Tuz – Muzeu i Historisë së Natyrës i Malit të Zi, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”, hapi të enjtën (13 prill 2023) ekspozitën “Segmente të natyrës sonë”, të autorëve Msci. Çeda Ivanoviq dhe Spec. Sci Stefan Ralleviq dhe Millan Mijushkoviq, ku qenë të pranishëm numër i konsiderueshëm i publikut, përfaqësues të muzeut në fjalë, të Komunës së Tuzit, të QKI-së “Malësia”, nxënës të shkollave fillore, etj.
Drejtori i QKI “Malësia”, Vasel Berishaj në fjalën e rastit tha se për herë të parë në Malësi u hap një ekspozitë e këtij lloji, dhe shtoi se për herë të parë banorët e Komunës së Tuzit do të kenë rastin të njihen me segmentin autentik të jetës së një bote të veçantë, të një bote zemërgjerë dhe tejet të rëndësishme për jetën tonë.
“Prandaj, duhet të punojmë shumë në ndërgjegjësimin dhe edukimin e gjeneratave të reja për ruajtjen e kësaj pasurie të paçmuar. Ju më së miri do ta ndjeni dhe kuptoni bukurinë e natyrës me shikimin e këtyre eksponateve që në heshtje e rrëfejnë tregimin e vet dhe shpërndajnë mesazhe të veçanta”, u shpreh në mes tjerash Vasel Berishaj.
Sakaq, mbi rëndësinë e ekspozitës në fjalë foli edhe Vahid Dresheviq, menaxher i politikës programore në QKI “Malësia”.
Ndërkaq, drejtoresha e Muzeut të Historisë së Natyrës të Malit të Zi, znj. Natalia Çagjenoviq duke folur mbi veprimtarinë e muzeut që drejton dhe selinë e tij, tha se duke qenë muze shtetëror ky institucion ka obligim që të afirmojë pasuritë natyrore dhe kulturore me të cilat Mali i Zi disponon në të gjithë territorin e tij.
“Dhe që segmentet e natyrës së tij, t’i prezantojmë nëpërmjet ekspozitave edhe jashtë Podgoricës. Biodiversiteti i Malit të Zi është jashtëzakonisht i madh”, theksoi ndër të tjera Çagjenoviq e cila shpalosi pasuritë e Liqenit të Shkodrës, zogjtë, florën dhe faunën e saj. Ajo njëkohësisht bëri thirrje që të ruhen dhe të mbrohen pasuritë natyrore dhe biodiversiteti.
Në të njëjtën kohë, sekretarja e Sekretariatit për bujqësi dhe zhvillim rural në Komunën e Tuzit, znj. Ismeta Gjoka duke potencuar angazhimin e palodhur të ekspertëve të Muzeut Natyror të Malit të Zi, në bashkëpunim me punonjësit e QKI-së “Malësia” në organizimin e kësaj ekspozite, tha se pasuria natyrore e viseve tona me relievin atraktiv të Malit të Zi po bëhet element i parë i pelegrinazhit të turistëve dhe i adhuruesve të natyrës nga të gjitha anët e globit.
“Shpesh gjërave që i kemi aq afër dhe që i shohim çdo ditë, nuk dimë t’ua japim rëndësinë e merituar. Këtu afër, me një sipërfaqe të madhe që i takon Komunës së Tuzit është Liqeni i Shkodrës, që me biodiversitetin e vet është vend i studimeve të shumta”, u shpreh Ismeta Gjoka.
Ajo shtoi se në këtë liqe, numri i madh i llojeve të peshkut dhe shpendet që kanë gjetur strehim aty, janë pasuri që duhen ruajtur, kultivuar dhe zhvilluar.
Përmes kësaj ekspozite u pasqyrua biodiversiteti i Liqenit të Shkodrës: shpendët e ndryshme, peshqit si krapi dhe ngjala, biodiversiteti i pyjeve dhe egërsirat e pyllit.
Ekspozita në fjalë do të qëndrojë e hapur njëzetë ditë.
t. u.
