Mundësi për të eksploruar dhe njohur më mirë kulturën e njëri-tjetrit

Pianistja e njohur nga Ulqini, Iliriana Gjoni përfaqësoi Malin e Zi në fazën përfundimtare të projektit “OneBeat Balkans”, që në formë të koncerteve live u zhvillua para pak ditësh në Prishtinë dhe Novi Sad.
Gjoni gjatë një prononcimi për gazetën “Koha Javore”, flet për pjesëmarrjen e saj në këtë eveniment kulturor, si dhe bashkëndan disa reflektime personale mbi projektin në fjalë.
Ajo thotë se bashkimi i mendjeve nga sfonde të ndryshme, nga muzika tradicionale tek xhezi, bluz apo edhe klasike, përfaqësonte kthimin tek rrënjët e veta dhe jepte mundësi për të njohur dhe eksploruar më mirë kulturën e njëri-tjetrit.
“Duke u kthyer nga secila fazë e programit “OneBeat Balkans”, kuptova se personin mund ta largosh nga vendi, por vendin nuk mund ta largosh kurrë nga një person. Kjo është ajo që më përfaqësonte programi: kthimin te rrënjët e mia, të kuptoja se ku dhe pse filloi gjithçka, të përqafoja ato ritme të çmendura 7/8 dhe mbi të gjitha të jetoja”, shprehet Gjoni.
Ajo tregon se ky formacion muzikor u dha pjesëmarrësve edhe mundësi për të eksploruar kulturën e njëri-tjetrit.
“Ne bashkuam zërat tanë dhe energjitë e jetës në krijimin e një melodie që mund të shërbejë si kolonë zanore për përparimin. Sjellja e kësaj fryme te njerëzit, shtëpitë dhe familjet duhet të jetë misioni i programeve të tilla. Nëpërmjet muzikës dhe koncerteve tona ndikojmë në ndjeshmërinë e njerëzve, dhe kjo është në zemër të vetë misionit të artit, thekson pianistja Iliriana Gjoni.
Për të, kjo ishte një përvojë e mrekullueshme që të ndante dy javë me njerëz dhe muzikantë të jashtëzakonshëm, dhe se siç thotë vetë, mezi e pret aventurën e radhës. Iliriana gjatë këtij prononcimi rrëfen një reflektim personal mbi pjesën e rezidencës artistike të programit “OneBeat Balkans”, i cili u mbajt në shtator të 2020 në Mali Igjosh.
“Pasi u largova nga Ballkani në vitin 2009, fillimisht në Itali, më pas në Gjermani dhe tani në Belgjikë, e ndjeja që më ndiqte një lloj misteri. Me këmbëngulje ndjeja që diçka më mungonte, rrinte jashtë mundësive, megjithë vendet e reja të bukura, njerëzit e këndshëm dhe interesantë, natyrën frymëzuese dhe ja burokracinë funksionale, ndonëse dërrmuese (e kuptoj që disa prej jush mund të mendojnë pse burokracia është fare në këtë listë, por ne ballkanasit, dëshirojmë dhe kemi nevojë gjithashtu për rregull). Ndarja e ditëve të programit me 9 muzikantë të tjerë nga rajoni dhe SHBA-ja, duke ndjekur seminare, prova, sesione, orë e regjistrim dhe madje edhe atë që ka mbetur nga mundësia për të luajtur një koncert gjatë këtij viti të goditur nga korona, duhet të ketë qenë sigurisht një nga eksperiencat më të bukura që kam pasur vitet e fundit”, shprehet Gjoni.
Pas përfundimit të masterit në Studime Evropiane pranë Universitetit KU Leuven, pjesëmarrja e Ilirianës në “OneBeat Balkans” ishte një mundësi sprove dhe çlirimi. Dy javë në një fermë të izoluar, duke ngrënë ushqim ballkanas dhe shoqëruar me artistë, me të cilët ndante ide muzikore, luanin e këndonin së bashku, përbënte rehabilitimin më adekuat për të.
“Ajo që shkoi përtej pritshërive të mia ishte fryma e lehtësisë dhe mendjes së hapur që gjeta duke punuar me këta artistë. Nuk ishte e thjeshtë apo e natyrshme për mua të harroja rregullat e muzikës klasike dhe të zhytesha në moment, t’i përgjigjesha atij solo saksit më akorde që nuk kisha parë kurrë më parë ose të shoqëroja aty për aty melismën e bukur të zërit tradicional, ishte një sfidë që duhej ta kapërceja”, thotë Gjoni.
Tashmë, siç tregon, në muzikën që po bënin, ata tregonin histori të ngjashme dhe humori i krijuar nga muzika ishte krejtësisht identik. Sipas saj, kombet, zakonet dhe gjuhët tona në fund të fundit janë nuanca që i duam dhe i vlerësojmë, që më tej pasurojnë trashëgiminë kulturore të këtij rajoni. Ato nuk duhet të jenë mjet për të urryer njëri-tjetrin.
“Duke bashkuar njerëz nga vende të ndryshme të Ballkanit, ky program dha një mundësi për të eksploruar dhe njohur më mirë kulturën e njëri-tjetrit, na dha sy të rinj për kulturën tonë dhe disave prej nesh, na riktheu ato rrënjë që kishim dëshiruar, shprehet Gjoni.
Për fund, pianisja e mirënjohur Iliriana Gjoni jep mesazhin qe ne duhet të shikojmë njëri-tjetrin, por edhe ta shohim veten në pasqyrë, të bashkojmë zërat dhe energjitë e jetës në krijimin e një melosi që mund të shërbejë si kolonë zanore për përparim.
“Kjo është fryma e “OneBeat Balkans”, por duhet të jetë edhe fryma e së ardhmes, sepse është tashmë e qartë se pa u larguar nga e kaluara e errët, asnjë vend i vetëm nuk do të mund të eci përpara. Ne ose do të bashkohemi dhe do të shohim nga e ardhmja, ose do të vazhdojmë të shënojmë regres. Me pjesëmarrësit nga SHBA-ja u bë e qartë që Ballkani mund të bëhet global. Kjo frymë vëllazërimi dhe bashkimi duhet të ketë mundësinë të udhëtojë dhe të shohë më shumë botën, të ndikojë dhe të ndikohet prej saj, pasi vetëm përmes komunikimit dhe ndërveprimit mund të arrihet një e vërtetë e drejtë për të gjithë”, përfundon Gjoni.
“OneBeat Balkans” është një iniciativë e Byrosë së Çështjeve Arsimore dhe Kulturore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe mbledh muzikantë të cilët përtej dashurisë së tyre për muzikën, ndajnë një interes dhe angazhim të veçantë në udhëheqjen e ndryshimeve shoqërore përmes artit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat