencore të shqiptarëve, një aktivitet unik dedikuar atyre”, ka theksuar ai.
Duke vlerësuar se në thelb, kjo është një festë e librit shkencor dhe e akademizmit shqiptar, Tole ka thënë se “me këtë panair, përveç të tjerash, dëshirojmë që rrjetit të botuesve të librit shkencor t’u mundësohet funksionimi si një i tërë, që botuesit e tij ta shohin njëri-tjetrin si pjesë e një familjeje e që botimet e qendrave universitare t’i bashkohen rrjedhës së përgjithshme të librit shkencor e akademik”.
Për drejtoreshën e QKLL-së, Alda Bardhyli, Panairi i Librit Akademik dhe Shkencor është një mundësi e mirë për t’u njohur me arritjet e botimeve më të mira të shkencës shqiptare në vite, por edhe një ftesë për t’i dhënë mendimit shqiptar një rol ndoshta më të fortë në diskursin publik.
Ajo ka thënë se roli i studiuesve të shkencës, mendimit, duhet të shpërfaqet më shumë në shoqërinë tonë, që viteve të fundit gjithnjë e më shumë është përballur me presionet e kohës, populizmit etj.
Qëllimi i Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore të botimeve akademike, shkencore dhe universitare në botën shqiptare.
Gjatë tri ditëve të Panairit, në mjediset e ASHAK-ut janë paraqitur një numër i botimeve të reja shkencore të institucioneve pjesëmarrëse.
i. k.
